Dënimi për mospërmbushje të detyrimeve 

Nëse nga debitorët që nuk paguajnë nuk kërkohet asnjë tarifë, kjo mund të shërbejë si një nxitje më e madhe për një person të pandershëm që të mos paguajë vazhdimisht. Pyetja që lind tani është: si mund ta zgjidhin këtë problem bankat dhe institucionet financiare? Ja përgjigja për këtë pyetje: 

Ne tashmë kemi përmendur se zgjidhja e vërtetë për këtë problem është zhvillimi i një sistemi ku debitorët që nuk paguajnë ndëshkohen duke u privuar nga mundësia për të përfituar shërbime financiare në të ardhmen. Megjithatë, siç është komentuar më herët, kjo mund të ndodhë vetëm nëse i gjithë sistemi bankar bazohet në parimet islame ose nëse bankat islame mbrohen nga debitorët që nuk paguajnë. Prandaj, derisa të arrihet ky objektiv, mund të nevojiten disa alternativa të tjera. 

Për këtë qëllim, është sugjeruar që klienti, kur hyn në një transaksion murabahah, të angazhohet që nëse nuk paguan në datën e caktuar, ai do të paguajë një shumë të caktuar në një fond bamirësie të administruar nga banka. Duhet të sigurohet që asnjë pjesë e kësaj shume të mos përbëjë të ardhura për bankën. Megjithatë, banka mund të krijojë një fond bamirësie për këtë qëllim dhe të gjitha shumat e depozituara në të duhet të përdoren ekskluzivisht për qëllime bamirësie të miratuara nga sheriati. Banka gjithashtu mund të japë hua pa interes për njerëzit në nevojë nga ky fond bamirësie. 

Ky propozim bazohet në një vendim të disa juristëve maliki të cilet  thonë se nëse një debitor kërkohet të paguajë një shumë shtesë në rast vonese, kjo nuk lejohet sipas sheriatit, sepse përbën një formë të kamatës. Megjithatë, për të siguruar kreditorin për një pagesë të shpejtë, debitori mund të angazhohet të dhurojë një shumë për bamirësi në rast mospagimi. Në fakt, ky është një lloj betimi i cili është një ndëshkim i vetëvendosur për të shmangur vonesën në pagesë. Zakonisht, betime të tilla krijojnë një detyrim moral ose fetar dhe nuk mund të zbatohen përmes gjykatave. Megjithatë, disa juristë malikij e lejojnë që ky detyrim të bëhet i zbatueshëm ligjërisht, dhe nuk ka asgjë në kuranin e shenjtë ose në sunetin e profetit (paqja qoftë mbi të) që e ndalon këtë praktikë. Prandaj, në raste nevoje, ky mendim mund të ndiqet. Por, gjatë zbatimit të këtij propozimi, duhet pasur parasysh pikat e mëposhtme: 

  1. Ky propozim synon vetëm të ushtrojë presion mbi debitorët që të paguajnë në kohë dhe jo të rrisë të ardhurat e kreditorit/financierit, as ta kompensojë atë për humbjen e mundësive financiare. Prandaj, duhet të sigurohet që asnjë pjesë e dënimit të mos shkojë si e ardhur për bankën dhe të mos përdoret për të paguar taksa ose për të shlyer ndonjë detyrim të financierit. 
  1. Meqë shuma e dënimit nuk i takon financierit si e ardhur, por shkon për bamirësi, ajo mund të jetë çdo shumë që debitori e pranon vullnetarisht. Mund të përcaktohet edhe në përqindje vjetore. Prandaj, kjo mund të shërbejë si një mjet i vërtetë për të dekurajuar mospagimin e qëllimshëm, ndryshe nga sugjerimi i mëparshëm për kompensim, i cili, siç u shpjegua më herët, mund të inkurajojë vonesat në pagesë. 
  1. Meqenëse dënimi i marrë përsipër nga klienti është fillimisht një betim i vetëvendosur dhe jo një ndëshkim i vendosur nga financieri, marrëveshja duhet të pasqyrojë këtë koncept. Prandaj, formulimi i duhur i klauzolës së mospërmbushjes së detyrimeve do të ishte si më poshtë: 

“Klienti merr përsipër që, nëse nuk paguan ndonjë nga detyrimet e tij sipas kësaj marrëveshjeje, ai do të paguajë në llogarinë/fondin bamirës të mbajtur nga banka/financieri një shumë të llogaritur me bazë …% në vit për çdo ditë vonesë, përveç nëse ai dëshmon me prova të pranueshme për bankën/financierin se mos-pagesa e tij në datën e duhur është shkaktuar nga varfëria ose faktorë të tjerë jashtë kontrollit të tij.” 

  1. Duke qenë një betim për një akt bamirëse, fillimisht ishte e lejueshme që klienti të jepte shumën e përcaktuar për çdo bamirësi sipas zgjedhjes së tij, por për të siguruar që ai do të paguajë, llogaria ose fondi bamirës i mbajtur nga financieri/banka është specifikuar në këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje specifike nuk shkel asnjë parim të sheriatit. Megjithatë, është e nevojshme që banka ose institucioni financiar të mbajë një fond të veçantë ose të paktën një llogari të veçantë për këtë qëllim dhe shumat e depozituara në këtë llogari duhet të përdoren vetëm për bamirësi të përcaktuara qartë dhe të njohura nga klienti/debitori. 

Ky propozim është zbatuar me sukses tashmë në një numër të madh institucionesh financiare islame.

Artikulli paraprakBai muexhxhel – shitja me pagesë të shtyrë