A lejohet marrja e përkrahjes sociale?

Dispozita rreth asistences sociale

A lejohet marrja e përkrahjes sociale?

***

Përgjigja:

Në kushte normale marrëdhëniet në mes muslimanëve dhe jomuslimanëve në çështje që kanë të bëjnë me këtë botë janë të ngjashme si ato ndërmjet vetë muslimanëve. Pra, nuk lejohet që ata të mashtrohen, të vidhen, të cenon në nder, në pasuri dhe në çdo gjë tjetër që nuk miratohet nga etika islame, për më tepër kur kemi të bëjmë me mosrespektim të një marrëveshje. Një njeri i tillë, që vepron siç përmendet në pyetjet e mësipërme, ka thyer një marrëveshje që ai ka bërë me shtetin, qoftë ai edhe shtet jomysliman. Marrëveshjet nëse janë brenda normave të lejuara islame duhet të përmbushen, qofte me muslimanin apo jomyslimanin. Veç kësaj qëllimi i një asistence sociale është të ndihmojë atë që s’ka dhe jo atë që ka, dhe siç tregohet edhe në pikën nr. 3 të pyetjes rrogën ky njeri e ka mbi nivelin më të ulët për të jetuar, kështu që për të nuk lejohet të marrë nga ajo asistence.

Muslimani është i urdhëruar të përmbushë me sinqeritet detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e ndryshme, me cilin do qoftë ajo, me musliman ose jo. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O besimtarë! Plotësoni detyrimet!” (5:1) Fjala detyrimet në këtë ajet në gjuhën arabe është ukud, shumësi i fjalës akd, apo akt në shqip, dhe si e tillë ajo përfshinë çdo detyrim që rrjedh nga marrëveshjet dhe aktet e ndryshme. Ajeti është gjithëpërfshirës dhe nuk bën përjashtim për jomuslimanët. Po kështu nuk kemi asnjë argument nga Suneti se në kushte normale i lejohet muslimanit të mashtrojë një jomuslimanë, përkundrazi kemi shembuj të shumtë profetik të përmbushjes së detyrimeve dhe marrëveshjeve me jomuslimanët.

Veç kësaj është e rëndësishme të theksojmë se sjellje të tilla prishin imazhin e një myslimani dhe vetë Islamit, duke ndikuar negativisht në shtimin e islamofobisë dhe në mbylljen e derës së thirrjes islame karshi këtyre njerëzve.

Kështu që për të katër pikat e para që përmenden në pyetje nuk lejohen të veprohen, sepse janë metoda mashtruese dhe mashtrimi nuk lejohet në fenë islame, përveç rasteve të veçanta të domosdoshme, raste këto që nuk përfshihen në asnjë nga ato që përmenden në pyetjet e mësipërme.

Ndërsa për sa i përket pyetjes së pestë, përgjigja për të është: Nëse shoqata e katolike e Karitasit nuk vendos asnjë kusht për ndarjen e këtyre ndihmave që cenon dukshëm ose indirekt fenë e muslimanit apo edhe atë vetë, atëherë nuk ka ndonjë pengesë që ndihma të merret me ndërmjetësinë e tyre.

Allahu e di më së miri

Komisioni i Pyetje-Përgjigjeve pranë LHSH

Artikulli paraprakKurti s’përmend shtrenjtim të ri të rrymës: Do t’i ndihmojmë këta konsumatorë
Artikulli tjetërGoogle Maps tashmë ju kursen edhe karburant!