Hyrja në fuqi e kontratës së qirasë

Ndryshe nga kontrata e shitjes, marrëveshja e ixharah mund të hyjë në fuqi për një datë të ardhshme. Pra, ndërsa shitja e ardhshme nuk lejohet në sheriat, një ‘ixharah’ për një datë të ardhshme lejohet, me kusht që qiraja të paguhet vetëm pasi pasuria e dhënë me qira t’i dorëzohet qiramarrësit.

Në shumicën e rasteve të ‘qirasë financiare’, qiradhënësi, pra institucioni financiar, e blen pasurinë nëpërmjet vetë qiramarrësit. Qiramarrësi blen pasurinë në emër të qiradhënësit, i cili paguan çmimin e saj tek furnizuesi, ose drejtpërdrejt ose përmes qiramarrësit. Në disa marrëveshje qiraje, qiraja fillon ditën kur qiradhënësi ka paguar çmimin, pavarësisht nëse qiramarrësi e ka kryer pagesën tek furnizuesi dhe ka marrë dorëzimin e pasurisë apo jo. Kjo mund të nënkuptojë që detyrimi i qiramarrësit për të paguar qiranë fillon përpara se ai të marrë dorëzimin e pasurisë. Kjo nuk lejohet në sheriat, sepse barazohet me tarifimin e qirasë mbi paratë e dhëna klientit, që është asgjë tjetër veçse kamatë,e thjesht dhe e pastër.

Mënyra e saktë, sipas sheriatit, është që qiraja të fillojë të tarifohet vetëm pasi qiramarrësi ta ketë marrë dorëzimin e pasurisë dhe jo nga dita kur çmimi është paguar. Nëse furnizuesi vonon dorëzimin pasi ka marrë pagesën e plotë, qiramarrësi nuk duhet të jetë përgjegjës për qiranë gjatë periudhës së vonesës.

Artikulli paraprakIxharah si një mënyrë e financimit
Artikulli tjetërQiraja kryesore