A do të ketë sivjet Kosova energji të bollshme elektrike ?!

Kosova edhe sivjet do të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të ndihet në muajt e vjeshtës dhe sidomos në stinën e dimrit, kur shtohet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, përkatësisht gjatë pikut dhe në raste kur konsumi shkon edhe në 1280-1300 megavatorë. Ç’është bërë në këta pesë muajt e sivjetshëm, në radhë të parë nga institucionet përgjegjëse dhe vendimmarrëse, që mos të na zë “gafil’ të ftohtit, që jo rrallë di të jetë i pamëshirshëm në këto vise.

Kosova nuk ka energji elektrike të mjaftueshme për nevojat e konsumit të vet, tash e një kohë të gjatë. Ky fakt është kaherë i njohur dhe i ditur edhe nga shteti, edhe nga konsumatorët. Dhe, pasojat e rënda egërsisht të shfaqura, u panë në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kur edhe Kosovën, sikundër shumicën e vendeve të botës e kaploi kriza e ashpër energjetike, reduktimet e gjata dhe shpenzimi i qindra miliona eurove për ta importuar energjinë me çmime rekorde të shtrenjta.

Kapacitetet e blloqeve të stërvjetëruara, por akoma, kushtimisht, aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dh tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5), janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë).

Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë.

Në anën tjetër, Kosova A, që nga pas lufta ka operuar me tre blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- të vjetëruar bukur shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979. Kësaj sasie të energjisë elektrike, duhet shtuar edhe diçka mbi 200 megavatorë të energjisë së rinovueshme.

Sasia e energjisë së gjelbër në këta numra është arritur pas nisjes së prodhimit në parkun e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatësh. Megjithëkëtë, Kosova prapë do të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të ndihet në muajt e vjeshtës dhe sidomos në stinën e dimrit, kur shtohet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, përkatësisht gjatë pikut dhe në raste kur konsumi shkon edhe në 1280-1300 megavatorë.

Kjo situatë elektroenergjetike e përshkruar sipër është e paraparë për rrethanat e funksionimit thuaja ideal të stabilimenteve aktuale të të gjitha blloqeve të termocentraleve kosovare. Ndërkaq, në rast të ndodhjes së ndonjë të papriture eventuale, ndonjë defekti teknik të paparashikuar, që te termocentralet e stërvjetëruara mund të ndodhë në çdo çast, mungesat e energjisë elektrike bëhen ndjeshëm më të mëdha, shpërfaqen pasojat evidente të kësaj mungese, sikundër që shumëfishohen edhe vështirësitë rreth sigurimit (importit) të rrymës me çmime stratosferike. Prandaj, qysh gjatë ditëve të krizës së ashpër energjetike, në shumë raste, nga njohësit e rrethanave dhe ekspertët, u tha dhe u shtrua nevoja për zgjidhje urgjente të problemit, i cili nëse përsëritet edhe në dimrin e ardhshëm, do të jetë goxha i komplikuar dhe, gjithsesi, me pasoja trishtuese për Kosovën e varfër. Dhe, dimri do të vie shpejtë! Sa çel e mbyllë sytë do të arrijnë muajt e ftohtë në Kosovën kontinentale.

Por, ç’është bërë në ndërkohë, në radhë të parë nga institucionet përgjegjëse dhe vendimmarrëse, që mos të na zë “gafil’ të ftohtit, që jo rrallë di të jetë i pamëshirshëm në këto vise.

A është bërë diçka konkrete, së paku, aty ku ka paksa mundësi reale për ndërmarrjen e ndonjë veprimi më urgjent, siç është, bie fjala, kontraktimi tani i importit të ndonjë sasie të energjisë elektrike, kur çmimet janë ndjeshëm më të ulëta. Ose, nisja e punëve përgatitore për të siguruar dhe për të ngritur impiantet e deponimit të energjisë elektrike gjatë muajve të verës, kur kemi relativisht rrymë të bollshme për ta ruajtur për kohën e acartë. Ose, ç’është bërë në këta pesë muajt e parë të këtij viti, për të nisur ndërtimin e ndonjë kapaciteti më të efektshëm të energjisë së rinovueshme, qoftë me erë, qoftë të energjisë solare, sado që tashmë janë goxha të njohura potencialet për energjinë e gjelbër, madje janë të identifikuara edhe vendet e mundshme për të ngritur këto kapacitete.

Për sa dihet, dhe për sa është bërë e njohur publikisht, thuaja asgjë nga këto çështje të shtruara nuk është bërë nga institucionet përgjegjëse dhe nga pushteti aktual, të obliguara dhe kompetente për ta siguruar rrymën e nevojshme për qytetarët e vendit.

