Largimi nga padrejtësia dhe përshtatja e drejtësisë ne tregti- sipas Imam Gazaliut

Kapitulli i tretë

Dije se: për korrektësinë e mënyrës se si zhvillohet marrëdhënia tregtare midis dy njerëzve, fetvanë e jep muftiu.
Tregtia mund të futet edhe në fusha për shkak të të cilave, palët në tregti mund t’i ekspozohen zemërimit të Allahut Teala. Por, gjithçka që është e ndaluar nuk nënkupton edhe prishjen e marrëveshjes.
Kjo ndahet në dy pjesë: në dëmin që është i përgjithshëm dhe në dëmin e veçantë – që prekë njërën palë të përfshirë në marrëveshje.

Pjesa e parë
DËMI I PËRGJITHSHËM

Edhe kjo është disa llojesh:
1.Lloji i parë është spekulimi (tregu i zi).

Ky është rasti kur shitësi e deponon mallin ushqimor, që të presë rritjen e çmimit. Kjo është padrejtësi e përgjithshme.
Ai që vepron kështu, sipas sheriatit është njeri i keq. Resulallahu s.a.v.s., thotë:
“Kush e mbyll mallin e ushqimit për katërdhjetë ditë, edhe nëse e ndanë me pas gjithë atë mall si sadaka, nuk do t’i jetë pastrim për spekulimin e bërë.”34

Abdullah b. Omeri r.a., transmeton nga Resulallahu s.a.v.s.:
“Kush e mbyll mallin për ushqim katërdhjetë ditë, dhe nuk e nxjerrë në shitje, nuk ka asgjë me Allahun, e as Allahu nuk ka asgjë me të.”Thonë se spekulatori është:
“…sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit…“ Maide: 32

Transmetohet se Alia r.a, ka thënë.:
Atij që e mbyll mallin e ushqimit për katërdhjetë ditë (për ta shitur me çmim më të lartë), i ngurtësohet zemra.”

Bile ka shënime që Alia r.a., i ka dhënë flakën një malli të ushqimit që dikush e kishte mbyllur për spekulim.
Ebu Mansur Dejlemiu në ‘Musned-i Firdevs’, transmeton hadithin nga Alia r.a., dhe Hatib në ‘Tarih’ nga Enesi r.a. Ahmedi dhe Hakimi nga Ibn Omeri r.a., me sened të mirë.

E për vlerën e atyre që ruhen nga spekulimet me ushqim, shpjegon ky hadith:
Kush sjellë ushqim (nga jashtë) dhe e shet atë me çmimin e tregut të ditës, është sikur t’i kishte dhënë të gjitha sadaka.” e në versionin tjetër: …sikur të kishte liruar një skllav.36

Thuhet që edhe spekulimi (shitja me çmime më të larta se sa është vlera në treg) është një lloj i zullumit të përmendur në ajet:
...e kush synon të bëjë në të (Mesxhidil-haram) ndonjë zullum, Ne do t’i japim të shijojë dënimin e dhembshëm. 22-Haxh: 25, dhe që bie nën kërcënimin e përmendur.

Njëri nga gjeneratat e para kishte shkuar në qytetin Vasit, dhe kishte ngarkuar një anije me drithë për në qytetin e Basras. Përfaqësuesit të tij i shkroi: – Këtë drithë shite menjëherë atë ditë kur ushqimi arrin në Basra, e mos e shtyej për ditën tjetër.
Tregtarët i thanë përfaqësuesit:
– Tani ka me bollëk, shtyeje shitjen për një javë, e do të fitosh shumëfishin e kësaj.
36 Shënon Ibn Merduje në ‘Tefsir’, nga Ibn Mesud r.a..
Ashtu bëri, dhe fitoi shumëfishin. E njoftoi pronarin e mallit përmes letrës, e ky ia ktheu: – Fitimi i ditës së parë do të na ishte i mjaftueshëm, dhe në përputhje me besimin tonë, e ti veprove të kundërtën. Ne nuk duam të kemi më shumë fitim duke humbur nga feja jonë. Na ke shkaktuar të keqe të madhe. Kur të të arrijë kjo letër e imja, gjithë atë pasuri ndaje si sadaka për të varfërit e Basras. Inshallah kjo më mjafton të më shlirojë nga gjynahu i spekulimit (të mallit), e të vij në gjendje të mos kem as shpërblim e as dënim.
Dije se, urdhëri që ndalon spekulimin është i prerë. Në këtë çështje duhet kujdes për llojin e ushqimit dhe kohën e spekulimit.

