Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur të martën (15 nëntor) i shqetësuar nga shifrat e frikshme të braktisjes së Kosovës nga banorët e vet, duke treguar se që prej vitit 1981 kur është bërë regjistrimi i popullatës deri më sot, Kosova ka rreth 400 mijë banorë më pak.
Dhe, Kosova realisht po zbrazet nga popullsia e vet, po tkurret numerikisht dhe po mbetet gjithnjë e me më pak banorë. Por, zyrtarët e Kosovës sikur e kanë neglizhuar këtë çështje deri më sot, duke e heshtur në të shumtën e rasteve, ose duke anashkaluar goxha lehtësisht fokusin e përqëndrimit karshi problemit të rëndë dhe tashmë të bërë tronditës dhe me pasoja të shumanshme.
Më në fund një zë zyrtar i Kosovës ka shprehur publikisht shqetësimin e hidhur për zbrazjen e Kosovës nga kosovarët, për ikjen e madhe të kosovarëve, edhe ashtu numerikisht të paktë nga vendi i tyre. Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një tryezë në të cilën është diskutuar perspektiva demografike e Kosovës, është shprehur të martën (15 nëntor) i shqetësuar me evoluimin negativ të të dhënave demografike të Kosovës. Ai me këtë rast, ka shpërfaqur shifra të frikshme të braktisjes së Kosovës nga banorët e vet, duke treguar se që prej vitit 1981 kur është bërë regjistrimi i popullatës e deri më sot, Kosova ka 400 mijë banorë më pak.
“Një prej aseteve kryesore që e ka Kosova është popullata e saj, sidomos rinia. Por po ashtu duhet të jemi diçka të vetëdijshëm. Ne si me automatizëm po e themi këtë, që aseti më i rëndësishëm për Kosovën është rinia. Por duhet ta kemi në të njëjtën kohë parasysh, që Kosova për çdo vit është më pak e re dhe këtë do ta kemi në vëmendje”, ka thënë Konjufca, raportojnë mediet e vendit.
Konjufca ka thënë tutje se duhet shqetësuar për faktin që popullata e Kosovës po vjetërsohet.
“Të gjithë jemi të brengosur që ta zëmë në vitin kur kam lindur unë dhe sot, Kosova i ka 400 mijë banorë më pak. Kurse ne jemi vendi me natalitetin më të madh në Evropë. Kjo na tregon se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Kjo duhet të jetë në fokus të mobilizimit të të gjitha institucioneve tona për të bërë një plan nacional dhe gjithëpërfshirës ashtu, pra po flas për vitin 1981 kur është bërë regjistrimi i fundit e kur Kosova ka pasur përafërsisht 2 milionë banorë dhe sot në vlerësime të përafërta thuhet të jetë diku 1.6 milionë apo 1.7”, ka theksuar kreu i Kuvendit të Kosovës.
Konjufca ka thënë se po flet me këtë shqetësim, meqë s’duhet të vijë viti 2060 e të thuhet që trendi ka vazhduar dhe që Kosova ka rënë në 1.2 milionë banorë. Ai ka thënë se një gjë e tillë s’duhet të ndodhë.
Dhe, Kosova realisht po zbrazet nga popullsia e vet, po tkurret numerikisht dhe po mbetet gjithnjë e me më pak banorë. Ikja masovike e kosovarëve, ç’është e vërteta ka filluar shumë vite përpara, por zyrtarët e Kosovës, sikur e kanë neglizhuar këtë çështje duke e heshtur në të shumtën e rasteve, ose duke anashkaluar goxha lehtësisht fokusin e përqëndrimit karshi problemit të rëndë dhe tashmë i bërë tronditës dhe me pasoja të shumanshme.
Shifrat e mëhershme të bëra publike nga mediet për braktisjen e vendit nga pjesa më vitale e popullsisë dhe për tendencat e kosovarëve për të ikur një orë e më parë nga vendi dhe parashikimet se Kosova shumë shpejtë do të mbetet pa punëtorë të nevojshëm dhe të domosdoshëm në shumë veprimtari dhe lëmi të zhvillimit ekonomik, thjesht dukeshin të pabesueshme.
