Ekzistenca e disa llojeve të ndryshme të dinarëve (monedha ari) dhe dirhemëve (monedha argjendi) — dhe në mënyrë të tërthortë, e tregjeve të këmbimit valutor — në Arabinë paraislame është një fakt historik. Marrëveshjet e këmbimit përfshinin transaksione dinar-dinar, dirhem-dirhem dhe dinar-dirhem. Këto dinarë dhe dirhemë ishin monedha me përmbajtje të plotë metali të çmuar (ari apo argjend), por nuk ekzistonte një standard universal për peshën apo vlerën nominale të tyre, pasi ato prodhoheshin nga autoritete të ndryshme shtetërore. Për më tepër, mungesa e saktësisë në prodhim bënte që edhe dy monedha të njëjtit lloj nga i njëjti shtet të kishin ndonjë ndryshim të vogël në peshë.
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) urdhëroi që këmbimi i arit për ar (dinar për dinar) dhe i argjendit për argjend (dirhem për dirhem) të bëhej në bazë të peshës, jo duke i numëruar.
Një nga domethëniet e qarta të këtij urdhri ishte përputhja e praktikave tregtare me rregullat kuranore mbi ndalimin e interesit. Një përfundim tjetër, ndoshta më pak i theksuar, por po aq i rëndësishëm, lidhet me vlerën e vetë monedhës kundrejt vlerës së saj relative (në raport me fuqinë blerëse ndaj mallrave të tjera). Vlera e një monedhe të plotë prej ari apo argjendi përcaktohej nga pesha e metaleve që përmbante, pavarësisht nga emërtimi i saj. Në transaksionet e tipit ar për argjend (dinarë për dirhemë), Profeti (paqja qoftë mbi të) lejoi që shkëmbimi dorë më dorë të bëhej ose në bazë të peshës ose të numrit të monedhave.
Është tepër e rëndësishme të theksohet se Profeti (paqja qoftë mbi të) e ndaloi qartë dhe prerë blerjen dhe shitjen me pagesë të vonuar në të gjitha rastet e përmendura më parë. Detajet e këtyre rregullave gjenden në jurisprudencën islame (fikh), nën kapitullin e ahkam al-sarf (rregullat e këmbimit valutor). Çfarë përfundimesh mund të nxirren nga këto parime për këmbimin e rupive pakistaneze me dollarë amerikanë?
Në kohët moderne, dollari dhe rupia luajnë të njëjtën rol bazë që kishin dirhemët dhe dinarët në epokën e hershme islame: mjet shkëmbimi. Rupi përdoret në Pakistan si një njësi për të matur dhe shkëmbyer vlera mallrash dhe shërbimesh; dollarët kryejnë të njëjtën funksion në SHBA. Të dyja monedhat pranohen përgjithësisht në vendet e tyre përkatëse. Megjithatë, kjo pranueshmëri vjen jo nga ndonjë vlerë e brendshme e letrës në të cilën janë shtypur, por nga fuqia ligjore që qëndron pas tyre. Në mënyrë të tërthortë, si rupitë ashtu edhe dollarët veprojnë edhe si ruajtës vlerash, pasi përfaqësojnë fuqi për të komanduar burime në ekonomitë përkatëse.
Në këtë kuptim, pozita teknike e një dollari përballë një rupie është e ngjashme me marrëdhënien midis dy mallrave të ndryshëm apo midis një dirhemi dhe një dinari. Me fjalë të tjera, rupitë dhe dollarët mund të shkëmbehen me njëri-tjetrin, ashtu siç ndodhte dikur me dinarët dhe dirhemët. Por këtu përfundon ngjashmëria. Ndryshe nga shkëmbimet dinar-dinar, dirhem-dirhem apo dinar-dirhem në kohën e hershme islame, shkëmbimi dollar-rupi bëhet me numërim, sipas një kursi të përcaktuar nga tregu i këmbimit valutor. Kjo mënyrë e re kërkon rishqyrtim të kujdesshëm në dritën e ahkamit të sarrf-it (rregullat islame të këmbimit), duke marrë parasysh natyrën e dinarëve dhe dirhemëve dhe qëllimin e ndalimit të transaksioneve me afat për këto monedha.
Shembull nga e kaluara:
Le të imagjinojmë një shkëmbim dirhem-dinar 1400 vjet më parë. Një person X kishte 100 dinarë dhe kërkonte të blinte dirhemë. Një person tjetër, Y, kishte një shumë dirhemësh në dorë. Për shkak të mungesës së saktësisë në prodhimin e monedhave, çdo dy dirhemë të Y mund të kishin pak ndryshim në peshë, dhe e njëjta gjë vlente për dinarët e X.
Kur X i afrohej Y-së për shkëmbim, secili prej tyre kishte mundësinë të vlerësonte personalisht “mallin” e tjetrit. Supozojmë se ata bien dakord të shkëmbejnë 100 dinarë me 500 dirhemë në vend, me një kurs 5:1. Nga pikëpamja islame, ky transaksion është i lejueshëm. Por çfarë ndodhi në terma “vlere”?
Kur X pranoi të merrte 500 dirhemë menjëherë në këmbim të 100 dinarëve të tij, nga këndvështrimi i Sheriatit, ai po pranonte vlerën (në terma peshe) që përmbanin ato 500 dirhemë. Kështu, pesha e atyre 500 dirhemëve bëhej pretendimi i njohur nga Sheriati për X-in në argjend. Por nëse pagesa do të shtyhej për më vonë, vlera e “500” dirhemëve (në peshë argjendi) që X do të merrte më vonë mund të ishte e ndryshme nga ajo e 500 dirhemëve të rënë dakord fillimisht. Me fjalë të tjera, X mund të përfundonte duke marrë më shumë ose më pak se sa i takonte. Teknikisht, një mospërputhje e tillë do të konsiderohej interes!