Lloji i ushqimit
Spekulimi është ndaluar për çdo lloj ushqimi, por jo edhe për atë që futet në organizëm e nuk është ushqim, siç janë ilaçet, serumet, shafrani e të ngjashme.
Pikëvështrimet dallojnë për shtesat në ushqim, siç janë mishi e pemët, ose për atë që në situata të caktuara mund të zëvendësojë ushqimin, por që nuk mund të përdoret gjatë si ushqim. Një grup i dijetarëve përfaqësojnë mendimin se spekulimi përfshinë edhe ynydrën, mjaltin, djathin, vajin e ullirit, susamin dhe artikuj të ngjashëm.

Koha e spekulimit
Edhe për kohën e spekulimit ka mospajtime. Këtë më së miri e tregon rasti i përmendur nga Basra.
Spekulimi mund edhe të lidhet për një kohë konkrete, siç është koha e mungesës së ushqimit të domosdoshëm për njerëzit, kur shtyerja e shitjes së tij mund t’i dëmtojë ata.
Por nëse është kohë kur ushqim ka mjaft e njerëzit nuk kanë nevojë ta sigurojnë atë në sasi më të mëdha, dhe nuk duan ta blejnë pos nëse është me çmim më të ulët, pronari i mallit mund ta deponojë një pjesë të mallit për këtë arsye, e jo që po pret mungesë të atij malli për ta shitur me çmim më të lartë, dhe kjo nuk i shkakton dëm askujt.
E në kohë të mungesës, nëse deponon mallin si mjalta, vaji, yndyra, djathi e artikuj të ngjashëm, kjo është spekulim nëse i dëmton njerëzit.
Do të thotë: a është spekulimi haram apo jo, lidhet me dëmin që ai spekulim shkakton. Edhe po të mos shkaktonte kurrfarë dëmi, fsheja e ushqimit mbetet veprim i mospëlqyer, sepse llogaritet si fillim i dëmit pasi që kjo bëhet sebep për ngritjen e çmimit, nëse në treg nuk gjendet mjaftueshëm malli i tillë, dhe kjo është dëm për populin.

Pritja e filimit të dëmit është po aq i rrezikshmëm sa edhe vet dëmi, pos që shkalla e dëmit është më e ulët. Varësisht shkallës së dëmit, ndryshon shkalla e haramit.
Shkurtimisht, tregtia me produkte ushqimore nuk është e këshillueshme, sepse në tregti të ushqimit ka përfitim nga nevojat e domosdoshme për njerëzit. Prandaj është më e përshtatshme të kërkohet fitim në mallëra tjera, e jo në nevojat e domosdoshme për të gjithë.
Njëri nga taibintët e këshilloi një person: “Fëmijës tënd mos i lejo dy tregti: shitjen e ushqimit, sepse do t’ju dëshirojë njerëzve mungesë të ushqimit, dhe shitjen e qefinit, sepse do t’ju dëshirojë njerëzve vdekjen, sepse këto do t’i sigurojnë tregti të bollshme.
E mos i lejo as dy zanate: zanatin e kasapit, sepse e ngurtëson zemrën, dhe atë të argjendarit, sepse ai mundohet ta zbukurojë dynjanë.”

2.Lloji i dytë i dëmit të përgjithshem, është lëshimi në qarkullim i parasë false.

