Asnjë biznes nuk është i detyruar të ulë marzhin e fitimit vetëm për të shitur. Uljet e çmimeve janë një metodë shumë e mirë për rritjen e shitjeve, por me një kosto super të lartë.
Akoma më keq, nëse klientët mësohen me oferta, ata nuk do të blejnë normalisht por do të presin uljen e çmimeve. Efektet e kësaj situate janë të rënda dhe do e detyrojë biznesin që të shesë përgjithmonë me çmime oferte dhe si rezultat me një marzh fitimi më të ulët. Fatmirësisht, ka shumë mënyra të tjera për të rritur shitjet, pa e ulur çmimin, ose duke e bërë këtë ulje të padukshme për klientët.
Kupona për të ardhmen. Mund të përdoren fjalë të tipit “Për çdo 10 mijë Lekë të shpenzuara sot, do të përfitoni 2 mijë Lekë ulje nga blerja juaj e rradhës prej të paktën 10 mijë Lekësh”. Kjo do të shtyjë klientët të arrijnë në limitin prej 10 mijë Lekësh sot dhe siguron një tjetër blerje prej tyre me po të njëjtën vlerë ose më shumë në të ardhmen, kur të përdorin kuponin.
Paketa produktesh. Mund të paketohen disa produkte sipas një veçantie të tyre (ngjyra, sezoni, ide dhurate, përdorimi, etj) dhe të shiten si një paketë speciale me çmim të njëjtë ose fare pak më të ulët se sa blerja e atyre produkteve veç e veç.
Dhuro diçka. Një ditë apo mbrëmje në javë zgjidhni një klient të rastësishëm (me short) për të përfituar një produkt apo shërbim tuajin falas. Kur njerëzit ta marrin vesh këtë, do të vijnë më shpesh për të patur mundësi të jenë fituesit fatlumë. Kjo taktikë mund të përdorët për një ditë tipikë kur shitjet janë të ulta. E përshtatshme për supermarkete dhe/ose restorante.
Argëtim shtesë. Bëji të mundur klientëve që përvec produktit që kanë paguar, të përfitojnë diçka shtesë si për shembull produkte promocionale, kllounë për fëmijët, etj.
Konkurset. Çdo lloj konkursi priret të tërheqë njerëz, por konkurset e duhura synojnë edhe t’u marrin njerëzve para. Sigurisht ka një shumëllojshmëri të madhe se si një konkurs mund të zhvillohet dhe i mbetet vetëm fantazisë së menaxherit ta organizojë. Në rastin e një Fast-Food, nëse shpallet një sanduiç me shije të re dhe me një emër të ri, mund të organizohet një konkurs ku klientët pasi konsumojnë sanduiçin mundohen të gjejnë emrin e tij të ri. Fituesit përfitojnë falas atë që konsumuan ose më tepër.
Mbishitja (upsell). Ideja e kësaj taktike është që në momentin kur konsumatori e ka bërë një blerje, shitësi t’i mbushë mendjen duke i kujtuar ose sugjeruar edhe konsumimin e një produkti shtesë. Për shembull, kamarierët që pasi marrin porosinë mund të pyesin klientët nëse dëshirojnë të porosisin edhe ujë, apo punonjësit e Fast-Food që pyesin klientët nëse përveçnjë sanduiçi duan edhe diçka për të pirë apo patate të skuqura. Kjo taktikë kërkon një përgatitje dhe trajnim të veçantë të stafit për të qenë sa më bindës dhe të natyrshëm gjatë procesit të mbishitjes.
Ofro produktet/shërbimet në shtëpi. Kjo vlen edhe për restorantet, por është një mundësi e mirë edhe për dyqanet e veshjeve apo elektroshtëpiakeve. Një website i mirë, do ta thjeshtësonte shumë këtë proces gjithashtu.
Ka edhe taktika të tjera nga më të ndryshmet që variojnë sipas sektorit të biznesit. Ngelin për t’u përmendur në një kohë më të vonë taktika që lidhen më veçanërisht me supermarketet, me shitësit online, me pasuritë e paluajtshme, etj./Kumti.com