Bill Gates nënshkruan marrëveshje me 16 kompani farmaceutike

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates ka bashkuar forcat me 16 kompani farmaceutike për të avancuar prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit.

Mark Suzman, CEO i Fondacionit Gates, njoftoi të Mërkurën se 16 Drejtorë Ekzekutivë nënshkruan një marrëveshje për “angazhimin e tyre për të ndihmuar në sigurimin e shpërndarjes globale dhe të efektshme të vaksinës kundër COVID19”.

Kompanitë farmaceutike kanë rënë dakord të zgjerojnë kapacitetin e tyre të prodhimit të barnave. Mes 16 kompanive do të ketë bashkëpunim të afërt dhe pa konkurrencë.

“Partneriteti do të vazhdojë të bëjë pjesën, që i takon për të siguruar që njerëzit në çdo vend të botës, të pasur apo jo, të kenë akses në diagnostikimin, terapinë dhe vaksinat që do të ndihmojnë në këtë pandemi,” tha Gates në një video. “Ne do t’i lartësojmë këto inovacione sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’u siguruar që ato të arrijnë këdo që ka nevojë për ta, pa marrë parasysh se ku jetojnë ose çfarë mund të paguajnë.”

Mënyra e vetme për të eleminuar kërcënimin e COVID-19, tha themeluesi i Microsoft Bill Gates, është aftësia për të prodhuar miliarda vaksina, për të pasur fonde për të paguar për to dhe për të pasur sisteme për t’i shpërndarë ato kudo.

Filantropisti miliarder theksoi se vendet me të ardhura të ulëta janë shtëpi për gati gjysmën e popullsisë së botës, por vetëm 14% e popullsisë së tyre do të ishte në gjendje të blinte vaksinën kundër COVID-19.

Mënyra e vetme për të eliminuar COVID-19 nga një shtet, tha Gates, është ta eliminosh atë kudo.

“Bashkëpunimi i pashembullt i të gjithë shoqërisë kërkohet për të mbyllur hendekun dhe për të ndihmuar që testet, trajtimet dhe vaksinat të mos shkojnë vetëm tek ofertuesi më i lartë,” tha ai. “Angazhimi nga 16 kompani të shkencave jetësore është një hap i shkëlqyer.”

16 ndërmarrjet farmaceutike që nënshkruan marrëveshjen përfshijnë AstraZeneca, Bayer, bioMérieux, Boehringer Ingelheim, Bristol Myers Squibb, Eisai, Eli Lilly, Gilead, GSK, Johnson & Johnson, Merck & Co., Merck KGaA, Novartis, Pfizer, Roche dhe Sanofi .

Rastet globale të infektimeve me COVID-19 janë rritur në më shumë se 33.76 milionë dhe vdekjet kohët e fundit tejkaluan 1 milion viktima. SH.B.A. po udhëheq në të dyja, me më shumë se 7.2 milionë raste të raportuara dhe më shumë se 206,430 vdekje të raportuara. India renditet e dyta, me më shumë se 6.22 milionë, e ndjekur nga Brazili, i cili ka më shumë se 4.77 milionë raste.

 

Artikulli paraprakStatistikat e Shëndetësisë, 2019
Artikulli tjetërPiraj: Prodhimet tona janë më cilësore se ato të importuara