Bankat qendrore në të gjithë Europën rritën normat e interesit të enjten dhe disa prej tyre e bënë këtë në përmasa që tronditën tregjet, duke lënë gjithashtu të kuptohet se kostot e huamarrjes mund të rriten edhe më tej për të zbutur inflacionin, i cili po dëmton kursimet dhe po redukton fitimet e korporatave.
I nxitur fillimisht nga rritja e çmimeve të naftës pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, inflacioni ka prekur gjithçka, nga ushqimi e deri te shërbimet, duke arritur shifra mbi 10% në disa pjesë të kontinentit.
Këto nivele nuk ishin parë në disa prej këtyre vende që nga pasojat e krizës së naftës të viteve 1970.
Banka Kombëtare Zvicerane dhe Banka Kombëtare e Hungarisë befasuan tregjet duke ndërmarrë rritje të mëdha të normave të interesit, vetëm pak orë pasi Rezerva Federale në SHBA bëri rritjen më të madhe të normave në pothuajse tre dekada.
Banka e Anglisë ndërkohë ngriti kostot e huamarrjes me një ҫerek pike bazë, siҫ pritej nga tregjet.
Këto lëvizje vijnë vetëm një ditë pasi Banka Qendrore Europiane, në një takim urgjent, ra dakord me planet për të kontrolluar kostot e huamarrjes në vendet e jugut të eurozonës, në mënyrë që të mund të vazhdojë me rritjen e normave në korrik dhe në shtator.
“Ne jemi në një epokë të re ku, për bankat qendrore, ulja e inflacionit është objektivi i tyre i vetëm, edhe nëse kjo do të rrezikonte stabilitetin financiar dhe rritjen ekonomike,” tha George Lagarias, kryeekonomist në Mazars Wealth Management.
Lëvizjet më të mëdha të ditës erdhën nga Zvicra, ku SNB rriti normën e saj duke e ҫuar në -0.25% nga -0.75%, një lëvizje kaq e madhe, sa nuk ishte parashikuar nga asnjë ekonomist i vetëm i anketuar nga Reuters.
Rritja e parë e SNB që nga viti 2007 ka pak gjasa të jetë e fundit dhe banka mund të dalë nga normat negative brenda këtij viti, thanë disa ekonomistë.
“Parashikimi i ri i inflacionit tregon se mund të jetë nevoja për rritje të mëtejshme të normës së interesit në të ardhmen e parashikueshme,” tha në një konferencë shtypi kryetari i SNB, Thomas Jordan.
Franga zvicerane u rrit me pothuajse 1.8% kundrejt euros pas këtij vendimi dhe pati rritjen më të madhe ditore që nga janari i vitit 2015, kur SNB e hoqi frangën nga standardi i euros.
Në Londër, Banka e Anglisë u tregua më e kujdesshme, por tha se ishte e gatshme të vepronte “me forcë” për të eliminuar rreziqet që shkakton një normë inflacioni mbi 11%.
Kjo ishte hera e pestë që Banka e Anglisë rrit kostot e huamarrjes që nga dhjetori dhe norma standarde e Britanisë është tani në nivelin më të lartë që nga janari i vitit 2009.
Tre nga nëntë anëtarët e komitetit të politikave monetare votuan për një rritje më të madhe, prej 50 pikë bazë, duke treguar kështu se banka do të jetë nën presion për të vazhduar me rritjen e normave, edhe pse rritja ekonomike do të ngadalësohej ndjeshëm.
“Bankat qendrorë po lëvizin në një terren të ngushtë, duke qenë të shqetësuara se rritja shumë e shpejtë e normave mund t’i çojë ekonomitë në recesion,” tha Maike Currie, Drejtore e Investimeve për Investimet Personale në Fidelity International.
Shtrëngimi i politikës monetare është një mjet shumë i përhapur për të menaxhuar situatat e pasigurisë.
Pavarësisht kësaj rritjeje, stërlina ra ndjeshëm pasi shumë aktorë në treg prisnin një rritje akoma më të madhe, duke pasur parasysh rritjen me 75 pikë bazë që bëri Fed mbrëmjen e kaluar. Monedha e dobësuar nënkupton inflacion më të lartë nga produktet e importit dhe presion për të vazhduar me rritjen e normave.
Paundi këmbehej me 1,2085 dollarë, duke rënë me 0.75 për qind në një ditë të vetme.
Ndërkohë, në Budapest, banka qendrore hungareze rriti papritur normën e saj të depozitave njëjavore me 50 pikë bazë, duke e ҫuar në 7.25%, në një përpjepkje për të zbutur inflacionin në rritje, i cili tani po kalon shifrën 10%.
Barnabas Virag, zëvendësguvernatori i bankës, tha se kjo rritje nuk do të jetë e fundit dhe banka do të vazhdojë ciklin e saj të rritjes së normës me hapa “të parashikueshëm dhe të vendosur” derisa të shohë shenja se inflacioni po arrin kulmin, ndoshta në vjeshtë.
Kjo rritje vjen gjithashtu në një moment kur monedha e vendit ka humbur pothuajse 7% të vlerës së saj këtë vit, duke rritur akoma më tej inflacionin nëpërmjet çmimeve më të larta të importit./Reuters/