Ndërsa, me kalimin e javëve dhe muajve, e sidomos tani, këtyre ditëve, me publikimin e ndonjë statistike zyrtare të emigrimit, po dëshmohet se shkrimet alarmuese për ikjen e vrullshme të kosovarëve jashtë vendit të tyre nuk paskan qenë frazë boshe as alarm i rremë dhe i ekzagjeruar droja se Kosova po “tkurret” numerikisht, nga ikja e madhe e banorëve të vetë, nga braktisja e vendit të tyre nga kosovarët e shumtë dhe të moshave më vitale, pra nga të rinjtë e aftësuar dhe të shkolluar për shumë e shumë profesione. Shkuan gjatë vitit të kaluar dhe po vazhdojnë të shkojnë duke mësyrë Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, shtetet e Beneluksit, atyre skandinave, pa zgjedhur shumë dhe pa menduar edhe aq. Në rastin e parë, ku u jepet mundësia dhe ku grishën më shumë, aty i ke të rinjtë tanë, para sporteleve të ambasadave të këtyre shteteve, në pritje të një interviste, bisede apo evidentimi për vizën e premtuar dhe të ëndërruar nga ta.
Dhe tashmë, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik, ka goxha do kohë dhe muaj që ata po grishen në mënyrat më të ndryshme, më joshëse dhe më atraktive nga punëdhënësit, agjencitë përkatëse dhe sekserët e angazhuar nga pronarë të pafund të kompanive e ndërmarrjeve nga këto shtete. Po vijnë premtime legale dhe sosh jo edhe aq legale, gjithnjë e më shumë për vende të mundshme të punës, për pagat shumëfish më të leverdishme se këto këtu në Kosovën e varfër, për kushtet e tjera komode dhe tërheqëse për kosovarët që me vjet kanë pritur për një vend pune, për një pagë dhe ca kushte modeste dinjitoze pune.
Tani këto shtete kanë nevojë të madhe për punëtorë dhe për shumë profile, dhe si rrjedhojë, kriteret për përzgjedhjen e tyre, janë zbutur, madje edhe si të tilla, po përfillen dosido, sa për të thënë. Prandaj, shifrat për të ikur nga Kosova , siç e ka potencuar sot kreu i Kuvendit të Kosovës, duhet pranuar, po bëhen gjithnjë e më tronditëse dhe emigrimi vazhdon të mbetet njëri nga faktorët që ndikon më së shumti në tkurrjen e popullsisë së Kosovës.
Sipas raportit të rregullt vjetor të ASK-së, i titulluar “Vlerësimi i Popullsisë”, gjatë vitit 2021 afro 43 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën. Kjo i bie, një qytet i tërë mesatar ka braktisur Kosovën vjet.
“Emigrimi ndërkombëtar- numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thuhet në raport. “Shtimi natyror në Kosovë në vitin 2021 ishte 14,391 banorë ndërsa migrimi neto 38,606 banorë. Popullsia e Kosovës gjatë vitit 2021 u zvogëlua për 24,215 banorë”, saktëson ASK në raportin e publikuar në qershor të këtij viti.
Këto shifra të ikanakëve potencial nga Kosova, gjithsesi nuk janë të vetmet, ka edhe më shumë numra të atyre që kanë ikur dhe duan të ikin, edhe ilegalisht, edhe nëpërmjet garancioneve që ua dërgojnë të arfërmit gjithandej nga këto vende dhe të atyre që kanë viza të mëhershme dhe që vetëm përkohësisht janë kthyer në vendlindje.
