MBI 1.9 MILIONË EURO GRANTE PËR 369 FERMERË

Mbi 1.9 milionë euro është vlera e granteve investive, të cilat sot janë ndarë për 369 prodhues të pemëve, perimeve dhe vreshtave. Ministria e Bujqësisë, përmes këtyre granteve, synon të rrisë kapacitetet prodhuese dhe përpunuese në sektorin e hortikulturës, i cili konsiderohet si njëri nga sektorët me potencialin më të madh zhvillimor në vendin tonë.

Në ceremoninë e ndarjes së këtyre granteve, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se po e realizojnë premtimin për rritjen e përkrahjes financiare për fermerët kosovarë, të cilin e kishin dhënë vitin e kaluar. Përmes këtyre granteve, ai tha se po i përkrahin në mënyrë të drejtpërdrejtë qindra familje kosovare, të cilët tashmë kanë mundësi të krijojnë edhe vende të reja të punës. “Që nga fillimi ne kemi premtuar se do të ketë rritje të buxhetit për sektorin e bujqësisë dhe më shumë përkrahje për fermerët kosovarë. Për të realizuar këtë premtim tonin ne jemi orientuar nga njëra anë në rritjen e buxhetit shtetëror për bujqësinë dhe në anën tjetër, gjatë gjithë kësaj kohe jemi munduar t’i bindim edhe donatorët e ndryshëm që të investojnë në bujqësi. Ndarja e këtyre granteve për 369 fermerë tregon se ne po e realizojmë njërin prej premtimeve që kemi dhënë vitin e kaluar, sepse dukshëm është rritur edhe niveli përkrahjes, edhe numri i përfituesve”, tha ministri Stavileci.

Përpos këtyre granteve, ministri tha se pas disa javësh do të ketë edhe masa tjera përkrahëse për fermerët kosovar, të cilëve krahas ofrimit të shërbimeve këshillimore, do t’ju ndahen edhe grante investive për mekanizëm bujqësor. “Me hartimin e strategjisë së re për bujqësinë, të cilën kemi filluar ta përgatisim qysh tash, ne synojmë që buxheti për sektorin e bujqësisë bashkë me mjetet e donatorëve të arrijë deri në 100 milionë euro”, tha ministri Stavileci.

Në anën tjetër, Neriman Ismaili, përfitues e një granti në vlerë prej 10 mijë euro, duke treguar mirënjohje për mbështetjen institucionale, tha se ndarja e granteve investive nuk është vetëm përkrahje materiale, por edhe përkrahje morale dhe motivuese për të vazhduar edhe më tej punën në sektorin e bujqësisë. “Përmes përkrahjes së vazhdueshme që kam marrë nga Ministria e Bujqësisë, kam arritur të zgjerojë veprimtarinë time bujqësore, pasi subvencionet dhe grantet e kësaj ministrie na kanë mundësuar ta rrisim dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore dhe në këtë mënyrë, po bëhemi edhe më konkurrent me rajonin”, tha ai.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes këtyre granteve për sektorin e hortikulturës, ka mbështetur 369 fermerë me 1,989.654 euro për ngritjen e pemishteve, vreshtave dhe serrave të reja, si dhe për infrastrukturën e tyre përcjellëse.

Vlera minimale e lejuar për të përfituar nga skema e granteve investive të MBPZHR-së ka qenë 1500 euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë euro.kohaislame

Artikulli paraprakBanka Botërore do t’i japë Irakut 900 milionë $
Artikulli tjetërErdoan: FMN-së do t’i japim borxh edhe 5 miliardë dollarë