Zhvillimi i shpejtë dhe avancimi i teknologjisë ka rezultuar edhe në ndryshimin e shprehive të blerësve në Kosovoë në kryerjen e pagesave të ndryshme.
Shoqata e Bankave të Kosovës njofton se në bashkëpunim me Visa, kanë zhvilluar fushatën informuese gjatë periudhës shtator – dhjetor 2021 që kishte për qëllim informimin e qytetarëve rreth mundësive të blerjeve me kartë bankare online dhe çështjeve të sigurisë gjatë pagesave online.
Në një anketim të realizuar nga Visa për pagesat dhe blerjet online në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në Kosovë rezulton se 41 për qind e të anketuarve ishin të gatshëm të paguajnë nëpërmjet telefonave të mençur faturat mujore dhe shërbimet e parkimit, ndërsa biletat e teatrit, kinemasë dhe transportit publik renditen në vendin e dytë (35 për qind).
Të tretat në radhë janë pagesat në dyqane, kafene dhe restorante (33 për qind). 32 për qind e të anketuarve janë shumë të interesuar për blerjet e mëdha të biletave për udhëtime ose blerjet e orendive shtëpiake. Ndërsa nga gjithsej blerjet online, në total 89% e konsumatorëve kryesisht porosisin produkte përmes telefonave inteligjentë.
Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Visa dhe bankat komerciale të Kosovës, mbështetën këtë fushatë informuese e cila kishte ndikim pozitiv në informimin e qytetarëve të Kosovës për avancimet dhe mundësitë që tani ofrohen në sektorin bankar të shërbimeve të pagesave. /Buletini Ekonomik/