Statistikat zyrtare nuk përfshijnë të gjithë numrin e kosovarëve që braktisin vendin e tyre. Sepse, për shumë prej tyre, as që dihet se kanë ikur jashtë vendit. Ata ikën pa paralajmërime, ilegalisht dhe nëpër rrugë të ndryshme. Por e keqja e madhe bëhet nga braktisja e vendit nga truri, nga kosovarët e shkolluar dhe me profesione tepër të nevojshme për Kosovën e varfër. Dhe, ka kohë, mbase edhe disa vjet që “truri” i Kosovës po e braktis vendlindjen. Po lënë vendin edhe profesori, mjeku, inxhinierët, teknikët, punëtorë të shumtë të ndërtimtarisë, muratorë, latues, instalues prej më të ndryshmëve, gastronomë me diploma dhe pa to, dhe të tjerë profilesh të ndryshme. Infermierët e shumtë nga Kosova që ka vite që kanë ikur në vendet e ndryshme perëndimore në numër të madh, janë rrëfim i veçantë dhe si i tillë duhet trajtuar.
Ka vite që dy universitete private në Kosovë kanë fakultete të infermierisë të licencuara dhe ato përgatisin infermierë për tregun perëndimor të punës. Numri enorm i tyre është lehtësisht i verifikueshëm, pasi që janë të regjistruara legalisht në këto fakultete dhe për këtë domosdo duhet të ketë statistika. Por, e ardhmja sa i përket braktisjes së vendit nga “truri”, pra nga kosovarët e shkolluar në vendin e tyre dhe për nevoja të këtij vendi, është edhe më e zymtë. Në një prononcim për mediet kosovare, duke pasqyruar trendin e largimit të mjekëve nga sektori publik dhe pasojat për sistemin shëndetësor të Kosovës, Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, thotë se brenda 5 vjetve të ardhshme do të ndihet kriza e madhe e mjekëve. Sipas tij, vetëm në 4 vjetët e fundit Kosova ka humbur mbi 650 mjekë.
“Gjatë këtij viti janë 174, të cilët janë larguar. Është një numër më i madh se sa viti i kaluar, kur kishin ikur 150 për 12 muaj, kurse në këtë 9 mujor mbi 170 dhe fatkeqësisht i afrohet numrit 200 nëse ky trend vazhdon. Në momentin kur bëhet liberalizimi i vizave, ky numër do të jetë shumë më i madh, sepse kontakti do të jetë shumë më i lehtë i mjekëve të interesuar nga Kosova dhe punëmarrësve të cilët janë të shumtë, në Gjermani sidomos”, tha ai.
Ndërsa, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së përmes një komunikate për media ka thënë se është duke e përcjellë me shqetësim të madh ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga QKUK-ja, e në veçanti të infermierëve. Sipas sindikalistëve shëndetësorë, në përgatitje për largim gjatë vitit 2023 janë edhe rreth 1500 infermierë.
“Janë pikërisht infermierët e Mjekimit Intensiv, Teknikët e Anestezionit, instrumentarët, infermierët e Qendrës Emergjente, ndërsa në përgjithësi infermierët kualitativ dhe me eksperiencë, ata që po targetohen dhe rekrutohen nga punëdhënësit e huaj, ndërsa ikja e tyre do t’i vendoste para kolapsit total secilën nga këto klinika të lartpërmendura, pasi janë pikërisht këta profesionistë që i mbajnë këto klinika pavarësisht mungesës së mjekëve”, thuhet në njoftimin e sindikalistëve.
Duhet thënë se si punëtorët e profileve më pak të shkolluara, si ata që kanë shkollim të lartë, po e lënë Kosovën për një jetë më të mirë, më të dinjitetshme, për paga më të mira dhe për kushte pune më të favorshme.
“Pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantë të ligjshëm. Emigrimi legal ishte për shkak të bashkimit familjar, martesave, gjetjes së një vendi pune, shpërnguljes së përhershme (kryesisht në shtetet fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Përveç në vende të BE-së dhe EFTA-së, një numër i kosovarëve ka emigruar edhe në vende të tjera, kryesisht në ShBA, Turqi, Kanada dhe vende të tjera”, theksohet në raportin e ASK-së.
