Instituti GAP ka publikuar sot një analizë për pagën minimale në Kosovë, e cila sipas tyre, prek rreth 105 mijë punonjës, apo 30 për qind të tregut të punës.
Sipas kësaj analize, mbi 94% e të prekurve nga rritja e pagës minimale janë punonjës të sektorit privat.
Ndërsa, në përgjithësi, rritja e pagës bruto në 264 euro prek rreth 105 mijë punonjës apo 30% të tregut të punës. Prej tyre, rreth 28 për qind janë të punësuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë në vend, 15 për qind në industrinë përpunuese, 11 për qind në gastronomi, 11 për qind në aktivitetet financiare dhe ato të sigurimit, dhe 8 përqind e këtyre punonjësve në sektorin e ndërtimtarisë.
Nga GAP vlerësojnë se me rritjen e pagës minimale në 300, 350 apo 400 euro, siç po kërkojnë sindikatat e punonjësve të sektorit publik dhe privat, do të prekeshin mes 133 deri në 180 mijë të punësuar. Si rrjedhojë edhe lartësia e pagës minimale do ta arrinte vlerën prej 75 deri në 100% të pagës mediane në vend.
Sipas GAP-it, në një numër të konsiderueshëm studimesh, përfshi edhe një studim për Kosovën, të gjeturat për ndikimin negativ të një page të lartë minimale në shkallën e punësimit të të rinjëve dhe punonjësve me shkathtësi të ulëta, janë më konsistente.
Gjithashtu, nga analiza e GAP-it del se sektorët kryesorë të cilët do të preken nga rritja e pagës minimale, janë evidentuar si sektorët me shkallën më të lartë të informalitetit në vend. /Buletini/