Përveç retorikës dhe fjalamanisë shabllone për “ëndrrat energjetike”, nuk doli një person as nga qeveria, as nga mjediset e tjera zyrtare, që ta thotë një të dhënë konkrete se çka është bërë, apo cilat nga masat e mundshme janë ndërmarrë për ta zbutur mungesën e rrymës në Kosovë gjatë sezonit të sivjetshëm të dimrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste, dhe së fundi edhe në ekspozenë e tij në edicionin e pestë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm (KSDË) 2022, të mbajtur këto ditë, tha se ”jemi duke punuar në finalizimin e draft strategjisë afatgjate të dekarbonizimit, përmes së cilës do t’i hapim rrugë tranzicionit drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese, në të cilën rritja ekonomike arrihet me emetime të ulëta të gazrave serrë”, duke shtuar se “Qeveria ka përcaktuar pesë shtylla të ndryshme për përshpejtimin e Agjendës së Gjelbër”.

Pak a shumë, me të njëjtën retorikë, flet tani e shumë muaj me rradhë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila me dhjetëra e dhjetëra raste përsëritë monologun se “strategjia jonë do të jetë mjaft ambicioze në vendosjen e caqeve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë”, ose “sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë, konsumi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë do të rritet nga 5% sa është aktualisht, në deri në 30% në vitin 2031, dhe deri në 50% deri në vitin 2050”.

Por, kryeministri dhe as ministrja Rizvanolli nuk e thanë asnjë fjalë të vetme se çka ka ndërmarrë qeveria për të pasur kosovarët rrymë gjatë dimrit të sivjetëshëm, dhe se si do të sigurohet sasia e rrymës që mungon nga prodhimi i kapaciteteve vendore të energjisë elektrike.

Por, edhe në arritjen e caqeve për burime të ripërtëritshme, Kosova, së paku deri sivjet, ka shënuar rezultate tepër modeste dhe me ndikim fare të pavërejtshëm në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të vendit. Kur e themi këtë, kemi parasysh rezultatet e arritura në fushën e energjisë së gjelbër në shumë shtete të varfëra dhe të vogla edhe përtej Kosovës. Ndërkohë që as që bëhet fjalë krahasimi eventual me shtetet e zhvilluara.

Vetëm Moldavia me 3,1 për qind energji të rinovueshme, tash për tash pozicionohet nën Kosovën që ka arritur të ketë 5,3 për qind. Ndërsa, ndër vendet anëtare të BE-së, më shumë se 70% e energjisë elektrike të konsumuar në vitin 2020, është prodhuar nga burime të rinovueshme, si në Austri (78%) dhe Suedi (75%).

Prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme ishte gjithashtu i lartë dhe përbënte më shumë se gjysmën e energjisë elektrike të konsumuar në Danimarkë (65%), Portugali (58%), Kroaci dhe Letoni (të dyja 53%), në Maltë (10%), Hungari dhe Qipro (të dyja 12%), Luksemburg (14%) dhe Çeki (15%), Kosova, siç u tha më lartë, me 5.3 % dhe Moldavia me vetëm 3.1%.

Vendet e BE-së kishin synim që energjia nga burimet e rinovueshme, të zinte 20% të konsumit të saj bruto të energjisë përfundimtare deri në vitin 2020. Në fund të vitit 2019, ky synim u realizua 19.7%, krahasuar me 9.6% në 2004. Për të arritur synimet që energjia nga burimet e rinovueshme të bëhet me ndikim dhe efekte më të shpejta konkrete në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe për të pasur më shumë energji nga prodhimi vendor, nuk mjaftojnë vetëm vizionet afatgjate, qofshin ato mrekullisht të mira. Për Kosovën e ballafaquar me mungesa, në raste edhe goxha ekstreme të rrymës, duhet ndërmarrë edhe hapa urgjent, për zgjidhje më të shpejtë. Prandaj, është edhe i pakuptueshëm edhe i diskutueshëm ngrurimi kaq i gjatë për t’ia nisur ndërtimit të ndonjë kapaciteti të ri energjetik, qoftë në bazë të erës, qoftë me panele solare.

Ekzistimi i dy-tre kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme me 100-120 megavat-orë secili, do të ishte një zgjidhje premtuese. Por, këto kapacitete për t’i pasur, duhet nisur së ndërtuari ato.

Kosova ka vendet e identifikuara tashmë për ndërtimin e tyre, por edhe nuk i ka të mbyllura të gjitha dyert për të kërkuar dhe siguruar mjetet e nevojshme financare për këto projekte. Duhet përgatitur projektet dhe duhet bindur institucionet ndërkomëtare financiare për vlefshmërinë e këtyre “fabrikave’ të rrymës. Ministria e Ekonomisë duhet që më në fund të hartojë ligjin për burime të ripërtëritshme të energjisë si dhe vendosjen e afateve konkrete të ndërtimit të kapaciteteve të planifikuara të energjisë së ripërtëritshme. Sa më shumë të vonohemi, më shumë do t’ia zgjasim vetes agoninë që do të krijohet nga mungesa e rrymës. Fundja të ndërmerret një vendim i mirë në sektorin energjetik të Kosovës dhe mos të përsëriten 23 vjetët e kaluara, kur praktikisht Kosova e neglizhoi në përmasa tronditëse këtë sektor. /Buletini/

Artikulli paraprakNë Kosovë, kredi edhe për harxhime ditore
Artikulli tjetërSi është gjendja e atyre që vdesin me borxhe ndaj njerëzve?