Shkollat franceze të biznesit e ruajtën epërsinë e tyre ndaj shkollave të ngjashme të vendeve të tjera në Renditjen e Shkollave Europiane të Biznesit nga Financial Times për 2021, duke ofruar gamën më të madhe të lëndëve të edukimit për biznesin.
HEC Paris, Insead dhe Essec ishin të gjitha në nivelin më të lartë të tetë institucioneve kryesore të vlerësuara në renditjen e 95 institucioneve. Shtatë të tjera, të udhëhequra nga Edhec, ESCP dhe EMLyon, siguruan vende në grupin e dytë të shkollave të renditura nga vendi i nëntё në të 46-in.
Një shkollë biznesi nga secili prej pesë vendeve të tjera europiane përmbylli nivelin më të lartë në renditje: London Business School në Mbretërinë e Bashkuar, Iese nga Spanja, SDA Bocconi nga Italia, St Gallen në Zvicër dhe ESMT Berlin i Gjermanisë.
Institucionet e Mbretërisë së Bashkuar ishin të përfaqësuara mirë në përgjithësi, pavarësisht pasojave të Brexit. Në nivelin e dytë u renditën 11 institucione të tjera, të udhëhequra nga Oxford: Saïd, Cambridge: Judge, Imperial dhe Warwick, duke reflektuar interesin global dhe atraktivitetin e vazhdueshëm të vendit për menaxherët, liderët dhe sipërmarrësit e ardhshëm.
Kjo renditje vjen në një kohë kur presioni mbi shkollat e biznesit është shumë i madh për shkak të pandemisë, e cila ka çuar në mbylljen e kufijve, kufizimin e studimit në universitet dhe i ka bërë shumё studentë dhe kompani të hezitojnë për të aplikuar. Shkollat janë detyruar të përshtaten me mësimin online dhe atë të përzier, të përballen me konkurrencën në rritje nga llojet alternative të trajnimit dhe të përballen me presionin në rritje për të ulur tarifat, ndërkohë që pandemia vazhdon.
“Ne nuk kemi qenë kurrë në një udhëkryq kaq strategjik,” tha Frank Bournois, dekan i ESCP, me qendër në Paris. “Është koha që të ketë një riorganizim tërësor. Këto janë momente emocionuese dhe, ndonjëherë, edhe të frikshme.”
Shkollat europiane mbizotërojnë globalisht në ofrimin e programeve Master në Menaxhim (MiM), të cilat e kanë zanafillën në këto vende dhe shihen nga disa studentë si një alternativë më e lirë ndaj MBA-ve të krijuara fillimisht në Amerikën e Veriut. Institucionet në të dy kontinentet po përballen me konkurrencë nga shkollat më të reja të biznesit nё Azi, pasi ekonomitë me rritje të shpejtë, të udhëhequra nga Kina, po gjenerojnë një kërkesë në rritje mes studentëve.
Në shenjë ndryshimi të kërkesës, midis shkollave europiane të vlerësuara nga FT si në 2020 ashtu edhe në 2021, madhësia mesatare e klasave të programeve MBA ra me 15 studentë vitin e kaluar duke shkuar në 112, ndërsa midis MBA-ve Ekzekutive ajo ra me gjashtë pjesëmarrës, duke shkuar në 72. Nga ana tjetër, regjistrimet në MiM u rritën me mesatarisht 26 studentë, duke shkuar në 330.
Vlerësimi FT është një “renditje e renditjeve” që rrjedh nga performanca e shkollave europiane në renditjet më të fundit individuale të ofruesve globalë të MBA, EMBA dhe MiM, si dhe për kurset e arsimit ekzekutiv pa diplomë. Renditjet individuale të FT marrin parasysh rezultatet e të diplomuarve, duke përfshirë pagën dhe përparimin në karrierë, si dhe faktorë të tillë si cilësia e punës kërkimore dhe diversiteti ndërkombëtar dhe gjinor i studentëve, stafit dhe i organeve drejtuese të shkollave.
Vlerësimi europian favorizon shkollat që kanë rezultate të mira në të gjitha programet e ofruara, por gjithashtu i pёrshtat vlerësimet në mënyrë që institucionet të mund të performojnë mirë në përgjithësi edhe nëse nuk ofrojnë gamën e plotë të lёndёve. Shumica e të dhënave mbështeten në renditjen e FT të publikuar në vitin 2021, por performanca e shkollave për arsimin ekzekutiv përdor rezultate nga viti 2020, sepse vlerësimi i këtij viti u pezullua pёrgjatë pandemisë.
Studentët në shumë pjesë të botës e shtynë punësimin dhe vazhduan studimet e tyre duke ndjekur një diplomë master në biznes. Ndërkohë, disa punonjës vendosën të linin punën e tyre për t’iu kthyer studimeve me kohë të plotë ose të pjesshme, pas përhapjes së Covid-19. Megjithatë, shumë kompani shkurtuan buxhetet e trajnimit dhe reduktuan mbështetjen për kurset e arsimit ekzekutiv.
“Shumë prej nesh në Europë kishim një portofol të konsiderueshëm arsimor ekzekutiv dhe ndoshta ishim më të varur prej tij sesa disa shkolla biznesi në SHBA me mundësi financimi shumë të mëdha,” tha Jean-François Manzoni, president i IMD në Zvicër. “Ndërsa të tjerët deklaronin humbje për arsimin ekzekutiv, ne duhej të sillnim risinë.”
Renditja nxjerr në pah shpërndarjen gjeografike të shkollave kryesore të biznesit në të gjithë Europën. Nga 95 shkollat e renditura nga FT, 22 janë nga Franca, 19 nga Mbretëria e Bashkuar dhe gjashtë nga Gjermania, ekonomia më e madhe në Europë.
Jörg Rocholl, president i ESMT Berlin, një shkollë biznesi private dhe e pavarur, e krijuar me mbështetjen e kompanive gjermane në vitin 2002, tha se historikisht universitetet publike të vendit kanë qenë “shumë dominuese” në arsimin e lartë dhe u ka munguar fleksibiliteti për t’u khyer në institucione të klasit botëror, duke përfshirë shkollat kryesore të biznesit.
Rusia tani ka tre shkolla biznesi në renditje, Turqia ka dy dhe Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovenia kanë nga një secila.
/monitor/