EKONOMIA NË JETËN E BASHKËSHORTËVE

Përkufizimi i ekonomisë islame dhe veçoritë e saj

Ekonomia islame është kryerja e proçeseve të ndryshme ekonomike si: blerje, shitje, këmbim etj, sipas parimeve të islamit, që të bëjë jo vetëm një jetë të ndershme, por edhe të fitojë kënaqësinë e Allahut në ahiret.

Gjërat më të rëndësishme që e karakterizojnë ekonominë islame janë:

Së pari: ajo bazohet në vlera besimi. Muslimani, kur fillon proçeset e tij ekonomike, beson se kjo pasuri është nën zotërimin e Allahut të lartësuar dhe beson se Allahu e mbikëqyr atë në marrëdhëniet e tij me të tjerët e këto marrëdhënie kryhen nën mbikëqyrjen e Tij. Ai gjithashtu beson se një ditë do të qëndrojë para Allahut e Ai do ta marrë në llogari për këtë pasuri, si e fitoi e ku e shpenzoi. Këto janë vlera besimi që nuk i gjen në sisteme të tjera ekonomike.

Së dyti: bazohet në vlera morale. Nuk ka ekonomi pa moral. Kështu ishin tregtarët e motshëm muslimanë. Ekonomia islame bazohet në moral, me të cilin “duhet të vishet” çdo musliman e në veçanti biznesmenët. Tiparet morale të fesë islame janë: sinqeriteti, emaneti, toleranca. “Allahu e mëshiroftë një person që është i gjerë kur shet, i gjerë kur blen dhe i gjerë kur i kërkohet diçka. Allahu i shpërblen ata, që i ruajnë emanetet dhe premtimet.” (23: 8)

Së treti: kryerja e së drejtës së Allahut tek pasuria, që është zekati. Allahu i lartësuar e bëri atë shtyllë, detyrim, adhurim, pastërti dhe na urdhëroi ta kryejmë në më shumë se një vend, duke e bashkëngjitur me namazin.

Së katërti: respektimi i pronës. Nuk lejohet të cënohet prona e tjetrit, qoftë e individëve apo e shtetit, si dhe të ruhet pasuria e njerëzve. Profeti (a.s) në fjalimin e haxhit të lamtumirës tha: “çdo musliman e ka të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e muslimanit tjetër.”

Së pesti: puno vetëm në fushën e të lejuarës. Ne shohim që ekonomistët muslimanë i investojnë paratë e tyre vetëm në vendet që i ka lejuar Allahu dhe i largohen të ndaluarës. Allahu i madhërueshëm thotë: “Nuk barazohet e pista me të pastrën edhe nëse të habit shuma e së pistës.” (5: 100)

Së gjashti: barazpeshimi mes nevojave të dunjasë dhe punës së ahiretit. Njeriu duhet të investojë një pjesë të pasurisë së tij tek Allahu, siç thotë edhe ky varg: “Shembulli i atyre që i shpenzojnë pasuritë e tyre në rrugën e Allahut është si një kokërr gruri, nga e cila mbijnë shtatë kallëza e në çdo kallëz ka njëqind kokrra. Allahu ia shton kujt të dojë të mirat.” (2: 261) 
Biznesmeni musliman investon në dunja dhe në ahiret: “Kërko botën e ahiretit me atë që të ka dhënë Allahu dhe mos harro pjesën tënde në dunja.” (28: 77) Sistemet e tjera ekonomike interesohen vetëm për dunjanë.

Së shtati: shmangia e marrëdhënieve, të cilat prekin nevojat kryesore të njeriut. Ka disa nevoja kryesore për të cilat islami interesohet, që janë: ruajtja e fesë, e nderit, e moralit. Çdo gjë që ruan këto objektiva është e lejuar e çdo gjë tjetër që i cënon është e ndaluar.

A ndikon puna në marrëdhëniet familjare?

