Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, qytetarët e Kosovës i gjen në një pozitë mjaft të pambrojtur. Përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje thonë se konsumatori në Kosovë, vazhdon të jetë i rrezikuar nga produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar që shumë herë mund të gjenden në treg.
Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë flet për një gjendje jo të mirë sa i përket mbrojtjes së qytetarëve nga produktet e dyshimta në treg.
“Nëse kemi parasysh aferat e fundit që u bënë për miell dhe grurë me cilësi të dyshimtë që thuhet se janë në tregun e Kosovës, dhe po ashtu për një numër të madh të produkteve tjera të dyshimta, të cilat janë zbuluar nga organizata jonë, mendoj se gjendja është tejet shqetësuese”, thotë ai.
Kosova, që nga viti 2004 ka Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.
Nita Sinani, një qytetare nga Prishtina, tregon rastin kur ajo ishte helmuar nga një produkt me afat të skaduar, të cilin e kishte blerë në një nga marketetnë kryeqytet.
“Kam blerë një produkt me afat të skaduar dhe kam përfunduar te mjeku, nuk e di si ka ndodhur. Nuk e kam shikuar afatin pasi që ai produkte ishte në shitje. Mendoj se do të duhej të bëhej një kontroll më i madh i marketeve. Tani që nga ajo ditë unë jam më e kujdesshme kur blej produktet, çfarëdo qofshin ato”, thotë Nita.
Për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga produktet e dyshimta vepron Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës. Kjo agjenci është autoriteti më i lartë për ushqim, i cili është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve duke siguruar nivel të lartë të sigurisë së ushqimit.
Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjenicisë së Veterinarisë dhe Ushiqimit në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se të gjitha produktet që hyjnë në tregun e Kosovës kontrollohen dhe se asnjë produkt i dyshimtë nuk lejohet të qarkullojë në treg.
“Çdo ngarkesë që hyn në Kosovë i nënshtrohet kontrollit të inspektorëve përkatës dhe varësisht nga kontrolli dhe rezultati i analizave që dalin, atëherë vendoset që një produkt të dal në treg apo jo. Po ashtu, kemi planin nacional për kontroll, ku ushtrojmë kontroll gjithë prodhueseve dhe tregtuesve brenda vendit”, tregon Thaçi.