Mrekullia ekonomike turke

Turqia ka shënuar një rritje të madhe ekonomike në dhjetë vitet e fundit. Por shumë ekspertë dyshojnë në qëndrueshmërinë e ekonomisë turke dhe kërkojnë ndryshime.

Megjithë parashikimet e zymta në Evropë, ekonomia turke po vazhdon të shënojë rritje shumë të shpejtë. Në këtë mënyrë ajo po shndërrohet në një vend shumë interesant edhe për investorët e huaj. Turqia ka shënuar në vitin 2011 një rritje ekonomike prej gati 7,5 %, ndërsa qeveria në Ankara shpreson se rritja gjatë këtij viti do të jetë katër për qind. Eksportet dhe importet turke po rriten që është edhe një sinjal tjetër për rritjen e fuqisë ekonomike të Turqisë. Ndërkohë ajo ka arritur nivelin e shtatë në Evropë dhe zë vendin e 15 në botë. Njëkohësisht Turqia është një prej vendeve me borxhet më të ulëta në Evropë, pas Suedisë dhe Çekisë. Borxhet e saj kapin shifrën prej 42 % të prodhimit të përgjithshëm bruto.
Këto zhvillime pozitive kanë bërë që agjencia e matjes së rentabilitetit Moody’s të rrisë notën e këtij vendi për një shkallë në Ba1. Kjo forcon pozicionin e Turqisë dhe rolin e saj ekonomik.
Ministri turk i financave Zafer Caglayan thotë se ngritja e notave nga agjencitë është “me vend por nuk mjafton”. Ai shpjegon se vendi i tij është varur më parë nga kreditë e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa tani ka premtuar se do të paguajë në fondin e FMN-së për shpëtimin e vendeve nga kriza rreth katër miliardë euro. Ndërkohë që edhe buxheti i Turqisë është më stabil se ai i shumë vendeve të Bashkimit Evropian. Caglayan thotë se vendi i tij meriton nota edhe më të mira boniteti.

Turqia nuk është imune ndaj krizës
Shumë ekspertë besojnë se politika ekonomike e qeverisë së partisë AKP në Turqi është një storje suksesi. Por ata parlajmërojnë se as ekonomia turke nuk është imune ndaj krizës ekonomike. Sipas tyre, kriza financiare në Evropë mund të influencojnë dukshëm edhe zhvillimet në Turqi dhe të ulë zhvillimin e shpejtë ekonomik.
Ekonomia turke varet shumë prej asaj evropiane, që do të thotë se kriza financiare mund të ketë pasoja shumë të rënda për këtë vend. 46 % e eksporteve turke shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, edhe investimet kryesore në Turqi kanë ardhur nga Evropa (76 %). Më shumë se tre të katërtat e turistëve në këtë vend janë evropianë.
Ekspertët kontestojnë edhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në Turqi në dhjetë vitet e fundit. Kur partia AKP erdhi në pushtet në vitin 2002, prodhimi bruto i Turqisë ishte 243 miliardë euro. Më 2010 ishte rritur në 550 miliardë, ndërsa eksporti i vendit është dyfishuar.
Shumë ekspertë pohojnë se problemi kryesor i Turqisë mund të jetë deficiti në bilancin e këtij vendi. Në vitin 2011 deficiti buxhetor ishte rreth 10 % të prodhimit bruto – që është ndër më të lartët në botë. Importet në Turqi edhe më tej janë shumë më të ulëta se eksportet.
“Ky deficit është një sinjal se në Turqi shpenzohet shumë më shumë se sa që ëshë kursyer”, thotë eksperti i njohur turk Suleyman Yasar. “Por ky deficit vjen në radhë të parë nga sektori privat dhe jo publik. Dhe ne nuk presim ndonjë rrezik të madh prej tij”, shpjegon eksperti duke shtuar se një prej zgjidhjeve të mundshme do të ishte ulja e vlerës së monedhës turke.

Paralajmërimet nga optimizmi i tepruar
Eksperti ekonomik Mahfi Egilmez, thotë se deficiti i tanishëm është pjesë e strategjisë turke për zhvillim. Turqia ka një ekonomi të varur nga importi por kjo duhet të ndryshojë. “Turqia nuk mund ta vazhdojë bumin e dhjetë viteve ekonomike me të njëjtin model edhe në dhjetë vitet e ardhshme. Vendi duhet të zhvillojë një model të ri i cili parashikon më pak deficit, më shumë prodhim në vend dhe një aftësi më të madhe konkurruese në tregun e jashtëm”, thotë ai.
Egilmez është i kënaqur me zhvillimet e deritanishme në ekonominë turke. Këtë vit ka rënë edhe niveli i deficitit buxhetor, ndërsa eksporti është rritur.
Megjithatë ekonmisti Mustafa Sonmez paralajmëron nga optimizmi i tepruar. Ai thotë se ekspertët duhet të shikojnë të gjitha anët e ekonomisë turke, sepse jo të gjitha elementet janë në nivelin e duhur për një zhvillim të qëndrueshëm me këtë tempo. “Të ardhurat mesatare në Turqi edhe më tej janë në një nivel shumë më të ulët se në BE – gati përgjysmë më të ulëta”, thotë ai.

Artikulli paraprakPër bletarët jepen 352,190 euro
Artikulli tjetërNafta që futet në Kosovë, shkakton kancerin