Punimet në rrugët e Kosovës të nisura kaherë, me vonesa të pashpjegueshme dhe të pakuptueshme

Tashmë janë vonuar pabesueshëm shumë punët në autostradën Prishtinë – Gjilan, të  diskutueshme që në fillimet e ndërtimit të saj, por vonesa të mëdha dhe jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh ka edhe në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë dhe në autostradën Prishtinë-Pejë. Në të gjitha këto rrugë, pos asaj Prishtinë – Gjilan, tashmë ose është përafruar një dhjetëvjetësh, një dekadë pra, qëkur kanë filluar,të ndërtohen, ose tashmë është tejkaluar edhe dhjetëvjetshi i nisjes së punëve rreth zgjerimit të tyre.

Në disa rrugë të Kosovës, që janë arterie të rëndësishme dhe jetike të qarkullimit rrugor (të njerëzve dhe të mallrave) në vendin tonë, dhe të ndërlidhjes së qendrave të ndryshme me kryeqytetin e republikës, dhe që janë nisur kaherë të modernizohen, të zgjerohen ose të rehabilitohen,  pakuptimisht dhe pashpjegueshëm po vonohen punimet, po prolongohen afatet dhe në këtë mënyrë qarkullimi po vazhdon të mbetet i vështirësuar dhe jo në pak raste edhe i rrezikshëm. Tashmë janë vonuar pabesueshëm shumë punët në autostradën Prishtinë – Gjilan, të diskutueshme që në fillimet e zgjerimit të saj, por vonesa të mëdha dhe jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh ka edhe në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë dhe në autostradën Prishtinë-Pejë. Në të gjitha këto magjistrale, pos autostradës Prishtinë – Gjilan, tashmë ose është përafruar një dhjetëvjetësh, një dekadë pra, qëkur kanë filluar punimet, ose tashmë është tejkaluar edhe dhjetëvjetshi. Dhe, çuditërisht, për këto prolongime, zvarritje afatesh dhe zhagitje punësh, në institucionet zyrtare kompetente nuk shprehet ndonjë shqetësim, merakosje ose edhe ndonjë autokritikë rasti.

Përkundrazi, me qetësi fare dhe nonshalancë të pakuptueshme e tejkalojnë këtë problem, sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe sikur kësisoj është parashikuar të ndodhë. Nuk ka ndonjë përgjigje të pranueshme dhe të përshkruar me ndonjë të dhënë të besueshme as në Ministrinë e Infrastrukturës, as nga ministri aktual i kësaj ministrie, Liburn Aliu, i cili, së paku deri tash, as që e ka parë të nevojshme që të komunikojë me publikun, nëpërmjet medieve pra, rreth këtyre vonesave dhe prolongimeve absurde të afateve të rindërtimit të këtyre magjistraleve kaq të rëndësishme për ecuritë zhvillimore dhe shoqërore në Kosovë. Edhe në ndonjë përgjigje të kushtëzuar, si ato për pyetjet e deputeteve në Kuvendin e Kosovës, ministri Aliu, asnjëherë  nuk tha ndonjë afat të prerë për përfundimin e këtyre punëve, por gjithnjë diskutimin dhe përgjigjet e tija i ka drejtuar në fajësimin e qeverive të deritashme për dështimet dhe për finalizimin dhe përmbylljen e punimeve në këto rrugë, ose në problemet që janë paraqitur rreth shpronësimit të tokave  ku kalojnë rrugët e nisura.

Për të qenë më konkret, në këtë shkrim me pak fjalë do të bëjmë të njohura për publikun vonesat në disa autorrugë të Kosovës, qëkur janë nisur.

Sa po vonohet autostrada Prishtinë – Gjilan ?

Edhe pse pati jo pak zëra kundër nisjes së autostradës Prishtinë-Gjilan dhe sidomos kundër shtrirjes së linjës së saj dhe ngutisë për ta nisur sa më shpejtë këtë autoudhë, në fund të shkurtit të vitit 2018, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj (saktësisht më 27 shkurt 2018, pas takimit të tij me Lutfi Hazirin, kryetar i komunës së Gjilanit në atë kohë), pati deklaruar se edhe pse ka pasur kundërshtime për autostradën Prishtinë-Gjilan, punimet e ndërtimit do të fillonin brenda disa javësh. Sipas tij, kjo autorrugë do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe do ta lehtësonte lëvizjen e qytetarëve.