“Kijeni frikë Allahun sa të mundni.” Asnjeri nuk duhet t’i kërkojë vetes plotësinë, sepse ajo i përket vetëm Allahut. Kështu që asnjë person nuk mund ta zbatojë fenë e Allahut në mënyrë të plotë, sepse njeriu prej natyrës gabon. Ne në jetën tonë zbatojmë aq sa kemi mundësi prej parimeve të ekonomisë islame. Jeta ime si i varfër e jetim ndikoi shumë në formimin tim. Punoja shumë për të plotësuar nevojat e mia. Jeta ime u ndikua nga kjo metodë, që kishte për bazë ekonominë dhe kursimin për rast nevoje. Kështu, unë me gruan time, që në fillim të martesës sonë ramë dakort që shpenzimet tona të ishin në bazë të të ardhurave. Konsultoheshim për shpenzimet që duhet të bënim, sipas të ardhurave dhe rëndësisë. Mendonim që të rezervonim diçka për rast nevoje e të linim pak pasuri për fëmijët tanë pas vdekjes.
Unë dhe gruaja patëm parimin e ekonomisë në shpenzime dhe para se të shpenzonim mendonim se çfarë përfitimi do të na sillte ky shpenzim. Përfitova gjithashtu edhe nga porosia e Profetit (a.s) drejtuar Ebu Dherrit: “Për varfërinë tënde merr nga pasuria jote.”
Kur Allahu ia hap rrizkun një personi, kjo nuk do të thotë që ai ta shpërdorojë. Unë i kam mbrojtur fëmijët e mi nga çështja e shpërdorimit dhe e mendjemadhësisë.
Ai që më bëri mua, gruan time dhe fëmijët të bëj këtë është ajeti kuranor: “Tek Allahu është shumë e urryer ta thoni atë që nuk e punoni.” (61: 3) 
Parimet e ekonomisë islame i praktikoj si vetëm, ashtu edhe me familjen time, në çfarëdo ambjenti që të jem. Kur njeriu thotë të bëjë diçka, duhet patjetër ta zbatojë atë praktikisht në mënyrë të sinqertë, që të fitojë besimin e të tjerëve.
E kam investuar pasurinë, kohën time tek gruaja dhe fëmijët e mi. U mësoja fëmijëve Kuran, praktikimin e ritualeve fetare, i ndiqja në mësimet e tyre praktike, duke krahasuar përparimin e tyre shkencor me mësimin e lëndëve fetare. Arrita në konkluzionin se praktikimi i ritualeve fetare sjell edhe përparimin në mësime.
Burri duhet të bëjë kujdes ndaj shpërdorimit të gruas
Burri, kur bisedon me gruan, duhet të jetë i arsyeshëm e jo i dhunshëm apo ofendues.
Ai duhet t’i shpjegojë asaj të lejuarën dhe të ndaluarën. Shpërdorimi që ajo po bën është i ndaluar. Nëse ajo nuk bindet e vazhdon në vesin e saj, ai duhet ta ndalojë. Këtu shfaqet mbikëqyrja e burrit ndaj gruas së tij, që ia ka dhënë edhe vetë Kurani.
Një ngjarje në jetën time bashkëshortore që nuk e harroj:
Kur unë dhe gruaja ime ishim në Angli me bursë studimi, ajo mblodhi disa para dhe deshi t’i investonte ato. Meqenëse nuk gjeti ndonjë aktivitet islamik, i vuri paratë në bankë me përfitim kamate. E këshillova që ky përfitim ishte i ndaluar, por ajo u justifikua se kështu bëjnë tërë njerëzit. Kur u afrua fundi i studimeve dhe bashkë me të kthimi për në shtëpi, ajo bleu me këto para disa aparate elektronike të reja e të shtrenjta. Allahu na ndëshkoi për këtë punë. Kur mbërritëm në shtëpi pamë që tërë aparatet nuk punonin e kështu u detyruam t’i hidhnim, pa përfituar gjë nga to. Menjëherë m’u kujtua ajeti kuranor, ku Allahu thotë: “Allahu e urren kamatën dhe e rrit lëmoshën.” (2: 276) Ky ishte një mësim praktik për mua dhe gruan time, për kamatën, sepse ajo është pasuri haram dhe Allahu deshte të na pastronte ne nga kjo pasuri.

Norma të lejuara ekonomike që familja duhet të respektojë janë:

