Banka Qendrore e Turqisë ka mbajtur të pandryshuar normën e saj të interesit apo repon njëjavore, respektivisht në 14 për qind, në përputhje me pritjet e tregut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në anketën e AA-së javën e kaluar, paneli prej 18 ekonomistësh nuk priste asnjë ndryshim të normës së interesit.
Banka Qendrore në një njoftim theksoi tendencën rritëse të inflacionit të nxitur nga kostot e larta të energjisë, rritja e çmimeve të mallrave, kufizimet e ofertës dhe zhvillimet e kërkesës.
“Komiteti (Politikës Monetare) pret që procesi i dezinflacionit të fillojë në bazë të masave të marra dhe të ndjekura me vendosmëri për çmime të qëndrueshme dhe stabilitet financiar, së bashku me rënien e inflacionit për shkak të efekteve bazë dhe zgjidhjes së konflikteve rajonale në vazhdim”, thekson deklarata.
Sipas Turkstat, inflacioni vjetor i konsumatorit në Turqi arriti një rekord të ri në 54,4 për qind në muajin shkurt.
Banka Qendrore mbajti gjithashtu konstante normat e interesit në dy mbledhjet e mëparshme të këtij viti, pasi e uli atë me 100 pikë bazë nga 15 në 14 për qind në dhjetor të vitit 2021./AnadoluAgency/