Kjo është zullum, sepse do ta përdorë edhe ai që bën shitblerje, deri sa të mos e dijë që janë të rrejshme, e kur ta kuptojë, mund t’ia jap tjetrit, e ky tjetër kujt, e me radhë. Ajo do të kalojë nga dora në dorë, e në këtë mënyrë shtohet dëmi dhe padrejtësia. Gjynahet e të gjithëve do të kthehen te ai i pari që e ka filluar, sepse ai ia ka hapur dyert kësaj të keqeje.
Resulallahu s.a.v.s., thotë:
“Kush sjellë një praktikë të shëmtuar, e ashtu fillojnë të veprojnë të tjerët pas tij, do ta bartë barrën e gjynahut të vet, dhe barrën e gjynaheve të të gjithëve që kanë vepruar si ai, pa iu pakësuar atyre asgjë nga gjynahet.
Disa kanë thënë:
“T’i jepet vetëm një dërhem fals tjetrit është gjynah më i madh se sa të vidhen njëqind të vërtetë.” Vjedhja është një gjynah dhe me kaq përfundon, kurse ai që nxjerr në treg një dërhem fals me të cilën do të shërbehen edhe të tjerët pas tij, për çka do ta zë barra e gjynaheve të njëqind, ndoshta edhe dyqind viteve pas vdekjes së tij, deri sa ai dërhem i rrejshëm të mos zhduket. Do të jetë përgjegjës edhe për të gjitha dëmet që me këtë veprim të tij do t’i shkaktohen pasurisë së të tjerëve. Lum ai që me vdekje i vdesin edhe gjynahet, e mjerë ai që vdes e gjynahet të vazhdojnë edhe pas tij, për të cilat do të ndjejë vuajtje deri sa është në varr, e do të japë përgjegjësi, deri sa ato të vazhdojnë.
Shënon Muslimi nga Xherir b. Abdullahu.
Allahu Teala thotë:
“…(Ne) shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre…” 36-Ja Sin: 12, pra, i shënojmë veprat që kanë bërë deri në vdekje, si edhe pasojat e mira dhe të këqija pas vdekjes.
Allahu Teala thotë:
“Atë ditë njeriu do të njihet me atë që çoi para dhe me atë që la prapa.” 13-Kijame: 13,
e atë që la prapa janë gjurmët e veprimeve të tij të shëmtuara, sipas së cilëve punojnë të tjerët pas tij.

Për paratë fals, njeriu duhet të dijë pesë gjëra:

