Zbritja për pagesën e parakohshme

Ndonjëherë debitori dëshiron të paguajë më herët sesa data e përcaktuar. Në këtë rast, ai dëshiron të përfitojë një zbritje nga çmimi i dakorduar me pagesë të vonuar. A është e lejueshme që t’i jepet atij një zbritje për pagesën e parakoheshme? Kjo çështje është diskutuar në detaje nga juristët klasikë. Në literaturën juridike islame, ky problem njihet si: “jep zbritje dhe merr më shpejt”. Disa juristë të hershëm e kanë konsideruar këtë marrëveshje si të lejueshme, por shumica e juristëve myslimanë, përfshirë katër shkollat e njohura të jurisprudencës islame, nuk e lejojnë atë nëse zbritja kushtëzohet me pagesën e parakoheshme.

Qëndrimi i atyre që e lejojnë këtë marrëveshje bazohet në një hadith ku thuhet se Abdullah ibn Abbasi ka thënë se kur çifutët e fisit Benu Nadir u dëbuan nga Medina (për shkak të komploteve të tyre), disa njerëz shkuan te Profeti i (paqja qoftë mbi të) dhe i thanë: “Ju keni urdhëruar dëbimin e tyre, por disa njerëz u kanë atyre borxhe që ende nuk kanë arritur afatin e shlyerjes.” Atëherë Profeti (paqja qoftë mbi të) u tha atyre (pra, çifutëve që ishin kreditorë):

“Jepni zbritje dhe merrni (borxhet tuaja) më shpejt.”

Megjithatë, shumica e juristëve myslimanë nuk e pranojnë këtë hadith si autentik. Madje, edhe Imam el-Bejhekiu, i cili e ka transmetuar këtë hadith në librin e tij, ka pranuar shprehimisht se është një transmetim i dobët.

Edhe nëse hadithi do të pranohej si autentik, dëbimi i fisit Banu Nadir ndodhi në vitin e dytë pas hixhretit, kur ribaja (kamata) ende nuk ishte e ndaluar.

Për më tepër, el-Vekidi ka përmendur se Benu Nadir zakonisht jepnin hua me kamatë. Prandaj, marrëveshja e lejuar nga Profeti (paqja qoftë mbi të) ishte që kreditorët të hiqnin dorë nga kamata dhe debitorët të paguanin principalin më herët. El-Vakidi ka transmetuar se Selam ibn Ebi Hukaik, një çifut i fisit Banu Nadir, i kishte dhënë hua 80 dinarë Usaid ibn Hudajrit, të pagueshme pas një viti me një shtesë prej 40 dinarësh. Kështu, Usaid i kishte borxh atij 120 dinarë pas një viti. Pas kësaj marrëveshjeje, ai pagoi vetëm shumën kryesore prej 80 dinarësh dhe Selam hoqi dorë nga pjesa tjetër.

Për këto arsye, shumica e juristëve mbajnë qëndrimin se nëse pagesa e parakoheshme kushtëzohet me zbritje, nuk është e lejueshme. Megjithatë, nëse kjo nuk vendoset si një kusht për pagesën e parakoheshme dhe kreditori jep zbritje vullnetarisht, atëherë është e lejueshme.

Të njëjtin qëndrim mban edhe Akademia e Fikhut Islam në sesionin e saj vjetor.

Kjo do të thotë se në një transaksion murabahah të kryer nga një bankë islame ose institucion financiar, një zbritje e tillë nuk mund të përfshihet në marrëveshje, dhe klienti nuk mund ta kërkojë atë si një të drejtë. Megjithatë, nëse banka ose institucioni financiar i jep atij një zbritje me dëshirën e saj, kjo nuk është e papranueshme, veçanërisht kur klienti është një person në nevojë. Për shembull, nëse një fermer i varfër ka blerë një traktor ose mjete bujqësore në bazë të murabahah, banka duhet t’i ofrojë atij një zbritje vullnetare.

Artikulli paraprakRiplanifikimi i Pagesave
Artikulli tjetërRoll Over në murabahah