Sipas të dhënave të Autoritetit të Konkurrencës së Turqisë, vlera e investimeve të huaja në aksionet e kompanive turke është trefishuar dhe ka arritur në rreth pesë miliardë euro (në krahasim me vitin e mëparshëm).
Sipas të dhënave të Autoritetit të Konkurrencës së Turqisë, gjatë vitit të kaluar (2016) janë regjistruar gjithsej 209 bashkime apo transferime ndërsa 50 procedura lidhur me bashkimin e kompanive kanë të bëjnë me kompanitë turke dhe partnerët e tyre jashtë kufijve të atij vendi, konkretisht korporatave me kapital të huaj.
Kështu, investimet direkte në ekonominë turke në vitin 2016 arritën 18.9 miliardë lira, ndërsa në vitin 2015 vlera e këtyre investimeve arrinte 6.3 miliardë lira.
Në kompanitë turke më së shumti kanë investuar investitorët holandezë, të cilët kanë realizuar gjithsej nëntë investime, konkretisht derdhje të kapitalit, rikapitalizim, bashkim dhe transferim.
Pas holandezëve vijnë investitorët nga Gjermania me gjashtë investime të mëdha, më pas investitorët japonezë dhe britanikë me katër marrëveshje të realizuara. Krahas kësaj, gjatë vitit 2016 investitorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Franca, Zvicra dhe Koreja e Jugut kanë realizuar nga tre marrëveshje me kompanitë turke, që kanë të bëjnë me rikapitalizim, bashkim ose transferim.
Më shumë është investuar në sektorin energjetik, pastaj vijon industria dhe përpunimi i metalit, bujqësia dhe mediat. Më së shumti aktivitete lidhur me privatizimin janë realizuar në nënsektorin elektroenergjetik.