Sipas ‘’Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut të Likuiditetit’’ norma e obliguar e likuiditetit që duhet të mbajë secila bankë në Kosovë është minimum 25%, ndërkohë që të dhënat e BQK-së tregojnë se kjo normë aktualisht është 32% apo mbi normën minimale”. Prandaj, sipas Albulenë Kastratit, profesoreshë e ekonomisë, bankat komerciale, nga aspekti rregullativ, kanë hapësirë të ulin edhe më shumë likuiditetin duke e shfrytëzuar atë për investime. Cilat janë arsyet e vërteta për paralajmërimin e ngritjës së re të kamatave për kredi në Kosovë?
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për herë të parë mbase po tregohet dhe po tenton të bëhet “e dëgjueshme” urgjentisht karrshi Bankës Qendrore Europiane (BQE) tani, kur, ende pa i shpërfaqur mirë e publikisht BQE-ja paralajmërimet për ngritje të normave të ineresit për kredi, ngarendi të paralajmëroi rritjen e kamatave për kredi edhe në Kosovë. BQK-ja, në vazhdimsi u tregua “e shurdhër” ndaj kërkesave permanente të klientelës dhe të asociacioneve ndërkombëtare bankare për të ulur dhe për të barazuar pak a shumë interesat bankare me vende të tjera, dhe me kokëfortësi mbajti normat e interesit për të gjitha llojet e kredive më të lartat në Europë.
Tani, pas paralajmërimit të BQE-së për ngritje të normave kreditore të interesit, ngarendi vrullshëm për të paralajmëruar ngritje të shpejtë të kamatave kreditore, edhe deri tash tepër të larta, për kredimarrësit e varfër kosovarë. Në këto 23 vjet, qëkur u nis krijimi i sistemit bankar të Kosovës, BQK-ja jo vetëm që nuk i përafroi kamatat me ato të bankave europiane, por me kokëfortësi për dhjetëra vjet i mbajti në nivelin më të lartë të mundshëm kamatat në të gjitha bankat komerciale të vendit.
Në vitet e para të pasluftës, bankat në Kosovë patën aplikuar kamata në kredi edhe deri në 24-25 për qind, pastaj 15-16 e më shumë për qind ishte kuota e kamatës për dhjetëra vjet në bankat komerciale të Kosovës, ndërsa edhe kur u ulën paksa para 3-4 vjetësh, ato prap mbetën ndjeshëm më të lartat në Europë.
Ndërkohë, akoma ka raste ndër institucionet mikrofinançiare që veprojnë në Kosovë me pranimin nga BQK-ja, që kamatat vazhdojnë të jenë deri në 41 për qind, që është, padyshim, kamat përtej dhe më e lartë se edhe e fajdexhinjve illegal. Dhe tani , BQK-ja, pa humbur asnjë çast kohe, me vrap edhe publikisht dhe pa u hamendur shumë edhe një herë e shpërfaqi dëgjueshmërinë, servilitetin dhe anshmërinë e tejdukshme ndaj synimeve të bankave komerciale për të rritur akoma normat e interesit.
Ç’është e vërteta, bankat komerciale, që afarojnë në Kosovë (nga gjithsej 11 sosh, 9 janë me seli jashtë vendit), sado që tani për tani janë në heshtje të plotë dhe nga to nuk është dëgjuar edhe një fjalë e vetme rreth paralajmërimit të BQK-së për norme të reja të intresit së shpejti, ato deri tash nuk kanë rreshtur asnjëherë dhe nuk kanë lënë asnjë rast pa kërkuar rritjen e normave të interesit dhe të çmimeve të shërbimeve bankare.
Në këtë mënyrë, sot e kësaj dite Kosova vazhdon të ketë normat më të larta të ineresit në Europë, po se po, por edhe përtej, si dhe çmimet ndër më të lartat për shërbimet bankare. Dhe, sado që vendi ynë vazhdon të mbetet kampion në nivelin e kamatave të larta dhe të çmimeve enorme të shërbimeve bankare, këto ditë, BQK-ja, që mision qenësor e ka mbikëqyrjen e funksionimit të sistemit bankar të vendit dhe mbrojtjen e interesave të kosovarëve klientë bankash, sërish paralajmëroi ngritje të shpejtë të nivelit të kamatave kreditore.
