Dixhitalizimi dhe mënyrat e reja të punës duhej të nxisnin rritjen e produktivitetit. Çfarë shkoi keq, shkruan The Economist.
Vështirësitë dhe mundimet e viteve të pandemisë, patën një avantazh. Në fund të vitit 2020, me miratimin e vaksinave kundër Covid-19 dhe në vitin 2021, teksa vaksinat bënë efektin e tyre, tekno-optimizmi nisi të përhapej.
Nëse njerëzit mund të krijonin brenda pak muajve vaksina që shpëtojnë jetë, pse nuk mund të dilte bota nga gjumi i thellë i rritjes dhe produktivitetit të ulët?
Firmat mund të përqafonin dixhitalizimin si kurrë më parë; puna nga shtëpia mund t’i lejonte njerëzit të punonin në mënyrë më efektive, larg nga thashethemet e zyrave dhe duke shmangur udhëtimet e gjata në punë; shumë shpejt mendohej se do të kishte vaksina për çdo lloj sëmundjeje. Qeveritë premtuan të shpenzonin shumë para për kërkime shkencore; kompanitë hartuan plane për kërkim dhe zhvillim.
Në vitet para pandemisë, ritmi i rritjes në vendet e pasura, ishte ngadalësuar në mënyrë drastike. Në vitet 2010, produktiviteti i punës në SHBA (prodhimi për orë pune), u rrit sa gjysma e ritmit të dekadës së mëparshme. Shoqëritë nuk ishin më aq produktive në gjetjen e ideve të reja, përkthimin e tyre në risi dhe përhapjen e këtyre risive.
Libri “The Rise and Fall of American Growth” (Ngritja dhe rënia e rritjes amerikane), shkruar nga Robert Gordon, botuar në vitin 2016, argumentoi se po bëheshin më pak zbulime që ndryshonin jetët e njerëzve. Në fillim të vitit 2020, një studim nga American Economic Review, zbuloi se idetë e reja po pakësoheshin.
Mundësia që kjo dinamikë të kishte ndryshuar, ishte tërheqëse, sidomos ngaqë tregonte se të paktën, do të vinte një gjë e mirë nga pandemia.
Rritja e produktivitetit është nxitësi kryesor i pagave reale më të larta. Me zgjerimin e ofertës, inflacioni do të ishte një problem më i vogël.
Dhe risitë do të përmirësonin jetën e njerëzve në mënyra që nuk përfshihen në të dhënat ekonomike. Por analiza jonë del në një përfundim shqetësues. Deri tani, ka pak shenja që tregojnë se ekonomia globale po bëhet më produktive.
Të dhënat e publikuara në frekuenca më të larta, mbështesin idenë se rritja e produktivitetit mbetet e dobët. Një tregues global i menaxherëve të blerjeve (PMI) i përpiluar nga Banka JPMorgan Chase, anketon shefat për gjendjen e ekonomisë në tërësi dhe për biznesin e tyre.
Një tregues për produktivitetin që rrjedh nga PMI, të cilin e llogarisim, duke zbritur komponentin e punësimit të indeksit nga komponenti i prodhimit, në muajt e fundit ka rënë. Rezultate të ngjashme gjejmë kur aplikojmë të njëjtën metodologji për një tregues në kohë reale të aktivitetit ekonomik, të publikuar nga banka Goldman Sachs (shih grafikun 2).
Pse lulëzimi i produktivitetit nuk ka arritur të materializohet? Optimistët theksojnë se shpenzimet për investime janë me të vërtetë të mëdha, siç parashikohej, por shtojnë se përfitimet do të ndihen më ngadalë.
Shpesh ka një vonesë prej tre deri në pesë vjetësh, midis investimeve më të larta të biznesit dhe rritjes së produktivitetit.
Hulumtimi i ri nga Jason Draho në bankën UBS, arrin në përfundimin se “duke filluar nga viti 2024, pjesa tjetër e kësaj dekade mund t’i ngjajë më tepër gjysmës së dytë të viteve 1990, sesa gjysmës së dytë të viteve 1970”. Megjithatë, ka tre arsye për t’u shqetësuar se lulëzimi i inovacionit pandemik, mund të mos ndodhë kurrë.