“Ka pasur zhurmë, por ne kemi qenë të vendosur bashkë me kryetarin (e kishte fjalën për Lutfi Hazirin) dhe bashkë me kabinetin, që ky projekt të zhvillohet dhe tanimë merr fund dhe është nënshkruar kontrata dhe fillojnë punimet. Falënderoj kryetarin e komunës, por edhe gjithë qytetarët e kësaj ane që kanë qenë këmbëngulës që ky projekt të zhvillohet dhe të jetë realitet dhe ne brenda disa javësh do të fillojmë punimet dhe mendoj që kjo anë më nuk do të ketë probleme sa i përket lëvizjes së lirë, korridoreve, lidhjeve të korridoreve dhe sidomos këto rrugë të kenë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik”, pati thanë Lekaj më 18 shkurt të 2018-s, i cili pak ditë më parë, po më 2018, kishte nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila do të kushtonte, sipas tij, 88 milionë euro në segmentin e gjatë 22.3 kilometra, të kontraktuar për ndërtim të autostradës së gjatë 47 kilometra gjithsej.

Siç dihet, kundërshtarët më të ashpër dhe më të zëshëm kundër trases së përzgjedhur dhe të përcaktuar nga Qeveria e Ramush Haradinajt, për ta ndërtuar autostradën Prishtinë-Gjilan, ishte familja Pacolli në krye me Behgjet Pacollin (atëherë ministër i Jashtëm në Qeverinë Haradinaj). Ata këmbëngulnin, se traseja e përzgjedhur anashkalon pjesën dërrmuese të Karadakut, por edhe të shumë fshatrave të Komunës së Prishtinës dhe jo vetëm, dhe si e tillë ishte e gabueshme dhe se sipas tyre, kishte edhe konotacion politik.

Sidoqoftë, autostrada nisi së ndërtuari në trasen e përcaktuar nga qeveritarët e atëhershëm dhe pikënisja nga Prishtina është dhjetëra kilometra larg kryeqytetit, për çka pati jo pak vërejtje nga publiku dhe subjektet politike.

Zëvendësministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, në një konferencë për media pati thënë se “Pal Lekaj nuk e ka prekë këtë projekt, e kemi gjetur të tenderuar. Pal Lekaj edhe Ramush Haradinaj e kanë shtyrë këtë projekt sepse kanë dashtë që edhe Anamorava të jetë pjesë. Autostrada e Gjilanit po lidhet me tri autostrada tjera”, nguli atëbotë këmbë para medieve Kadriu, duke shtuar se “është problem i Pacollit nëse largohet nga koalicioni.

Pacolli nuk u tërhoq nga koalicioni, autostrada nisi së ndërtuari sipas përzgjedhjes së Haradinajt e Pal Lekajt, dhe ajo edhe katër vjet qëkur nisën punët po vazhdon të ndërtohet, pa qenë e ditur se kur do të përfundojë dhe pa asnjë afat të bërë publik së fundi se kur do të finalizohen punët rreth kësaj autostrade, ndërtimi i së cilës po stërzgjatet, po tejkalon të gjitha parashikimet dhe afatet e përcaktuara në nismë të ndërtimit të saj.

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), kohë më parë, kanë thënë për Buletinin Ekonomik se punimet janë duke u zhvilluar në segmentet e rrugës Banullë-Bresalc në gjatësi 22.37 kilometrash dhe aktualisht është duke u punuar në gërmime, mbushje, punimin e strukturave të betonit, largimin e ujërave nga rruga, sigurimi i skarpateve dhe mureve mbrojtëse me beton dhe gabione.

Në pyetjen e Buletinit Ekonomik se sa kilometra të kësaj autostrade janë ndërtuar qëkur nisi së ndërtuari kjo autorrugë, dhe sa kanë mbetur ende të ndërtohen, zyrtarët e MMPHI-së pa saktësuar shumë, kanë thënë se “në segmentin e projektuar të autoudhës së gjatë 47 kilometra janë kontraktuar 22.37 kilometra. Në këtë pjesë të kontraktuar janë duke u zhvilluar punime në të gjitha ( 8 ) lotet e kontraktuara, në disa pjesë janë punuar edhe asfaltuar segmente të caktuara”.

Për vonesat goxha të mëdha të respektimit të afateve të deritashme të ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Gjilan, në MMPHI fajin ua vënë pengesave rreth shpronësimeve, gabimeve në projektin kryesor dhe mos pagesave të pronave me kohë si dhe buxhetit të  mangët ndër vite për këtë projekt.