Ndërsa, arsyetimi i BQK-së për këtë paralajmërim, jo vetëm për vrojtuesit dhe njohësit e rrethanave të zhvillimeve bankare, del të jetë absurd, fare i paqëndrueshëm, madje edhe cinik. Pak a shumë kështu e arsyeton BQK-ja kërkesën paralajmëruese për rritjen e kamatave për kredi në “Raportin e Stabilitetit Financiar” të vetin> “…kostot e mbajtjes së likuiditetit do të sfidohen me rritjen e normave të interesit në nivel global të cilat transmetohen direkt përmes financimit nga bankat amë. Politikat monetare të disa bankave qendrore veçse janë kundërpërgjigjur rritjes së inflacionit përmes rritjes së normave bazë të interesit. BQE ka hezituar të ndërhyjë dhe ndryshoj politikën monetare në gjysmën e parë të vitit 2022, kryesisht si pasojë e ndikimit që pritet të ketë rritja e kostos së financimit në disa nga ekonomitë e BE-së (recesionit potencial) dhe dobësimit të mëtejmë të euros”.
Sipas BQK-së “Ndryshimet në normat e interesit në BQE do të afektojnë indirekt kostot e mbajtjes së likuiditetit dhe kostot e financimit në vend. Për më tepër, përkundër normës së lartë të likuiditetit në nivel sektori, shumica e bankave kanë shënuar rënie të raportit të likuiditetit nga viti i kaluar, ndër të cilat disa me rënie më të theksueshme”. S’do mend se këto vlerësime të BQK-së, që janë goxha diskutabile, e sidomos ai për rënien e likuiditetit të bankave kosovare në këtë vit (dihet saktësisht rritja e fitimit neto e secilës bankë komerciale të Kosovës edhe në krahasim me të të nëjtët muaj të vitit të kaluar) në këtë periudhë janë paralajmërim i drejtpërdrejt për të ngritur normat e interesit, edhe ashtu më të larat në Europë.
Absurditeti i kërkesës së BQK-së për ngritje të re kamatsh, del sheshit kur kihen parasysh fitimet kolosale të bankave komerciale të Kosovës në të gjitha periudhat e vitit (tremujore, gjashtëmujore, nëntëmujore, dhe vjetore), që janë ekskluzivisht rezultat i çmimeve shumë të larta deri në stratoferë të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegal, të institucioneve mikrofinanciare.
Sipas të dhënave të BQK-së, bankat komerciale në Kosovë për katër muajt e këtij viti kanë fituar 44.6 milionë euro. Ndërkohë, njohësit e zhvillimeve bankare në vend vlerësojnë goxha më ndryshe pohimet e BQK-së se “përkundër normës së lartë të likuiditetit në nivel sektori, shumica e bankave kanë shënuar rënie të raportit të likuiditetit nga viti i kaluar, ndër të cilat disa me rënie më të theksueshme”.
Albulenë Kastrati, profesoreshë e ekonomisë, ka thënë për Buletinin Ekonomik se “niveli i likuiditetit të bankave komerciale në Kosovë është relativisht i lartë dhe i qëndrueshëm. Sipas ‘’Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut të Likuiditetit’’ norma e obliguar e likuiditetit që duhet të mbajë secila bankë në Kosovë është minimum 25%, ndërkohë që të dhënat e BQK-së tregojnë se kjo normë aktualisht është 32% apo mbi normën minimale”. Prandaj, sipas Kastratit, bankat komerciale, nga aspekti rregullativ, kanë hapësirë të ulin edhe më shumë likuiditetin duke e shfrytëzuar atë për investime.
Sipas saj, rënia e likuiditetit të bankave ka ndodhur për këto arsye: Së pari, hapja e shpejtë e ekonomisë dhe rritja ekonomike prej 7% në vitin 2021 ka rritur optimizmin e bankave komerciale në kapacitetin e kthimit të kredive, prandaj edhe kreditimi është rritur në mënyrë të përshpejtuar. Deri në qershor 2022 kreditë kanë shënuar rritjen më të lartë vjetore prej 17.4%. Së dyti, bankat komercialë në Kosovë vazhdimisht kanë akumuluar likuiditet të tepërt, të cilin e kanë riorientuar në investime në letra me vlerë (në vend dhe jashtë) dhe në depozita jashtë vendit.