1- E lejuar (hallall): burri dhe gruaja duhet të kërkojnë riskun hallall. Muadhi bin Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e pyeti Profetin (a.s): “Dua që të më përgjigjen lutjet.” Profeti (a.s) i tha: “Bëje ushqimin tënd prej hallalli që të të përgjigjen lutjet.” Jo vetëm burri duhet ta dijë këtë gjë, por edhe gruaja, që t’i edukojnë fëmijët e tyre me këtë frymë.
2- Të mirat: Allahu i madhëruar thotë: “I lejoj të mirat dhe i ndaloj fëlliqësirat.” (7:157) Burri dhe gruaja të punojnë vetëm aty ku ka të mira e të blejnë vetëm gjëra të mira. Të mos harrojnë të edukojnë fëmijët e tyre me këtë frymë: kjo është e mirë dhe ne e marrim, kjo është e keqe dhe ne nuk e blejme apo ta hamë.
3- Respektimi i gjërave parësore: në jetën e njeriut ka gjëra të domosdoshme, që pa to njeriu mund të vdesë, ka nevoja, që pa to jeta bëhet e mundimshme, por ka edhe gjëra plotësuese. Burri dhe gruaja duhet ta respektojnë këtë parim, kështu që atyre nuk u lejohet të blejnë gjëra plotësuese, kur akoma nuk kanë plotësuar gjërat e domosdoshme. Nëse familja respekton parimin e parësores në jetën e saj, do të shmangen shumë probleme e midis tyre edhe problemi i borxheve. 
4- Shpenzimi mesatar: jo vetëm burri dhe gruaja, por edhe fëmijët kur shpenzojnë të jenë të mesëm në çdo gjë. Duhet patjetër që ata të edukohen me këtë gjë. Profeti (a.s) thotë: “Nuk bëhet i varfër ai që është ekonomiqar”, pra, ai që shpenzon normal. Mundimet më të mëdha në buxhetin e familjes vijnë prej shpenzimeve të paqëllimta.
5- Kursimi për kohë të vështira: jo çdo gjë që e fitojmë duhet ta shpenzojmë e jo çdo gjë që na pëlqen duhet ta blejmë. Nëse burri apo gruaja kanë të ardhura të larta, kjo nuk do të thotë që duhet t’i shpenzojnë të tëra, por duhet të depozitojnë diçka për të ardhmen apo ndonjë të papritur të jetës.
Një nga mrekullitë në fushën ekonomike, të cilën e gjejmë në traditën profetike, është edhe hadithi i Profetit (a.s): “Allahu e mëshiroftë atë person, i cili fitoi me hallall dhe shpenzoi me qëllim, ruajti pjesën e mbetur për ditën e nevojës e të varfërisë.”
6- Barazpeshimi: kjo është një normë ekonomike që bazohet në barazpeshimin mes fitimit dhe shpenzimit, siç thotë edhe ajeti kuranor: “Mos e shtrëngo shumë dorën tënde (mos u bëj koprac) e mos e shtrij atë të tërën (të shpenzosh pa kufi), që të mos e qortosh veten i penduar.” (17: 29)
7- Mosdallimi mes fëmijëve në dhurata: prindërit nuk duhet të dallojnë fëmijët midis tyre, pasi kjo mbjell smirën tek ta. Nëse i dhuron njërit prej fëmijëve diçka, duhet që t’i dhurosh edhe të tjerëve, sado e vogël që të jetë.

Norma të ndaluara ekonomike që familja duhet të shmangë janë:

Profeti Muhamed (a.s) në një hadith thotë: “Hallalli dhe harami është i qartë. Në mes tyre ka gjëra të dyshimta që nuk i dinë shumë njerëz. Kush i ruhet të dyshimtave, ka ruajtur fenë dhe nderin e tij.” Ne duam që familja muslimane t’i largohet të dyshimtave, që të ruajë fenë dhe moralin e saj.
1- Shpërdorimi: me të nënkuptohet shpenzimi mbi kufi. Ky shpërdorim sjell probleme në shtëpi e ndër to borxhin. Ai është mëkat, kështu që jo vetëm babai, por edhe nëna duhet të japë shembullin e mirë te fëmijët për kursim. 
2- Shpenzimi në gjëra të ndaluara: pra, shpenzimin aty ku e kundërshtojnë urdhërat e Allahut. Një varg kuranor për këtë gjë thotë: “Shpenzuesit në haram janë vëllezërit e shejtanit e shejtani ishte mohues i Zotit të tij.” (17: 27) Kur fëmija kërkon të blejë diçka të ndaluar, jo vetëm që duhet refuzuar, por edhe i duhet sqaruar që kjo gjë është e ndaluar dhe do të meritojë ndëshkimin e Allahut nëse e bën këtë gjë.
3- Marrja borxh: nuk lejohet të merret borxh për të blerë gjëra plotësuese apo për të shpenzuar për qejfe. 
4- Shpëtimi nga zekati: kjo është një prej normave të ndaluara, që ka ndikim të madh në familje. Pra, të mos bëhet frika për dhënien e zekatit shkak për fshehjen e pasurisë apo shpërndarjen e saj pa kriter.
Kur edukojmë veten, gratë dhe fëmijët tanë me vlera besimi e morali, kur i respektojmë normat shoqërore e ekonomike islame, do të mund të shmangim normat e ndaluara ekonomike, si rrjedhim, në familje do të formohet një ekuilibër në buxhetin e saj. Nuk do të ketë borxhe, por rezerva dhe investim. Kështu, familjen do ta sundojë një jetë e qetë e të dy prindërit do t’u trashëgojnë fëmijëve të tyre norma ekonomike islame të pastra.

 

Nga Gentian Fejzullaj

Revista Familja 

Artikulli paraprakBilfinger: Oferta për termocentralin “Kosova A” është 800 milionë euro
Artikulli tjetërFjalorth i shkurtër i termve ekonomik Islam