Kontradita dhe ç’rregullimi i tregut të punës bëhet edhe më i theksueshëm kur kihet parasysh numri i madh, madje enorm i të papunëve, që janë të regjistruar në insitucionet zyrtare të punësimit në vend dhe numri edhe më i madh i atyre që për shkak të humbjes së shpresës nuk regjistrohen asnjeherë në këto institucione.
Mbi 80 mijë të papunë janë të regjistruar në Agjencinë e Punësimit në Kosovë, por bizneset vazhdojnë tashmë të ankohen për mungesë të fuqisë punëtore.
“Problemi i ikjes, sipas analizave, janë kushtet e punës dhe pagat e ulëta”, theksojnë në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.
Duhet theksuar se një nga problemet është edhe papunësia e madhe dhe vështirësitë evidente për ta gjetur një vend pune këtu. Dhe prandaj është krijuar anomalia “shumë të papunë në Kosovë dhe mungojnë punëtorët”.
Ndërsa, sipas disa prej hulumtimeve që janë bërë me qytetarët e Kosovës mbi motivet e migrimit, niveli i pagës, mundësitë e zhillimit në karrierë dhe kushtet më të mira për jetë, përmenden si shtytësit kryesor për të emigruar. Është problem për tregun e punës këtu, pra për të gjetur një punë në Kosovë, edhe përgatitja e duhur profesionale për profesione të caktuara gjatë shkollimit, theksojnë njohësit e këtyre rrethanave. Sepse në Kosovë ka një mospërputhje të kërkesave të tregut me profilet e studimeve që nga shkollat e mesme profesionale dhe universitetet.
Sipas disa prej institucioneve që në njëfarë mënyre preokupohen me mingrimet e popullsisë, janë disa industri dhe shërbime në Kosovë që rrezikojnë të mbeten pa punëtorë të kualifikuar, nëse trendi i emigrimit vazhdon. Ato janë TIK-u, kujdesi shëndetësor, gastronomia dhe ndërtimtaria. Në fakt, disa prej këtyre industrive paraqesin edhe nevojën më të madhe për punëtorë në Gjermani, Slloveni e Kroaci, ku edhe trendi i emigrimit në këto vende është më i madh.
Sido që të jetë, Konjufca sot tërhoqi vëmendjen, ndër të parët zyrtarë, për t’u vendosur fokusi i mobilizimit institucional për të bërë një plan nacional dhe gjithëpërfshirës për t’u përballur me këtë “lëngatë”, që po e vuan Kosova. Por edhe edhe disa asociacione që trajtojnë problemet e migrimet të kosovarëve, që moti kanë alarmuar se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan ose një strategji për të zvogëluar emigrimin e atyre nga profesionet që kanë deficite të fuqisë punëtore dhe produktivitet të lartë. Strategjia duhet të sjellë stimuj të ndryshëm siç janë grantet për bizneset fillestare (start-up) dhe/ose masa të tjera të politikave që do ta mbajnë fuqinë punëtore në Kosovë. Edhe Marrëveshjet e punës sezonale mund të shihen si një mundësi për profesionet ku Kosova ka shkallë të ulët të papunësisë. Diçka duhet të ndërmerret për të zbutur këtë problem, aq më parë kur po shihet se me këtë vrull të ikjeve masive dhe paralajmërimeve të panumërta për ta lënë vendin një orë e më parë, ose në çdo rast kur t’u ipet edhe mundësia më e vogël, patjetër që rrezikohet Kosova të mbesë pa krahë pune dhe pa kuadro të nevojshme, që vet i shkolloi dhe i përgatiti profesionalisht. Të mbetet pra, pa mjekë, pa infermierë, pa njerëz të aftësuar dhe të ditur në fushën e teknologjisë informative, pa latues e muratorë…Por edhe pa qindra-mijëra banorë në një të ardhme jo edhe aq të largët… /Buletini Ekonomik
Mehmet Gjata
Comments are closed.