Në dy vitet e fundit një pjesë e këtij likuiditeti është shfrytëzuar për lëshimin e një volumi më të madh të kredive.
Së treti, në vitin 2022 niveli i dërgesave të emigrantëve mund të jetë më i ulët sesa vitin e kaluar, prandaj edhe remitancat mund të luajnë një rol në rënien e likuiditetit bankar. Albulena Kastrati duke u përgjegjur në pyetjen e Buletinit Ekonomik se “a ka mundësi që në shumicën e bankave komerciale të Kosovës të ketë rënie të likuiditetit, në muajt ose periudhat kur pikërisht në këto banka shënohet fitim neto kolosal”, ka shpjeguar se bankat në Kosovë çdoherë kanë pasur likuditetit të mjaftueshëm (përkatësisht para të mjaftueshme), sepse më ligj, janë të vetmet institucione financiare që kanë të drejtë të pranojnë depozitat e qytetarëve.
Prandaj, edhe po të bie norma e interesit në depozita në zero, bankat prapë do të kenë depozita të mjaftueshme, përkatësisht likuiditet të mjaftueshëm, sepse depozitat patjetër duhet të qarkullojnë përmes bankave.
Rënia e likuiditet nënkupton që janë rritur investimet e bankave në kredi të reja dhe investime tjera.
Kastrati thotë se bnkat fitojnë pak ose fare në asete likuide (p.sh. nëse i depozitojnë në banka tjera në Evropë), ndërsa të hyrat kryesore i arkëtojnë nga interesi në kredi. Prandaj, shfrytëzimi i aseteve likuide për të rritur kreditë e lëshuara në ekonomi, natyrisht nënkupton edhe fitime më të larta për banka, sidomos me nivel kaq të ulët të kredive joperformuese.
Profesoresha e ekonomisë Albulenë Kastrati ka vazhduar të shpjegojë për Buletinin Ekonomik arsyetimin e BQK-së për rritje së shpejti të interesit për kredi.
Sipas saj, nga 11 bankat komerciale në Kosovë 9 janë të huaja. Bankat amë të bankave të huaja diktojnë strategjinë biznesore të bankave në Kosovë. Bankat amë janë kryesisht në Evropë.
Aktualisht, thotë profesoresha, bankat amë në Evropë po përballen me kosto më të lartë likuiditetit, përkatësisht financimit, sepse Banka Qendrore Evropiane ka rritur normën e interesit bazë për bankat e Eurozonës.
Rritja e normës bazë nënkpton që bankat komerciale në Evropë do të rrisin edhe normat e EURIBORIT. EURIBORI është norma e interest me të cilat bankat në Evropë u japin kredi njëra-tjetrës. Bankat në Kosovë iu refererohen normave e EURIBORIT sikurse të ishin norma baze (norma referenciale). Prandaj, me rritjen e EURIBORIT pritet të rritet edhe norma e interesit në kredi.
Megjithatë, normat e interesit në kredi pritet të rriten jo vetëm se BQK ka paralajmëruar një rritje të tillë, por sespe norma e inflacionit në Kosovë aktualisht është dyfish më e lartë se norma mesatare e interesit në kredi. Kjo nënkupton se qytetarët realisht po paguajnë norma negative të interesit në kredi, që domethënë se po fitojnë, ndërkohë që bankat po humbin. Kjo situatë vlen për kreditë e lëshuara në vitet e kaluara, kur norma e interesit në kredi është ndërtuar duke marrë parasyh inflacionin prej rreth 2% (sa ka qenë për gati 20 vjet).
Sido që të jetë, edhe pse po del që BQK-ja, edhe kësaj radhe nuk I ka bërë publike arsyet e vërteta të paralajmrimit për ngritje kamatash për kredi edhe te ne, norma të rritura të ineresit do të ndodhin së shpejti edhe në vendin tonë. Në këtë mënyrë, kredimarrësit duhet të përgatitën për koston e kamatave të reja, natyrisht në kurrizin e buxhetit edhe ashtu të varfër të tyre. Gjithsesi, kamatat e reja do t’ua shtojnë neto fitimet edhe më bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare të instaluara në Kosovë./buletiniekonomik/