Në Ministrinë e Infrastrukturës duke u përgjigjur në interesimin e Buletinit Ekonomik rreth çmimit të paraparë të ndërtimit të autostradës, më konkretisht në pyetjen se deri tani, a ka tejkalime financiare në realizimin e derikëtushëm të këtij projekti, ata kanë theksuar se “Çmimi i ndërtimit të autostradës i kontraktuar ka qenë përafërsisht 88 milionë euro. Punimet janë duke u ndërtuar sipas kontratës dhe kushteve të kontratës. Nuk ka tejkalime por bazuar në terrenin e ndryshueshëm edhe problemet me projekt, ka punë të paparapara që nuk e tejkalojnë vlerën e mundësive kontraktuale deri më 10%”.

Në këtë ministri kanë thënë se sektorët përkatës që janë të ngarkuar në Qeverinë Kurti 2, vlerësojnë se ky projekt duhet të përfundojë në bazë të kontratave që operatorët ekonomikë kanë me MMPHI-në. Po kështu, në ministri mendojnë dhe parashikojnë ta përfundojnë projektin në tërësi, ndërsa se kur mendohet të përmbyllen të gjitha punët, pra të finalizohet autostrada Prishtinë – Gjilan, në MMPHI kanë thënë shkurt se “punët do të përmbyllen pasi që të eleminohen të gjitha pengesat e sipërcekura”.

Pengesat nga shpronësimet në magjistralen Prishtinë – Pejë

Problem tjetër, shumë i mprehtë dhe tashmë goxha i koklavitur është ndërtimi i pjesës së mbetur të magjistrales Prishtinë – Pejë. Para më shumë se një viti, ndërtimi i pjesës së magjistrales nga Gllareva në Zahaç të Pejës, fare në hyrje të Pejës, diskutohej nga zyrtarët thuaja si një projekt i realizuar. Ishin siguruar mjetet e nevojshme nga BERZH-i, ishte caktuar traseja e re dhe vetëm prisnin që të fillojnë punët. Por, tani për këtë projekt, zyrtarët aktual kompetentë, deklarohen thuaja se projekti “është i parealizueshëm”.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë një diskutimi në Kuvendin e Kosovës,  ka thënë se projekti aktual i magjistrales Prishtinë-Pejë ka probleme të mëdha në shpronësime, duke shtuar madje se “janë në diskutim për rishikim të projektit”.

“Për magjistralen për Pejë, siç e dini projekti aktual me BERZH-in, ka pasur probleme të mëdha në shpronësime dhe me shumëfishim të çmimit. Jemi në rishikim të projektit dhe do të fillojmë me projektin e ri, i cili do të ketë trase tjetër. Ose do të ketë zgjerim të rrugës ekzistuese ose do të jetë trase tjetër, më e mundshmja është se do të janë te dyja”, pati thënë Aliu.

Por, ai nuk ka saktësuar ndonjë datë, as afat se kur do të bëhen këto punë rreth projekteve të reja.

13 vjet punime në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, dhe akoma nuk dihet kur do të finalizohet kjo arterje rrugore

Siç dihet, qysh në vitin 2009 kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën. Mirëpo, edhe tash pas rreth 13 vjetëve punimet rreth zgjerimit të kësaj magjistraleje, jo vetëm që nuk janë finalizuar, por askush as nga zyrtarët e pushtetit qëndror, as nga pushteti lokal nuk përcaktojnë fare ndonjë afat përfundimtar për ndërtimin e kësaj rruge. Ndërkohë, qytetarët, nga komuna e Mitrovicës dhe nga ajo e Vushtrrisë, frekuentuesit e rregullt të kësaj rruge, të mllefosur, të irrituar dhe të shqetësuar  gjuajnë “gurë e dru” në drejtim të autoriteteve zyrtare për neglizhencën e pakuptueshme, sipas tyre.

“Në kohën kur kanë filluar punimet në këtë rrugë, vetë Fatmir Limaj atëbotë ministër i Infrastrukturës së Kosovës, ka thënë se kjo rrugë kryhet deri në vjeshtë”, është shprehur për medie një qytetar nga Mitrovica, që qarkullon përditë këtë rrugë.

Ai ka rrëfyer edhe për vështirësitë, vonesat dhe peripecitë e shumta, që ka përjetuar gjatë këtyre 13 vjetëve gjatë qarkullimit nëpër këtë rrugë.

