Ballina Rekomanduara Zinxhirët e telefonit dhe rrjeteve sociale

Zinxhirët e telefonit dhe rrjeteve sociale

Zgjohemi dhe gdhihemi me telefonat në duart tona, sikur të ishin fryma jonë e parë dhe e fundit. Ekranet janë bërë dielli ynë i rremë dhe drita e mëngjesit nuk hyn më në zemrat tona. Në vend që të hapim Kuranin, të lexojmë hadithet profetike, të marrim urtësi nga librat, të ngremë duart në lutje e të bëjmë dhikrin e mëngjesit e të mbrëmjes – ne hapim aplikacionet, rrëshqasim me gishta dhe ushqejmë sytë me gjëra që na varfërojnë shpirtin.

E nuk po kuptojmë se jeta po na shkon dhe zemra, pak nga pak, po na vdes nga ajo që sheh e lexon në rrjetet sociale. Ne po e lëmë zemrën të thahet ngadalë, pa britmë, derisa të bëhet gur. Dhe e frikshme është se kjo vdekje nuk ndodh në varreza, por mes like-ve, videove dhe postimeve që na e mashtrojnë mendjen se po jetojmë.

Këta janë zinxhirë të padukshëm, por më të fortë se hekuri. I kemi pranuar vetë, madje i kemi zbukuruar me mbrojtëse të shtrenjta dhe ekrane me shkëlqim, duke harruar se çdo orë e dhënë atyre është një orë e marrë nga vetja, nga familja, nga adhurimi ndaj Zotit. Telefoni është bërë ‘imam’ i rremë që na udhëheq, duke na thirrur jo drejt shpëtimit, por drejt humbjes së heshtur.

Shpirti, si një shtëpi e mbyllur pa dritare, nuk merr më ajër. Nuk merr më dritën e fjalës hyjnore, nuk ndien më freskinë e lutjes. Ne po e ushqejmë me gjëra që e ngopin por nuk e ushqejnë, që e zbavitin por nuk e shpëtojnë.

Dhe derisa të guxojmë t’i thyejmë këta zinxhirë, nuk do ta kuptojmë kurrë se sa e rëndë është pesha e tyre. Por kur të bjerë kjo prangë, do të shohim se sa e lehtë është frymëmarrja pa ekranin që na mban peng, dhe sa i bukur është mëngjesi kur drita e parë nuk vjen nga telefoni, por nga qielli.

“Pëshpëritje jetësore”
Unejs Sheme

Artikulli paraprak“Koprracia në dituri
Artikulli tjetërKujto këto gjëra gjatë marrjes së pagës