Rikthimi i perceptimit të mirë të muslimanëve, pjesa II – T’i kuptojmë mediat

Le të shohim se si funksionojnë mediat dhe pse islamosfera e deritanishme nuk përputhet aq mirë sa mundet me mënyrën se si funksionon një operacion lajmesh dhe çfarë synon ai.

Si funksionon media

Mbulimi i lajmeve fillon nga mbulimi i lajmeve urgjente, tek zhvillimet e vazhdueshme të qytetit ose shtetit, nga intervistat e deri te kërkimi aktiv i historive interesante lokale.

Në deskun e lajmeve të mëngjesit, redaktori i deskut e informon stafin për çdo ngjarje lokale (kryetari i bashkisë është duke mbajtur një konferencë shtypi, një këshilltar i qytetit dërgoi një email, mbikëqyrësi i shkollës po mban një mbledhje bordi, etj). Redaktori i detyrave e merr këtë informacion zakonisht nga njoftimet për shtyp të dërguara nga organizatat ose zyrat.

Më pas, reporterët shkojnë rreth tryezës dhe parashtrojnë idetë e tyre për historitë, qoftë nga burimet e tyre, emailet e reja ose nga telefonatat që kanë marrë, ose nga leximi i blogjeve të zonës lokale ose nga lajme të mediave të tjera.

Nga të gjitha këto të dhëna, drejtorët dhe producentët e lajmeve vendosin se cilat histori kanë prioritet. Është një çështje e përpjekjes për të përshtatur burimet; ka vetëm një numër të caktuar të gazetarëve dhe fotografëve për të shkuar çdo ditë në çdo vende dhe ngjarje të caktuar. Ndodh që ngjarjet me rëndësi për lajme mund të shpërndahen në një distancë të largët, ose mund të ndodhë që të realizohen në kohë të njëjtë në vende të ndryshme.

Editori vendos për të gjitha këto burime, çfarë mund të jetë me interes të madh për shikuesit, dhe shpesh – më e rëndësishmja – nëse ka një mënyrë për ta personalizuar atë, për të pasur një karakteristikë emocionale, për të bërë një tregim për të dhe jo thjesht kronikë e një ngjarje lajmi. Një redaksi e mirë përpiqet të shmangë të ketë vetëm ‘tinguj zyrtar’ sa herë që është e mundur; duhet të balancohet nga një histori apo reagim personal, se si ndikon një masë e re nga kryebashkiaku apo qeverisja e qytetit tek një individ, një efekt i personalizuar i ndikimit të saj.

“Pse duhet të më interesojë” është një pyetje që u bëhet shpesh gazetarëve në takime të redaksisë, për t’i bërë ata të kërkojnë dhe të artikulojnë atë kënd lidhës.

Në një skenar të lajmeve të fundit, modeli i përgjithshëm i veprimit është mbledhja e fakteve së pari, pastaj ndikimi personal dhe reagimi zyrtar (ose anasjelltas, në varësi të asaj se kush thotë dhe kur). Nëse është një histori personale intriguese që u shfaq – përmes emailit, u vu re në një blog ose burim tjetër – atëherë reporteri do të konfirmojë faktet përmes një burimi ose subjekti tjetër të përfshirë në histori dhe mund të kërkojë “tinguj zyrtarë” të tjerë nëse është e nevojshme ( të tilla si në historitë e ankesave të konsumatorëve, reporteri do të shkojë te kompania e përfshirë në problemin e pretenduar).

Por vini re në të dyja rastet rëndësinë e dimensionit njerëzor, historisë personale. Vini re gjithashtu se si kjo lidhet me përfitimet anësore të aktiviteteve të mbrojtura në postimin e mëparshëm: që duke rritur praninë dhe aktivitetin qytetar, ju po ndihmoni gjithashtu në krijimin e një baze me histori të vogla, alternative muslimane, përvoja alternative të muslimanëve.

Është një tjetër pikë e blogimit të nivelit bazë që mund të angazhohet këtu: nëse jeni një bloger musliman që filloni të shkruani për çështje qytetare, mos kini frikë në një moment t’i bëni kronikë ato histori të angazhimit qytetar musliman.

Më duhet të theksoj se kjo në asnjë mënyrë nuk mund të interpretohet se detyra qytetare duhet të ketë një motiv të fshehtë. Thjesht kini parasysh se çmitizimi i vetes ndaj komunitetit tuaj, duke treguar në veprim se me të vërtetë kujdeseni dhe jeni të gatshëm të punoni për përmirësimin tuaj qytetar, mund të ketë një efekt valëzues përtej lidhjes shumë të rëndësishme njeriu me njeriun, që është kaq e rëndësishme për ta ndërtuar pikërisht tani.

