Pas BiH dhe Shqipërisë, Emiratet e Bashkuara Arabe investojnë 200 milionë në Serbi

Një kompani nga Abu Dhabi që premtoi se do të investojë rreth 200 milionë euro në industrinë bujqësore të Serbisë është shembulli i fundit i investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe në Ballkan.

Investimi i Al Dahra pritet të rrisë eksportet serbe një vit pas dëmit të shkaktuar nga thatësira prej deri në 1,5 miliard euro. Vendi ka një sipërfaqe të vogël të tokës së pajisur me sistem vaditjeje gjë që kufizon të ardhurat bujqësore serbe, duke e bërë atë të ndikueshme ndaj fatkeqësive natyrore.

“Al Dahra do të investojë 100 milionë euro në sistemin e ri të ujitjes, në mënyrë që të rritet prodhimi, dhe 100 milionë në blerjen e 80 për qind të aksioneve në tetë kompani shtetërore bujqësore, nga të cilat Serbia do të mbajë 20 për qind”, tha Mladjan Dinkiç, ministër i financave dhe i ekonomisë.

Ekspertët thanë se Serbia do të duhet të pajisë me sisteme vaditjeje rreth 500 000 hektarë tokë. Aktualisht vaditen rreth 150 000 hektarë, por sipërfaqja aktuale është 40 000 hektarë. Investimi i ri duhet të shtojë 14 000 hektarë të tjerë për vaditje.

Miladin Sevarliç, profesor në fakultetin e bujqësisë në Beograd, tha se investimet në sistemet e vaditjes janë të nevojshme, sidomos për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Ky investim në vaditje do të paguhet nga 3-5 vjet”, tha Sevarliç për SETimes.

Bujku Mileta Vojnov tha se ai pret që investimi arab të ndihmojë prodhuesve e vegjël si ai.

“Së pari ne duhet të zgjerojmë tokën tonë, sepse askush nuk dëshiron të vadisë parcela të vogla, dhe shumë më tepër duhet të bëhet me pastrimin e kanaleve të vaditjes, në mënyrë që ne mund të përdorim atë që kemi”, tha Vojnov për SETimes.

Sidoqoftë Miroslav Grubanov, kreu i shoqatës së fermerëve Paor nga Crepaja shprehu një shqetësim që shteti favorizon investitorët e huaj, dhe se nuk u ka ofruar fermerëve vendas tokën me kushte të tilla aq të favorshme.

Grubanov tha për agjencinë e lajmeve Beta të Beogradit se fermerët ankohen se nuk u është ofruar të marrin me qira tokën në kushte të tilla të favorshme, sepse ata paguan deri në 900 euro për hektar në ankand, ndërkohë investitorët arabë do ta marrin atë për 250 euro.

Serbia nuk është vendi i vetëm rajonal ku po investojnë investitorët e Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas konfliktit të armatosur në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH), Emiratet e Bashkuara Arabe u fokusuan në ndihmën financiare për kthimin e refugjatëve dhe rindërtimin, dhe gjithashtu duke investuar në kredi të favorshme për bizneset e vogla dhe të mesme dhe arsimin. Të gjitha investimet janë bërë përmes Bosnia Bank International të themeluar nga Dubai, banka e vetme e BiH që vepron sipas parimeve islamike.

Tregtia midis BiH dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, është rreth 4 milionë euro. Numri i kompanive emirate që kanë hyrë në tregun e BiH-së në tri vitet e fundit është rritur në 15, duke përfshirë tre kompani në pronësi të qeverisë.

Disa nga më të mëdhatë janë investimet e Abu Dhabi Islamic Bank dhe Dubai Islamic Bank, duke u fokusuar në sektorët e financave dhe pasurive të patundshme. BiH eksporton mish “hallall” në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Tre vjet pas hapjes së ambasadës shqiptare në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rritur investimet në Shqipëri. Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe po investon 51 milionë euro në ndërtimin e autostradës 32 km të gjatë Tiranë-Elbasan. Të dy vendet nënshkruan në vitin 2012 një marrëveshje të përbashkët për shërbimet ajrore midis territoreve përkatëse.

Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe ka dhënë gjithashtu 17 milionë euro në ndërtimin e aeroportit të Kukësit në veri të Shqipërisë.

Të dy vendet themeluan një Komitet të përbashkët mbi bashkëpunimin ekonomik në fillim të janarit.

Në Bullgari, investimet e drejtpërdrejta të Emirateve të Bashkuara Arabe ishin 0,3 milionë euro në vitin 2000, ndërsa ato arritën 34,4 milion euro në vitin 2012.

Korrespondentët Anes Aliç në Sarajevë, Erl Murati në Tiranë dhe Svetla Dimitrova në Sofje kontribuuan në këtë raport.

Artikulli paraprakA po i bie vlera Arit në bursë?
Artikulli tjetërOKB paralajmëron për rritje të papunësisë