Ishuj që fundosen, breza bregdetarë të kërcënuar nga shuarja. Shumë shtete kërcënohen në të ardhmen për shkak të ndryshimit të klimës. Ato u shpallin luftë energjive fosile, në fund të konferencës së klimës në Marakesh.
Një numër i madh shtetesh duan t’i japin fund me një iniciativë të përbashkët përdorimit të qymyrit dhe të kalojnë sa më shpejt që të jetë e mundur në energji të ripërtëritshme. Shumica e mbi 45 shteteve bëjnë pjesë në “Climate Vulnerable Forum” (CVF).
Në të janë anëtarësuar kryesisht vende të varfra, të cilat janë veçanërisht të prekura nga ngrohja e tokës. Sipas organizatës “Buka për botën”, thirrja u prezantua në fund të konferencës për klimën në Marakesh të Marokut.
Annalena Baerbock, zëdhënëse për politikën e klimës të Grupit Parlamentar të të Gjelbërve në Bundestag, kërkoi që kjo thirrje të mos kalojë pa u dëgjuar në Gjermani. “Nuk mjafton, që ministrja gjermane e Ambientit, Barbara Hendricks t’u rekomandojë shteteve të tjera, si për shembull Marokut, që të mos ndërtojnë centrale të reja me qymyr. Thënie të tilla duhet të përmbahen edhe në planin gjerman të mbrojtjes së klimës.”
Ngjashëm u shpreh edhe Martin Kaiser, drejtor ekzekutiv i Greenpeace Gjermani. “Është një dëshmi varfërie, që Gjermanisë po ia kalojnë ndërkohë, përsa i përket braktisjes së përdorimit të qymyrit, gjithnjë e më shumë vende”, tha Kaiser.
“Largimi nga qymyri vjen më shpejt, se ç’mendojnë disa”
Gjermania planifikon që ta reduktojë emetimin e saj të gazrave të efektit serë deri në vitin 2050 me 80 deri 95 përqind. Një ligj i detyrueshëm për mbrojtjen e klimës ky plan bazë megjithatë nuk është.
Sekretari i shtetit për Mjedisin, Jochen Flasbarth nga delegacioni gjerman në Marrakesch theksoi se braktisja e qymyrit do të vijë edhe në Gjermani: “Që ne do ta bëjmë këtë në fund, për këtë nuk mund të ekzistojë asnjë dyshim. Dhe ndoshta ne duhet ta bëjmë më shpejt se ç’mendon njëri apo tjetri.”
Por, synimi në Gjermani është që braktisja e qymyrit të organizohet në një “projekt të shoqërisë”, në mënyrë që sa më pak njerëz të kenë ndjesinë se vendimet merren pa i pyetur ata, tha Flasbarth. Përpjekjet për një politikë për klimën janë edhe shprehje e interesave ekonomike, të cilat janë të prekura nga fundi i bartësve fosilë të energjisë.
Trumpi do të tërheqë marshin për pas
Konferenca e klimës e Kombeve të Bashkuara në Marrakesh mori fund sipas planit të premten (18.11.). Përfaqësues të më shumë se 190 shteteve debatuan për vënien në jetë të planit të OKB-së të Parisit për klimën. Marrëveshja është ratifikuar tashmë prej më shumë se 100 nga 195 shtete anëtare. Midis tyre janë edhe shkaktuesit më të mëdhenj të gazrave të efektit serë, SHBA dhe Kina. Megjithatë, Presidenti i ardhshëm i SHBA ka deklaruar në fushatën elektorale se do ta braktisë marrëveshjen për klimën.