Negociatorët e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje politike të dielën për të ulur çlirimin e gazrave karbonikë dhe për të ngadalësuar kështu ngrohjen e planetit. Sipas marrëveshjes që do të duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, BE-ja do të vendosë kosto të reja për karburantin e përdorur për mjetet e transportit dhe ngrohjen e godinave, duke filluar nga viti 2027.
Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, centralet dhe fabrikat duhet të “blejnë” licenca për dioksidin e karbonit që të vazhdojnë aktivitetin gjatë të cilit prodhohet ndotje. Ky sistem shërben si thelbi i planeve të BE-së për të ulur ndotjen me 55% deri në vitin 2030.
Sipas marrëveshjes së arritur nga negociatorët e vendet anëtare dhe të Parlamentit Evropian, tregu evropian do të reformohet tashmë duke ulur nivelin e ndotjes me 62%.
Sipas këtij plani, do të hiqen nga sistemi 90 milionë “licenca” për karbonin në vitin 2024, si dhe 27 milionë të tjera në vitin 2026.
Gjithashtu gjatë periudhës 2026-2034, BE-ja do eliminojë licencat falas që ua jep aktualisht sektorëve industrialë për t’i mbrojtur nga konkurrenca e huaj. Paralelisht, BE-ja do të vendosë një tarifë kufitare për karbonin, që synon të mbrojë firmat vendase nga konkurrenca e huaj.
Pas 30 orësh bisedimesh që filluan të premten, BE-ja arriti dakordësi për rregulla të reja nga viti 2027 për kompanitë që furnizojnë me karburant makinat dhe sistemet e ngrohjes së godinave.
Pasi ligjvënësit evropianë kishin kundërshtuar që rregullat e reja të vendoseshin për banesat, negociatorët ranë dakord për disa masa që do t’i mbrojnë konsumatorët nga rritja e çmimeve për shkak të karbonit.
Gjithashtu, nëse çmimet e karburantit do të vazhdojnë të jenë të larta në vitin 2027, hyrja në fuqi e rregullave të reja do të shtyhet për në vitin 2028.
Marrëveshja paraprake do të duhet të marrë miratimin zyrtar të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian./Reuters/Motilokal