A MUND TË RIMËKËMBET EKONOMIA BOTËRORE GJATË 2021-S

Pandemia e COVID-19 i ka lëkundur ekonomitë anembanë globit. Shumë analistë janë të një mendjeje se kjo pandemi ka shkaktuar krizën më të rëndë ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore. Shumë pak analistë, mbase asnjëri, kanë qenë të përmbajtur në vlerësime. COVID-19 ka ndikuar në pothuajse të gjitha vendet si dhe ka infektuar më shumë se 63 milionë njerëz në botë, tregojnë të dhënat.

Që nga dhjetori i vitit 2019, më shumë se 1.25 milion kanë vdekur si pasojë e pandemisë. Më shumë se gjysma e popullatës së botës kanë përjetuar një lloj izolimi dhe kufizimi në lëvizje. Kjo është hera e parë ndonjëherë që ky lloj i masave është vendosur në këtë shkallë.

Disa qeveri kanë ofruar ndihma masive financiare për të mbrojtur firmat, familjet dhe individët. Që nga muaji mars i vitit 2020, në total, këto shpenzime kanë arritur në më shumë se rreth 12 trilionë dollarë.

Ky infuzion i parave të gatshme të qeverive, nuk e ka ndaluar lëngatën e ekonomive – ose pothuajse kolapsin – për shkak të një përçarjeje të aktivitetit ekonomik, udhëtimeve, zinxhirëve të furnizimit etj.

Bruto Prodhimi i Brendshëm global këtë vit pritet të bjerë për 4.5 për qind, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Sipas një studimi të bërë publik në fund të muajit nëntor, nga konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), kriza mund të çojë rreth 130 milionë njerëz në varfëri ekstreme. Raporti thotë se situata do të jetë më e cenueshme dhe do të ketë përkeqësim të pabarazisë. Përveç pasigurisë, në muajt e fundit të vitit 2020 një valë e dytë e të infektuarve u regjistrua në pjesën më të madhe të Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe gjetkë.

Duke pasur parasysh shkallën dhe thellësinë e krizës, cilat mund të jenë mundësitë e një rimëkëmbjeje ekonomike në vitin 2021?

A gjendet shpëtimi te vaksinat?

Pothuasje të gjithë ekspertët duket se pajtohet se rimëkëmbja ekonomike në masë të madhe varet nga të pasurit e një vaksine kundër koronavirusit. Janë disa vaksina kandidate, tri prej të cilave në Perëndim: vaksina e Pfizer/BioNTech, ajo e kompanisë Moderna, dhe vaksina e AstraZeneca/Oxford University. Vaksinat e zhvilluara nga Pfizer/BioNTech dhe ajo e Modernas janë treguar efektive më shumë se 90 për qind. Ato kanë kërkuar autorizim emergjent të përdorimit në SHBA dhe Evropë.

Mbretëria e Bashkuar më 2 dhjetor ka miratuar përdorimin e vaksinës së Pfizer-BioNTech. Rusia ishte vendi i parë që miratoi vaksinën e quajtur Sputnik-V, por ka pasur shumë zëra në komunitetin shkencor ndërkombëtar që kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me procesin e aprovimit të Rusisë.

Pritjet se një vaksinë do të dalë së shpejti në treg kanë rritur shpresat se jeta dhe ekonomia mund të kthehen në normalitet. Disa ekspertë thonë se kjo nuk do të ndodhë shpejt duke pasur parasysh vështirësitë e prodhimit në masë dhe shpërndarjes së një vaksine. Përshembull kompania Pfizer, ka thënë në fillim të nëntorit se mund të prodhojë 50 milionë doza të vaksinës të saj këtë vit, për të mbrojtur 25 milionë njerëz. Ky prodhim, sipas Pfizer, do të rritet në 1.3 miliardë doza në vitin 2021.

Por, duke pasur parasysh se bota ka 7.5 miliardë banorë, kjo sasi është shumë e vaksinave është shumë e vogël.

Axel Weber, shef i gjigantit bankar të investimeve UBS, tha më 11 nëntor se edhe me vaksinë kundër koronavirusit, do të duhet kohë që ekonomia të rimëkëmbet.

“Do të marrë të paktën një vit që nivelet e GDP-së të kthehen në nivelet e para- pandemisë. Do të duhen edhe një vit ose dy për të arritur shkallën e papunësisë sa ka qenë para krizës. Pra, do të jetë një periudhë e gjatë e rimëkëmbjes me të cilën po përballemi”, tha Weber për CNBC.

Hans Kluge, drejtori për Evropë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, paralajmëroi më 18 nëntor se Evropa ishte edhe një herë epiqendra e pandemisë, së bashku me Shtetet e Bashkuara.

“Ekziston një dritë në fund të tunelit, por do të jenë gjashtë muaj të vështirë”, ka thënë Kluge.

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë

Artikulli paraprakPo sikur Facebook të detyrohet të shkëputet nga Instagram dhe WhatsApp?
Artikulli tjetërRritje e lehtë e indeksit të kostos së ndërtimit në TM3 2020