Inflacioni në 19 shtetet që përdorin monedhën euro shënoi nivelin më të lartë.
Njoftimi i javës së kaluar për rritjen rekorde të nivelit të inflacionit erdhi teksa çmimet e ushqimit dhe energjisë janë rritur.
Më poshtë mund të mësoni më shumë detaje lidhur me rritjen e inflacionit në Eurozonë:
Çfarë thonë këto shifra?
Çmimet e konsumit në Eurozonë, që përbëhet nga ekonomitë e Bashkimit Evropian si Franca dhe Gjermania, u rritën për 5 për qind në dhjetor krahasuar me periudhën e një viti më parë, u tha në të dhënat e Eurostat-it, Zyrës për Statistika të BE-së.
Çmimet e energjisë kanë kontribuar në rritjen e inflacionit, pasi ato u rritën për 26 për qind vitin e kaluar, që është përqindje më e ulët krahasuar me muajin e kaluar.
Rritja e çmimit të ushqimeve u rrit në 3.2 për qind nga norma 2.2 për qind e nëntorit dhe çmimi i mallrave u rrit me një ritëm më të shpejtë prej 2.9 për qind.
Megjithatë, rritja e çmimeve të shërbimeve ra në 2.4 për qind, duke sugjeruar se varianti Omicron i koronavirusit uli kërkesën për udhëtime gjatë festave të fundvitit.
Nëse nuk llogaritet rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, norma e inflacionit bazë të Eurozonës qëndroi e qëndrueshme në 2.6 për qind.
Pse kjo është e rëndësishme?
Shifrat e fundit thyejnë rekordin e 4.9 për qind të inflacionit të arritur në nëntor të vitit 2021 dhe njëherësh shënon nivelin më të lartë të inflacionit që prej fillimit të mbajtjes së regjistrave për monedhën euro më 1997, dy vjet para se të lancohej si monedhë.
Kjo nënkupton që prej ushqimit në dyqanet ushqimore te udhëtimet e blerjeve dhe karburantet po kushtojnë më shumë pasi rimëkëmbja ekonomike nga pandemia ka rritur kërkesën për energji dhe ka çrregulluar zinxhirët e furnizimit global.
Këto shifra theksojnë se si inflacioni është shfaqur si një nga çështjet kryesore me të cilën po përballen politikbërësit ekonomikë.
Rritja ka rritur presionin ndaj Bankës Qendrore Evropiane për të vepruar ndaj inflacionit që t’i mbajë normat e interesit jashtëzakonisht të ulëta për të stimuluar një rimëkëmbje ekonomike për pandeminë. Përhapja e Omicronit ka detyruar që të rishqyrtohet çdo vendim që mund të pengojë rritjen ekonomike dhe analistët nuk presion që Banka Evropiane të rrisë normat deri në vitin 2023.
Inflacioni nuk është vetëm problem i BE-së. Çmimet e konsumit në Shtetet e Bashkuara janë rritur me ritmin më të shpejtë në 39 vjet dhe inflacioni ka arritur rekordin në më shumë se një dekadë në Britani. Inflacioni në Turqi arriti në 36 për qind muajin e kaluar – niveli më i lartë në 19 vjet – dhe Brazili ka përjetuar rritje prej mbi 10 për qind, që është rritja më e shpejt e inflacionit në 18 vjetët e fundit.
Çfarë mendojnë ekspertët?
Disa ekonomistë mendojnë se inflacioni në Eurozonë do të arrijë kulmin shpejt, nëse veç se ka arritur. Një tjetër faktor i rëndësishëm është çmimi i gazit natyror, “që ka qenë mjaft i ndjeshëm në javët e fundit dhe ka qenë një prej faktorëve kyç në rritjen e fundit të inflacionit”, tha në një raport Bert Colijn, ekonomist i lartë në Bankën ING.
Çmimet e gazit natyror dhe naftës në tregjet e së ardhmes sugjerojnë se inflacioni me gjasë ka arritur rekordin dhe do të fillojë të bie, tha ai.
Tani, “pyetja është sesa e pjerrët do të jetë tendenca e rënies”, tha Colijn.
Ai dhe ekonomistët e tjerë parashikojnë se baza e inflacionit do të lehtësohet, por do të qëndrojnë mbi 2 për qind gjatë këtij viti, duke i lënë hapësirë Bankës Qendrore Evropiane që të marrë vendim lidhur me normat.
Pavarësisht përhapjes së variantit Omicron dhe efekteve të paqarta që mund të ketë në ekonominë globale, bankat qendrore kanë rritur normat e interesit me qëllim që të luftojnë rritjen e inflacionit ose po ndërmarrin hapa në këtë drejtim.
Muajin e kaluar, Banka e Anglisë u bë banka e parë qendrore e një ekonomie të përparuar që rriti normat e interesit që prej se ka nisur pandemia. Banka Qendrore Evropiane ka ndërmarrë një qasje më të kujdesshme, por gjithashtu ka vendosur që të tërheqë disa prej stimujve për vitin e ardhshëm.
Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara po lëvizin më shpejt sesa Evropa për të shtrënguar kreditë teksa çmimet në nëntorin e vitit të kaluar u rritën për 6.8 për qind. /Associated Press/REL/