Ndërtimi i magjistrales Prishtinë-Podujevë, ’histori në vete’

Edhe ndërtimi i magjistrales Prishtinë-Podujevë, është histori e veçantë dhe shquhet për vonesa, por edhe për shumë të panjohura rreth vazhdimit të punimeve në këtë arterie, që për shkak të dendësisë së qarkullimit dhe numrit të aksidenteve, quhet në opinion edhe “magjistralja e vdekjes”. Siç dihet, punimet për zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë, kanë nisur para më shumë se gjashtë vjetëve dhe jo vetëm që nuk kanë përfunduar ende, por as që dihet se kur do të përfundojnë, apo ç’është edhe më keq, a do të përfundojnë ndonjëherë.

Deri tash, brenda këtyre 6 vjetësh janë ndërtuar, por jo edhe finalizuar, vetëm diku rreth 10 kilometra të kësaj magjistraleje. Ose, më konkretisht, deri tash kjo magjistrale është zgjeruar nga Podujeva vetëm deri afërsisht në hyje të fshatit Lluzhan. Pjesa tjetër, që është traseja dominuese prej 18 kilometrash, deri në Prishtinë, as që dihet kur do të fillojë së ndërtuari.

Ministri Liburn Aliu, në një nga seancat e mbajtura në fillim të muajit prill në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se “për pjesën e mbetur të magjistrales Prishtinë-Podujevë, pjesa nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër”.

“Pjesa e mbetur prej Prishtinës deri në Podujevë, pra nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër dhe planifikohet që të  ndahet në dy lote, e cila do të bëhet e tëra, ose për arsye financiare të fillohet me lotin e parë, e pastaj me të dytin. Pjesa e hyrjeve duhet të vazhdoj duke i vazhduar edhe shpronësimet ashtu siç janë”, ka thënë ministri Aliu, pa caktuar ndonjë datë apo afat për këto punë.

Dhe, banorët e këtyre trevave, bizneset e llapjanëve dhe udhëtarët e çdoditshëm që frekuentojnë këtë rrugë, e që janë të shumtë, vazhdojnë të vuajnë pasojat e zvarritjes së zgjerimit të kësaj rruge. Vuajnë nga vështirësitë që u dalin si pengesë e pazgjidhshme për  shkuarje-ardhjen në kryeqytet, me të cilin janë aq shumë të ndërlidhur, nga vështirësitë që u shkakton rruga tepër e ngarkuar me qarkullim për të transportuar  lëndën e parë dhe pastaj produktet nga bizneset e tyre, por edhe nga vështirësitë që ua kanë shkaktuar tash e një kohë kompanitë ndërtuese në dëmtimin e gypave të ujësjellësit, që asnjëherë më pastaj nuk i kanë riparuar.

Problem shumë i ndjeshëm nga zvarritja e zgjerimit të kësaj magjistraleje dhe rrezik permanent është edhe për nxënësit e shumë shkollave të kësaj ane kjo rrugë. Ata, qarkullimin shtëpi-shkollë dhe anasjelltas, edhe për shkak të ngarkesës tejmase të rrugës, asnjëherë nuk e kanë të sigurtë.

“Me një bager, me një lopatë dhe dy punëtorë” nuk mund të ndërtohet kjo magjistrale”, shprehet një banor i kësaj ane, duke shtuar se “mendjen gjithnjë e ka te fëmijët, që duhet të shkojnë në shkollë dhe rrezikun që u kanoset përditë atyre”.

Për vonesat goxha të mëdha të respektimit të afateve të deritashme të ndërtimit të këtyre udhëve, që janë tashmë jetike për jetën shoqërore dhe ekonomike të Kosovës, në MMPHI fajin ua vënë pengesave rreth shpronësimeve, gabimeve në projektet kryesore dhe mospagesave të pronave me kohë, përkatësisht shpronësimeve të deritashme si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këto projekte.

Por këto vështirësi, qofshin edhe fakte, kanë qenë të ditura edhe para se të fitojë bindshëm pushtetin koalicioni aktual qeveritar. Besimin dhe gjithë atë numër kolosal votash, i kanë fituar edhe në saje të premtimeve për të qenë efikas dhe rezultativ në finalizimin e projekteve rrugore të reja dhe të atyre të trashëguara nga pushtetet e mëparshme.

Prandaj, edhe llapjanët, edhe mitrovicasit e vushtrriasit, edhe pejanët dhe tërë dukagjinasit që jetojnë përgjatë magjistrales Gllarevë-Pejë, nuk rreshtin së kërkuari realizimin e premtimeve. /Mehmet Gjata/Buletini ekonomik

Artikulli paraprakPuna që përgatit më së miri CEO të suksesshëm
Artikulli tjetër3 këshilla të shitjes nga shitësit e suksesshëm