As sivjet Termokosi nuk mbulon gjithë Prishtinën

Ngrohtorja e qytetit në Prishtinë, Termokos, ka bërë të gjitha përgatitjet që gjatë sezonit të dimrit të ofrojë një ngrohje të mjaftueshme për të gjithë qytetarët që janë të kyçur në rrjetin e saj, edhe pse këtë vit të paktën pritej që rrjeti i tyre të ishte më i zgjeruar.

Drejtori i Termokos-it, Naser Canolli, në një intervistë për KP tha se ndërmarrja që ai drejton ka bërë të gjitha përgatitjet për sezonin e dimrit, duke bërë me dije se furnizimi i rregullt varet shumë edhe nga KEK-u, prej të cilit bëhet furnizimi me energji elektrike.

“Po ne jemi të gatshëm si Termokos, i kemi bërë të gjitha përgatitjet, por kjo varet edhe prej faktorëve të tjerë, normalisht varet edhe shumë ekskluzivisht prej KEK-ut sepse na furnizon me energji termike që deri tash jemi të kënaqur…përndryshe ne do të jemi duke punuar me intensitet 24 orë duke i furnizuar me ngrohje, energjinë çka e marrim nga KEK-u automatikisht krejt shpërndahet në sistemin e ngrohjes dhe vlerat reale respektivisht temperaturat e ngrohjes jemi duke i rritur, krahas zbritjes së temperaturave natyrale ne jemi duke ngritur temperaturat e ngrohjes”, tha Canolli.
Ai tregon se tashmë ka nisur furnizimi me ngrohje qendrore nga Termokos, për çka ata janë duke ofruar ngrohje të mirë për momentin dhe deri në këtë fundjavë, nuk kanë pasur ankesa të shumta të qytetarëve.

“Normal në disa vende ka defekte të vogla. Shpërthen një gyp, pastaj duhet me u marrë me atë sanim. Jemi duke e bërë maksimumin e maksimumit me kapacitet të cilat i kemi”, tha Canolli.

Udhëheqësi i Ngrohtores së kryeqytetit gjithashtu bëri të ditur se gjatë këtij viti nuk kanë pasur zgjerim të rrjetit, por se kanë bërë rehabilitimin e rrjetit, ku kanë larguar gypat e vjetër dhe kanë vendosur gypat e ri. Canolli tha se me projektin e Komisionit Evropian në të ardhmen parashihet zgjerimi i rrjetit.

Canolli ka treguar për problemet me të cilat është duke u përballur kjo ndërmarrje. Ai thotë se kanë trashëguar një rrjet të vjetruar, por se sipas tij bashkë me ndihmën e donatorëve dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik janë duke u përpjekur për një zgjerim edhe në qytetet përreth Prishtinës.

“Kemi trashëguar një rrjet jashtëzakonisht të vjetër, sidomos kjo pjesa që ka mbet jashtë ambientit të një pjese tericiare ta quaj ashtu. Ndërsa, këtë vit kemi bërë disa kyçje të reja, sidomos të institucioneve publike shkolla pastaj ministri, qendra të mjekësisë familjare. Jemi në koordinim të plotë dhe me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik kemi zgjerim më të gjanë edhe në pjesët tjera të Prishtinës, po pse jo ndoshta edhe në këto qytetet përreth. Jemi tu u mundu maksimalisht me gjithë donatorët, kemi kontakte dhe raporte shumë të mira përveç Komisionit Evropian, Banka Gjermane, Banka Botërore për investime në takime dhe koordinime të plotë dhe ajo ka të bëjë me një projekt voluminoz dhe ajo ka të bëjë me pjesën e zgjerimit”, tha ai.

Canolli bëri të ditur se Sezoni i ngrohjes ka filluar me 15 tetor, me përjashtim të pjesës së Katedrales, pjesës Universitare dhe një pjese në lagjen Kodra e Diellit, që ka nisur më një javë vonesë.

Artikulli paraprakErdogan: BE-ja po na sorollat; përse të mos jemi në Pesëshen e Shangait
Artikulli tjetërVlora, qyteti me papunësinë më të lartë në Shqipëri