Tani le të supozojmë se dirhemët nuk ishin të pranishëm në momentin fillestar dhe u propozua një shitje me afat nga Y — një blerje me afat nga këndvështrimi i X — me të njëjtin kurs 5:1. Në këtë rast, pretendimi i X-it do të ishte i paqartë në terma të vlerës së brendshme dhe kontrata do të ishte e papranueshme për shkak të ghararrit. Në këtë rast nuk do të bëhej fjalë për interes, por për gharar (pasiguri). Por a vlejnë argumentet e interesit dhe ghararrit edhe për shkëmbimet ndërmjet rupive dhe dollarëve?
Ndryshe nga dinarët dhe dirhemët në kohën e Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe Kalifëve të Drejtë, sot rupitë dhe dollarët janë thjesht kartëmonedha. Ato përfaqësojnë mjete për shkëmbimin e të drejtave të pronësisë mbi mallrat dhe shërbimet në ekonomitë përkatëse. As më shumë, as më pak. “Vlera” e një grupi kartëmonedhash përcaktohet nga shuma e tyre numerike. Çështja e mospërputhjes midis dy rupive në një moment në kohë, apo ndërkohë, nuk ka kuptim sot. Nga pikëpamja e karakteristikave të tyre, këto janë të vërtetat:
Çdo dy kartëmonedha një-rupie me numra serialë të ndryshëm, por të emetuara në të njëjtën datë, janë identike. Po ashtu, një kartëmonedhë një-rupie e emetuar më 3 korrik 1961 është e njëjtë me një të tillë të emetuar më 29 qershor 1992. E njëjta gjë vlen për dollarët. Kështu, nëse X pranon të shesë 100 dollarët e tij për 500 rupitë e Y-së dhe pagesa shtyhet nga ana e Y-së, X gjithsesi do të marrë — dhe Y do të japë — të njëjtat 500 rupi (në numërim). Tani pamja është e qartë.
Rupitë dhe dollarët e sotëm nuk hyjnë në fushën e ahkamit të sarrf për dy arsye:
- Rregullat e këmbimit valutor zbatohen për ato para që kanë “vlerë të brendshme” të përcaktuar në njësi kardinale — si peshë në rastin e dinarëve prej ari dhe dirhemëve prej argjendi. Sot, rupitë dhe dollarët i përkasin një kategorie krejt tjetër. Ata nuk kanë vlerë të brendshme në njësi peshe; mund të shkëmbehen vetëm sipas numrit — një masë rendore (ordinal).
- Ndryshe nga dinarët dhe dirhemët origjinalë, nuk ekziston rreziku i ndryshimit të vlerës së brendshme të shumës së shtyrë për pagesë, qoftë në rupi apo dollar. Kështu, tregtia me afat (forward) e rupive dhe dollarëve (me kurse të paracaktuara) është në përputhje me rregullat e Sheriatit për inyeresin dhe ghararr-in (pasigurin), që janë qëllimi kryesor i rregullave të këmbimit valutor.
Për ta ripohuar këtë përfundim, mund të marrim parasysh këtë mundësi: huadhënia e dinarëve dhe dirhemëve sipas numrit nuk ishte e ndaluar; por në këtë rast, huadhënësi dhe huamarrësi duheshin ta mbyllnin marrëveshjen me të njëjtin numër monedhash. Pra, mund të imagjinojmë që Y merr hua 500 dirhemë nga Z dhe X merr 500 dirhemë nga Y për 100 dinarët e tij në një shkëmbim të menjëhershëm. Ky rregullim i shërben të njëjtit qëllim si transaksioni me afat midis X dhe Y. Megjithatë, tani Y do të jetë borxhli ndaj Z-së, jo ndaj X-it. Dhe në momentin e shlyerjes së borxhit, Y duhet të ketë 500 dirhemë — jo 100 dinarët që mori nga X. Mund të ketë pasoja ekonomike për Y-në, por nga pikëpamja e Sheriatit për interesin apo këmbimin valutor, nuk ka asgjë të gabuar në këtë marrëveshje.
Duke u bazuar në të gjitha këto pika, arrijmë në përfundimin se nuk ka problem me konceptet themelore të tregjeve të këmbimit valutor me pagesë të menjëhershme (spot) dhe me pagesë të ardhshme (forward) për rupitë, dollarët dhe monedhat e tjera të sotme. Natyrisht, transaksionet me pagesë të ardhshme duhet të jenë plotësisht në përputhje me rregullat që rregullojnë transaksionet me kredi, siç përcaktohen në ajetin 282 të Surah al-Bakarah, si dhe në hadithet për bai muaxhxhal (shitje me pagesë të vonuar) dhe bai salam (shitje me pagesë të plotë për dorëzim në të ardhmen). Këto përfshijnë, ndër të tjera, shkëmbimin e një monedhe me një tjetër në një kurs që palët bien dakord në momentin e finalizimit të marrëveshjes. Megjithatë, këto përfundime nuk e bëjnë të ligjshme pa kushte çdo transaksion të tregtisë së ardhshme valutore. Vlera përfundimtare do të varet edhe nga fakti nëse transaksioni i caktuar me pagesë të ardhshme është i lirë nga çdo element tjetër që mund të mbështesë interesin dhe spekulimin.