Roli dhe pesha e blogosferës ndryshon nga një redaksi në tjetrën dhe nga një gazetar në tjetrin, por është ndoshta prej burimeve me peshë të ulët në listën e burimeve të ppërgjithshme kur gazetarët mbledhin informacione ose kërkojnë histori e ngjarje. Thënë kështu, ka mënyra se si mund ta lëvizni atë zinxhir – ose duke demonstruar se keni një histori personale interesante (ose duke u bërë i vetëdijshëm për një tjetër rast ose burim që mund të parashtroni) dhe/ose duke u njohur si një zë i veçantë i besueshëm.

Muslimanët dhe Mediat

Por a duan vërtet shumica e muslimanëve të jenë ai lloj zëri afatgjatë? Mjerisht, jo, dhe besoj se kjo mendësi duhet të ndryshojë.

Ekziston një rezervë ekstreme midis udhëheqësve muslimanë për të zhvilluar një marrëdhënie të qëndrueshme me mediat.

Në një postim në vijim në “Ft. Hood on TAM”, Sheila Musaji shkroi:

Ndërkohë, ngërdhehem sa herë që dikush më kërkon të shpjegoj pse Major Hasani apo ndonjë musliman tjetër ka kryer ndonjë akt të dënueshëm. Nuk e di pse. … Në fakt, jam e habitur se si njerëzit inteligjentë mund të besojnë se ka kuptim t’i kërkohet çdo muslimani të rastësishëm të shpjegojë veprimet e secilit prej 1.5 miliardë muslimanëve të tjerë në tokë, sikur të jemi të lidhur me njëri-tjetrin si Koloni e Borg-ëve (Borgët janë një koloni speciesh humanoide që janë shndërruar në organizma kibernetikë e që funksionojnë si dronë të një Kolektivi, ose si Koloni e kosheres, nga filmi Star Trek).

Dr. Aref Assaf, president i Forumit Arab Amerikan, shprehu ndjenja të ngjashme (ndër disa pika të tjera të shkëlqyera) në artikullin e tij “Ju lutem, mos më telefononi! Të jesh një musliman amerikan kur ndodh tragjedia”: “Jam shumë i lënduar dhe i ngarkuar thellësisht nga implikimet dhe shpeshtësia e këtyre pyetjeve nga mediat sa herë që ndonjë musliman i çmendur vendos të kryejë një akt të rastësishëm dhune,” shkruan ai.

Është një ndjenjë që sinqerisht e respektoj, e kuptoj dhe shpesh e ndjej gjithashtu; por mbajtja e një përfundimi më të madh në funksion të ndërtimit të urës në një rreth më të gjerë mund t’i ndihmojë zërat muslimanë të shkojnë përtej këtij reagimi.

Assaf artikulon marrëdhënien e pakëndshme që shumica e zërave muslimanë kanë me median:

Më kujtohet, ndërsa flisja me një redaktor të një gazete të madhe të New Jersey-t, pyesja veten nëse emri im ishte në listën e nxehtë të gazetarëve të tyre, atë listën me njerëz që telefonohen vetëm atëherë kur muslimanët bëjnë ndonjë vrasje ose shpërthejnë ndonjë bombë nëpër botë. Me përgjërim, e pyeta nëse ai do të merrte në konsideratë ndonjëherë të më telefononte për të komentuar për çështje të tilla të parëndësishme si pikëpamjet e mia për zgjedhjen e shkollës, për taksat e mia të pronës që gjithnjë janë në rritje, për pengesat e trafikut. Pothuajse pafajësisht pranoi se ka qenë aq i kushtëzuar të mendojë për mua vetëm si një arab dhe një musliman, jo si një qytetar i shqetësuar dhe taksapagues që shqetësohet gjithashtu për mjedisin, krimin e jakës së bardhë dhe korrupsionin politik.

Por, si në çdo marrëdhënie, muslimanët duhet të zotërojnë pjesën e tyre – dhe llojin e aktivitetit qytetar personal që kam mbrojtur në postimin e mëparshëm dhe ky mund të ndihmojë pa masë për të kapërcyer pikëpamjen unike të muslimanëve nga media. Por duhet punë: Dëshira e Dr. Assaf për t’u thirrur për çështje të tjera qytetare nuk do të realizohet nëse muslimanët nuk e kapërcejnë qëndrimin e tyre të izolimit dhe nuk tregojnë se shqetësime të tilla janë të zakonshme edhe për muslimanët. Nuk mund ta kemi në të dyja mënyrat.

