Një lloj tjetër i fondit islam mund të jetë fondi i ixharah. Ixharah do të thotë dhënie me qira, dhe rregullat e detajuara të saj janë diskutuar më parë në kapitullin e tretë të këtij libri. Në këtë fond, shumat e mbledhura nga abonimet përdoren për të blerë pasuri si prona të paluajtshme, automjete apo pajisje të tjera, me qëllim që të jepen me qira për përdoruesit përfundimtarë. Prona e këtyre aseteve mbetet në pronësi të Fondit, ndërsa përdoruesit paguajnë qiranë. Këto pagesa janë burimi i të ardhurave për fondin dhe shpërndahen proporcionalisht ndërmjet investitorëve.
Çdo investitor pajiset me një çertifikatë që dëshmon pronësinë e tij proporcionale në asetet me qira dhe siguron të drejtën e tij për pjesën proporcionale në të ardhura. Këto çertifikata preferohet të quhen “sukuk”—një term i njohur në jurisprudencën tradicionale islame. Meqenëse këto sukuk përfaqësojnë pronësinë proporcionale të mbajtësve të tyre në pasuri të prekshme të fondit, dhe jo në shuma likuide ose borxhe, ato janë plotësisht të tregtueshme dhe mund të shiten e blihen në tregun dytësor. Kushdo që blen këto sukuk zë vendin e shitësit në pronësinë proporcionale të aseteve përkatëse dhe të gjitha të drejtat dhe detyrimet e investitorit origjinal i kalohen atij. Çmimi i këtyre sukuk-ve do të përcaktohet në bazë të forcave të tregut dhe zakonisht bazohet në fitimshmërinë e tyre.
Megjithatë, duhet pasur parasysh që kontratat e qirasë duhet të jenë në përputhje me parimet e Sheriatit, të cilat ndryshojnë ndjeshëm nga termat dhe kushtet e përdorura në marrëveshjet e zakonshme të qirasë financiare. Pikat e ndryshimit janë shpjeguar me hollësi në kapitullin e tretë të këtij libri. Megjithatë, disa parime bazë përmblidhen këtu:
- Asetet me qira duhet të kenë ndonjë përfitim të dobishëm dhe qiraja duhet të llogaritet vetëm nga momenti kur përfitimi i tyre i dorëzohet qiramarrësit.
- Asetet me qira duhet të jenë të tilla që përdorimi i tyre hallall (i lejuar) të jetë i mundur.
- Qiradhënësi duhet të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë që rrjedhin nga pronësia e aseteve.
- Qiraja duhet të jetë e përcaktuar dhe e njohur për palët që në fillim të kontratës.
Në këtë lloj fondi, menaxhimi duhet të veprojë si agjent i investitoreve dhe duhet të paguhet një tarifë për shërbimet e tij. Tarifa e menaxhimit mund të jetë një shumë fikse ose një përqindje e qirave të marra. Shumica e juristëve myslimanë janë të mendimit se një fond i tillë nuk mund të krijohet mbi bazën e mudarabah, sepse mudarabah, sipas tyre, kufizohet në shitjen e mallrave dhe nuk shtrihet në biznesin e shërbimeve dhe qirave. Megjithatë, në shkollën Hanbalite, mudarabah mund të aplikohet edhe në shërbime dhe qira. Kjo pikëpamje është preferuar nga një numër dijetarësh bashkëkohorë.











