Ata që s’mund ta blejnë arin, e ndërrojnë

Rritja e çmimit të arit ka ulur kërkesën për këtë mall në tregun e Kosovës, por ka rritur interesimin për ndërrim të tij me vlerën e njëjtë.

Pronarë të argjendarive thonë se qytetarët zakonisht i ndërrojnë modelet e vjetra të arit me modele të reja.

Enver Pakashtica, kryetar i Shoqatës së Artarëve të Kosovës, thotë se gjatë vitit 2021, çmimi i arit është rritur në 51 mijë euro për kilogram, nga 47 mijë euro sa ka qenë në vitin 2020.

Çmimi i arit varet nga lëvizjet në bursën ndërkombëtare.

Pakashtica thotë se interesimi për të blerë ar ka rënë shumë që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, në mars të vitit 2020.

“Viti 2020 ka qenë shumë i rëndë, më 2021 ka pasur lëvizje pozitive, por jo në nivel të kënaqshëm. Zakonisht, qytetarët blejnë ar për dasma, është traditë. Diaspora blen më shumë. Tash, pasi nuk ka dasma, vjen ndonjë qytetar për ndonjë datëlindje, festë, dhuratë, por jo blerje nga dëshira”, thotë Pakashtica.

Sipas tij, trend është ndërrimi i arit, “rreth 80 për qind e konsumatorëve janë të kësaj kategorie”, thekson ai.

Vitin e kaluar, gjatë një pjese të madhe të muajve të verës, në Kosovë është lejuar organizimi i ahengjeve dhe dasmave, pasi situata me koronavirus ka qenë më e qetë.

Në këto tubime është traditë që gratë të vendosin më shumë ar, qoftë vathë, unaza, byzylykë dhe aksesorë të tjerë.

Gjatë vitit 2020, masat kundër koronavirusit kanë qenë më të ashpra dhe organizimi i ahengjeve dhe dasmave nuk është lejuar, ndërsa Kosovën e ka vizituar edhe numër më i vogël i qytetarëve nga diaspora, sesa zakonisht.

Por, me lehtësimin e masave në fillim të vitit të kaluar, pronarët e argjendarive thonë se janë furnizuar me sasi më të mëdha të arit.

Edhe të dhënat zyrtare tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ka pasur rritje të importit të këtij metali.

Nga janari deri në gusht të vitit 2021, janë importuar mbi 72 kilogramë metale të çmuara, apo rreth 40 kilogramë më shumë sesa vitin paraprak.

Në vitin 2020 janë importuar rreth 33 kilogramë; më 2019, 45 kilogramë; më 2018, 56 kilogramë dhe më 2017, 44 kilogramë ar.

Xhemajl Bajrami, pronar i argjendarisë “Eti Gold” në Gjilan, thotë se gjendja ekonomike e qytetarëve e ka zbehur interesimin e tyre për metale të çmuara.

“Një lirë kushton 350 euro, kurse rroga mujore është 300 euro, me çka të blihet? Pesë për qind e shoqërisë – biznesmenë – mund të them se blejnë ar për qejf. Pjesa tjetër, shumë pak. Edhe stolitë për çiftet e martuara janë anashkaluar”, thotë Bajrami.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, shprehin dëshirën për të blerë ar, por thonë se mundësitë e tyre financiare janë të kufizuara.

Shemsije Rrahmani, laborante në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se i pëlqen ky produkt dhe se blen vetëm për ndonjë festë të caktuar.

“Blej ar, por jo shpesh, sepse është shtrenjtë. Ia vlen të kesh ar, sepse asnjëherë nuk e humb vlerën”, thotë ajo.

Kumrija nga Danimarka, thotë se sa herë që viziton Kosovën për pushime, blen edhe ar.

“Thjesht, më pëlqen shumë. Kam lloje të ndryshme të stolive, unaza, vathë, byzylykë. Blej shumë për vete dhe për anëtarë të familjes. Është shtrenjtë, por ari mund të konsiderohet si para e kursyer”, thotë Kumrija.

Ndryshe prej tyre, Besart Elshani thotë se nuk i pëlqen ari dhe se nuk është interesuar për çmimin.

“Përdorimi dhe blerja e arit janë më shumë çështje meraku. Pavarësisht shpenzimeve ose kostos, ka qytetarë që e blejnë. Unë, personalisht, as nuk e përdor dhe as nuk e blej, as nuk i di çmimet”, thotë ai.

Me gjithë interesimin e qytetarëve, Kosova është shteti i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka rezerva të arit.

Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se “nuk mban në portofolin e saj rezerva ndërkombëtare në ar dhe metale të tjera të çmuara”./REL/

Artikulli paraprak“Si më i thanë fëmijës mos ha babit shumë bukë?”- Qytetarët të brengosur për paralajmërimin e rritjes së çmimit të bukës
Artikulli tjetërPër herë të parë në 18 vite Facebook shënon rënie