1. Nëse i vjen në dorë ndonjë para e rrejshme, le ta hedhë në bunar, që të mos përcjellet tutje. Assesi të mos e përdorë për tregti të mëtutjeshme. I lejohet edhe ta dëmtojë, në atë masë që të mos mund të përdoret më si para.
2. Tregtari duhet ta njohë mirë paranë fals, dhe kjo nuk është vetëm për ta shpëtuar veten, por edhe që myslimanit të mos ia japë paranë e rrejshme, qoftë edhe pa qëllim, prandaj bën gjynah me braktisje të kësaj njohurie.
Për secilin veprim lidhet një dituri e veçantë; ajo e plotëson pastërtinë e punëve mes myslimanëve, prandaj duhet njohur. Me këtë qëllim gjeneratat e para mësonin shenjat e njohjes së parasë së vërtetë; jo për dynjallëkun, por për ta ruajtur fenë e vet.
3. Edhe nëse një person jep para të rrejshme dhe ai që i pranon e di që janë të rrejshme, personi që i ka dhënë nuk mund të shpëtojë nga përgjegjësia, sepse ai që i ka marrë e ka për qëllim që tutje t’ua japë të tjerëve, duke mos u treguar që janë të rrejshme. Po të mos kishte vendosur tashmë kështu, as nuk i kishte marrë.
Prandaj personi që jep para të rrejshme, nuk mashtron vetëm atë që pranon, por që të dy janë bashkë edhe në gjyhahet e tjera që lidhen me dëmin e shkaktuar nga ata që vazhdojnë ta përdorin atë para të rrejshme.
4. Le t’i marrë paratë e rrejshme, që të veprojë sipas fjalëve të Resulallahut s.a.v.s.: “Allahu Teala lëshon rahmet mbi robin që lehtë shet e lehtë blenë, që lehtë paguan (borxhin) dhe lehtë paguhet (tregon lehtësi kur merr borxhin).” Shënon Buhariu nga Xhabiri r.a..
Ai do të mbulohet me bereqetin e kësaj duaje, nëse vendos ta zhdukë paranë e rrejshme.
Por, nëse vendos që edhe më tutje ta përdorë, kjo është ligësi në të cilën e detyron shejtani, duke ia shfaqur këtë si të mirë, e i tilli assesi nuk merr pjesë në bereqetin e kësaj duaje.
5. Që me para të rrejshme të nëkuptohet paraja që në vete nuk përmbanë fare argjend, por ka vetëm ngjyrë a shkëlqim të argjendit, ose nuk përmbanë ar, por ka ngjyrë a shkëlqim të arit.
Por, nëse bëhet fjalë për paranë që në vete përmban argjend ose ari, qoftë edhe të përzier me bakër, dhe është valutë zyrtare e asaj krahine, dijetarët nuk kanë qëndrim të përbashkët për përdorimin e saj.
Ne anojmë kah qëndrimi se lejohet përdorimi nëse është valutë zyrtare në atë krahinë, pa marrë parasysh a dihet sasia e argjendit ose arit në të apo jo.
Por nëse nuk është valutë zyrtare, atëherë nuk lejohet. Përjashtim bën rasti kur dihet sasia e argjendit në të, e nëse ka më pak se në monedhën zyrtare, personi detyrohet që t’i informojë ata me të cilët punon, dhe do të bëjë tregti vetëm me ata që nuk lejojnë të futet në qarkullim çfarëdo paraje fals.
T’i jepen para të tilla atij që këtë e sheh të lejuar, do të thotë t’i jepet mundësia për keqbërje. Kjo është baraz me shitjen e rrushit atij për të cilin dihet se nga ai rrush do të bëjë verë. Kjo është e ndaluar, sepse është një lloj ndihmese të keqes, dhe pjesëmarrje në të.

Të mbahet rruga e të vërtetës në këtë segment të tregtisë është më e vështirë se sa të bëhen ibadete nafile.
Prandaj dikush ka thënë:
“Tregtari i ndershëm është më me vlerë te Allahu se sa personi që bën ibadete nafile.”
Gjeneratat e para të myslimanëve i kanë dhënë shumë rëndësi kësaj, dhe në këtë çështje kanë vepruar jashtëzakonisht kujdesshëm.
Një luftëtar tregon:

Ia vendosa shalën kalit, që të luftoj kundër armikut, por kali nuk pat fuqi, e u ktheva. Tri herë kështu veprova. Në fund, edhe kali më iku, e kurrë nuk kishte vepruar ashtu. U ktheva i mërzitur, kokën poshtë, e me zemër të thyer, sepse armiku shpëtoi, e edhe kali më iku. E mbështeta kokën në mbajtësin e tendës, kur vërejta se kali ishte kthyer, e m’u afrua.

Aty më mori gjumi, e në ëndërr pashë se si kali më thotë:
– Pashë Allahun, ti e pate nijet të luftosh
armikun, bile tri herë provove, e mua më bleve sanë me dërhemë të rrejshëm! Kështu kurrë nuk do të jesh fitues!’
U zgjova i tmerruar, shkova te tregtari i sanës dhe ia ndërrova dërhemin e rrejshëm me para të vërteta…”
Ky është shembull për dëmin e përgjithshëm, e sipas kësaj mund të përmenden edhe shembuj tjerë.

Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu

Artikulli paraprakVazhdon rënia e ekonomisë së Rusisë, rubla zhvlerësohet në nivel rekord
Artikulli tjetër10 gjëra që duhet larguar gjatë komunikimit me klient