Arabia Saudite ka rritur eksportin e naftës vitin e kaluar për 4,5 për qind krahasuar me një vit më parë, duke e ngritur sasinë e eksportuar në 375 milionë e 300 mijë tonë
ANKARA (AA) – Zeynep Beyza Kılıç
Arabia Saudite vitin e kaluar është radhitur e para ndër vendet me eksportin më të madh të naftës së papërpunuar në botë, duke shitur 375 milionë e 300 mijë tonë sosh.
Sipas të dhënave që Anadolu Agency (AA) ka përpiluar nga “Raporti i Statistikave Botërore Energjetike të BP-së”, tregtia botërore e naftës vitin e kaluar është rritur për katër për qind krahasuar me një vit më parë, duke arritur sasinë 2 miliardë e 117 milionë e 800 mijë tonë.
Arabia Saudite ka rritur eksportin e naftës vitin e kaluar për 4,5 për qind krahasuar me një vit më parë, duke e ngritur sasinë e eksportuar në 375 milionë e 300 mijë tonë. Në këtë mënyrë, Arabia Saudite ka zënë vendin e parë si shitësi më i madh i naftës në botë në vitin 2016.
Ndërkaq, blerësi më i madh i naftës së Arabisë Saudite ka qenë Japonia, e cila ka blerë 59 milionë tonë nga ky vend. Japonia është ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilat nga Arabia Saudite kanë blerë 54 milionë e 800 mijë tonë naftë. Vendi i tretë që ka blerë më së shumti naftë nga Arabia Saudite është Kina me 51 milionë tonë.
Në eksportin global të naftës, pas Arabisë Saudite radhiten Rusia me 274 milionë tonë dhe Iraku me 177 milionë e 500 mijë tonë.
Nga ana tjetër, vendi që ka importuar më së shumti naftë në vitin 2016 janë SHBA-të me 393 milionë e 300 mijë tonë naftë të importuar. Ato ndiqen nga Kina me 382 milionë e 600 mijë tonë dhe India me 212 milionë e 300 mijë tonë importe të naftës.
Arabia Saudite, lider edhe në prodhimin e naftës
Arabia Saudite vitin e kaluar ka realizuar edhe prodhimin më të madh të naftës në botë, duke prodhuar 585 milionë e 700 mijë tonë naftë. Në prodhimin e naftës së papërpunuar Arabia Saudite ndiqet nga Rusia, e cila ka prodhuar 554 milionë e 300 mijë tonë naftë, dhe SHBA-të me 543 milionë tonë.
Prodhimi botëror i naftës vitin e kaluar është rritur për 0,5 për qind në raport me një vit më parë, duke arritur në 4 miliardë e 382 milionë e 400 mijë tonë. Krahas kësaj, edhe kërkesa për naftë është rritur për 1,7 për qind, për të arritur në 4 miliardë e 418 milionë e 200 mijë tonë.
Ndërkohë, SHBA-të kryesojnë për nga konsumi i naftës me 863 milionë e 100 mijë tonë të konsumuar, ndërkohë që pas saj radhiten Kina me 578 milionë e 700 mijë tonë dhe India me 212 milionë e 700 mijë tonë.