Përllogaritja e kostos në murabahah 

Është përmendur tashmë se transaksioni i murabahah përfshin konceptin e shitjes me kosto plus fitim, prandaj ai mund të kryhet vetëm kur shitësi mund të përcaktojë saktësisht koston që ka pasur për të siguruar mallin që dëshiron të shesë. Nëse kostoja e saktë nuk mund të përcaktohet, nuk mund të ketë murabahah. Në këtë rast, shitja duhet të kryhet mbi bazën e musavamah (dmth. shitje pa referencë ndaj kostos).

Ky parim çon në një tjetër rregull: transaksioni i murabahah duhet të bazohet në të njëjtën monedhë në të cilën shitësi e ka blerë mallin nga furnizuesi origjinal. Nëse shitësi e ka blerë me rupi pakistaneze, shitja e mëtejshme te blerësi përfundimtar duhet të kryhet gjithashtu në rupi pakistaneze, dhe nëse blerja e parë është bërë në dollarë amerikanë, çmimi i murabahah duhet të bazohet gjithashtu në dollarë, në mënyrë që të përcaktohet saktësisht kostoja.

Megjithatë, në rastin e tregtisë ndërkombëtare, mund të jetë e vështirë të bazohen të dyja blerjet në të njëjtën monedhë. Nëse malli që synohet t’i shitet klientit është importuar nga një vend i huaj, ndërsa blerësi përfundimtar është në Pakistan, çmimi i shitjes origjinale duhet të paguhet në një monedhë të huaj dhe çmimi i shitjes së dytë do të përcaktohet në rupi pakistaneze.

Kjo situatë mund të menaxhohet në dy mënyra. Së pari, nëse blerësi përfundimtar pranon dhe ligjet e vendit e lejojnë, çmimi i shitjes së dytë mund të përcaktohet gjithashtu në dollarë.

Së dyti, nëse shitësi e ka blerë mallin duke konvertuar rupi pakistaneze në dollarë, shuma e saktë e rupive të paguara nga shitësi për t’i konvertuar ato në dollarë mund të merret si çmimi i kostos, dhe fitimi i murabahah mund të shtohet mbi këtë shumë.

Në disa raste, banka blen mallin nga jashtë me një çmim qe paguhet pas tre muajsh ose në këste të ndryshme dhe ia shet mallin klientit të saj përpara se të ketë paguar të gjithë çmimin tek furnizuesi. Meqenëse pagesa bëhet në dollarë, ekuivalenti i saj në rupi pakistaneze nuk dihet në momentin kur malli shitet tek klienti. Për shkak të luhatjeve në kursin e dollarit kundrejt rupisë pakistaneze, ka mundesi që banka të paguajë më shumë nga sa kishte parashikuar në momentin e shitjes me murabahah. Për shembull, kursi i dollarit amerikan në momentin e murabahah ishte 40 rupi për një dollar. Çmimi i murabahah u përcaktua sipas këtij kursi, por kur banka i pagoi çmimin furnizuesit, kursi i dollarit u rrit në 41 rupi për një dollar, që do të thotë se kostoja e bankës u rrit me 2.5%. Për të përballuar këtë situatë, disa institucione financiare vendosin një kusht në marrëveshjen e murabahah që, në rast të një luhatjeje të tillë të kurseve të këmbimit, klienti do të mbulojë koston shtesë. Sipas juristëve klasikë myslimanë, murabahah e bazuar në këtë kusht nuk është e vlefshme, sepse çon në pasiguri të çmimit në kohën e shitjes. Një pasiguri e tillë vazhdon deri në një datë pas tre muajsh, kur blerësi paguan realisht çmimin te furnizuesi. Kjo pasiguri e bën transaksionin të pavlefshëm.

Prandaj, bankës i mbeten opsionet e mëposhtme për këtë çështje:

(a) Banka duhet ta blejë mallin mbi bazën e një L/C ‘letra kredie’ (letter of credit) me pagesë të menjëhershme dhe ta paguajë çmimin furnizuesit përpara se të kryejë shitjen me klientin. Në këtë rast, nuk do të ketë problem me luhatjet e kursit të këmbimit dhe çmimi i murabahah mund të përcaktohet bazuar në kursin e tregut të dollarit në datën kur banka ka paguar çmimin tek furnizuesi.

(b) Banka mund të përcaktojë çmimin e murabahah në dollarë amerikanë në vend të rupive pakistaneze, në mënyrë që çmimi i shtyrë i murabahah të paguhet nga klienti në dollarë. Në këtë rast, banka do të ketë të drejtë të marrë dollarë nga klienti dhe rreziku i luhatjes së çmimit të dollarit do të bjerë mbi blerësin.

(c) Në vend të murabahah, marrëveshja mund të bëhet mbi bazën e musavamah (shitje pa referencë ndaj kostos së shitësit) dhe çmimi mund të caktohet në mënyrë që të mbulojë luhatjet e parashikuara të kursit të këmbimit.

Artikulli paraprakÇmimi për shitjet me para të gatshme dhe me kredi