E para ka të bëjë me investimet. Firmat nuk shpenzojnë domosdoshmërisht për gjëra që rrisin produktivitetin. Në muajt e fundit, ndërkohë që klientët përballen me raftet bosh nëpër dyqane, shumë kompani janë përpjekur të zgjerojnë dhe të mbrojnë zinxhirët e furnizimit.
Kjo përmirëson elasticitetin, por duke krijuar tepricë, rrit edhe kostot. Shumë firma po krijojnë edhe inventarë, ose rezerva të lëndëve të para dhe mallrave të gatshme. Shpenzime të tilla llogariten në investime, por nuk kanë ndikim në produktivitet. Në Gjermani, në fund të vitit 2021, grumbulli i inventarëve përbënte 9% të investimit total.
Menaxhimi afatshkurtër i krizës ka marrë përparësi ndaj inovacionit afatgjatë. Në Amerikë, shpenzimet në kërkim dhe zhvillim mbeten të larta, por llogaritja jonë për 31 vende tregon se shpenzimet e përgjithshme të vendeve të pasura për “produktet e pronësisë intelektuale” arrijnë në rreth 3 trilionë dollarë në vit – nën prirjen para pandemike.
Nuk ka shumë dëshmi që tregojnë se do të ketë një bum në zbulimet e reja dhe përdorimin e teknologjisë. Në vitin 2020, ekonomistët folën me entuziazëm për valën e ardhshme të automatizimit, pasi kompanitë investuan në inteligjencën artificiale dhe mësimin e makinerive. Por importet amerikane të robotëve, në terma realë, nuk janë më të larta se para pandemisë.
Faktori i dytë lidhet me punën nga shtëpia. Sa hap e mbyll sytë, pjesa më e madhe e vendeve të pasura, kryen zhvendosjen e punës, nga zyra në tryezën e kuzhinës. Shumë kanë vazhduar në këtë mënyrë: një e treta e ditëve të punës me pagesë të plotë në Amerikë, kryhen tani nga shtëpia.
Kjo është e mirë për ekuilibrin punë-jetë. Por parashikimet se do t’i ndihmonte njerëzit të punonin në mënyrë më efikase, siç kishin treguar studimet para pandemisë, janë ende të paprovuara.
Një studim i kohëve të fundit i ekonomistëve në Amerikë dhe Europë, zbuloi se ata ishin “të pasigurt për ndikimin afatgjatë në produktivitet”. Në shtëpi, njerëzit mund të jenë në gjendje të përqendrohen më shumë në “punën e thellë”, por kanë gjithashtu mundësi të kalojnë më shumë kohë duke nxjerrë shëtitje qenin.
Në të vërtetë, në disa raste, pandemia ka sjellë joefikasitet – dhe ky është faktori i tretë. Kompanitë ende po shpenzojnë për pastrim shtesë dhe masa të tjera për t’i bërë njerëzit të ndihen më të sigurt, gjë që nuk ndihmon në rritjen e përfitimeve.
Ndërkohë që valët e Covid-19 vazhdojnë, punëtorët po marrin më shumë ditë leje nga puna. Në fillim të verës, 4 milionë amerikanë thanë se nuk po punonin ngaqë ishin sëmurë ose po kujdeseshin për dikë të sëmurë, sipas një sondazhi zyrtar. Në Britani, ndërsa njerëzit u kthyen në zyrë vitin e kaluar, pjesa e orëve të punës të humbura nga sëmundjet, u rrit.
Ndoshta do të vijë koha kur vendet e pasura do të gëzojnë bumin e shumëpritur të produktivitetit. Por, duke u përshtatur me paqëndrueshmërinë e ekonomisë pandemike, zotërinjtë Gordon dhe Sayed “nuk shohin perspektivë për një ripërtëritje të produktivitetit, siç ishte parashikuar më parë”.
Një numër i madh provash para pandemisë, treguan se risia ishte ngadalësuar në mënyrë drastike. Dëshira nuk mjafton për ta ndryshuar realitetin./monitor/
Comments are closed.