Nga pikëpamja mediatike, izolacionizmi ynë ka dërguar një mesazh shumë të përzier, rezultati i të cilit mund të shihet në hezitimin e mediave për të na parë si qytetarë. Dhe megjithëse mund të duket e padrejtë që ne nuk thirremi rastësisht për të ndarë pikëpamjet tona qytetare, ngurrimi ynë për të marrë pjesë si qytetarë do të thotë se kemi më shumë punë për të bërë për ta kapërcyer atë perceptim. Krijimi i një shqetësimi dhe pranie të vërtetë qytetare nga ana e muslimanëve dhe për të rritur dukshmërinë e asaj pranie mund të arrihet vetëm me vepër.

Komuniteti musliman ka aftësinë dhe fuqinë për të rimarrë dhe rivendosur identitetin e tij (nëse ne kemi vullnetin për ta bërë këtë duke kapërcyer izoliminizmin tonë dhe të bëjmë vepra të mira për qytetet dhe fqinjët tanë, kjo është e vështirë por unë vërtet jam optimist). Sigurisht, ka pengesa të jashtëzakonshme semiotike dhe ikonike për t’u kapërcyer, dhe ndërtimi i marrëdhënieve me komunitetin dhe median është një proces afatgjatë, por është plotësisht në dorën tonë të ndalojmë së luajturi kartën ‘viktimë e medias’, të japim shembullin, të krijojmë histori alternative, ta riorganizojmë perceptimin. Ne mund të marrim përsëri kontrollin dhe të zotërojmë fatin tonë në raport me median publike nëse jemi të gatshëm të bëjmë punën. Mund të fajësojmë mediat sa të duam, por çfarë u kemi ofruar atyre si alternativë?

“Vërtet, Allahu nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në vetvete.” 13:11

Assaf ofron disa vëzhgime të fuqishme gjatë gjithë artikullit të tij, megjithatë në paragrafin e tij përmbyllës ai bën një pikë elegante dhe më pas shkatërron menjëherë çdo shpresë për t’u afruar e për të shpërndarë pikëpamjet e tij:

Duhet të shqetësohemi sinqerisht se çfarë e bën një qytetar të urrejë vendin e tij aq intensivisht sa është gati të humbasë jetën për të shprehur zemërimin e tij? Deri atëherë, ju lutem mos më telefononi. Sepse, si ju, as unë nuk kam përgjigje.

Kjo dërgon një mesazh përfundimtar të përzier, pothuajse pasiv-agresiv në dritën e kërkesës së tij të mëparshme për t’u thirrur për çështje të komunitetit. Nëse do të punoja në redaksi dhe do të lexoja një deklaratë të tillë, mund të jeni plotësisht të sigurt se do ta pranoja kërkesën e tij dhe nuk do ta telefonoja më kurrë, për asnjë çështje, qoftë muslimane apo jo.

Është interesante se në një version tjetër të artikullit të tij mbi zërat e New Jersey-t, komentet duket se vërtetojnë disa nga këto vëzhgime, dhe unë jam i inkurajuar që disa jomuslimanë po kërkojnë një prani më të qasshme të mediave muslimane për t’u kthyer dhe gjithashtu po vërejnë mungesën e saj. Kjo shënon një pikë të rëndësishme në lidhje me identifikimin e nevojave dhe përgjigjen ndaj atyre që do t’i trajtoj më vonë në këtë seri.

Nëse jam reporter ose redaktor i deskut që shpërndaj detyrat, kam nevojë për dikë ose një grup që është i gatshëm të punojë me mua. Kë mund të telefonoj tjetër, kush tjetër është në listë? Ku mund të shkoj për të marrë kuptimet dhe pulsin e komunitetit musliman?

Problemi nuk qëndron vetëm tek umeti musliman, sigurisht. Media ka një rol për të luajtur në ekuacion, por nëse nuk jeni një media e qartë partiake ose qartësisht islamofobe (si Geller/Spencer), ju nuk do të filloni qëllimisht të përshkruani lajmet ose artikujt me frazat idiote si “të gjithë muslimanët janë të këqij” ose të jepni një këndvështrim të vetëm islam. Por prapë se prapë do të ndesheni me një gamë shumë të kufizuar të përvojave alternative dhe/ose lokale të muslimanëve, përvoja të cilat mund t’i mbuloni si media. Edhe kur gjenden këto alternativa të kufizuara të muslimanëve si burime, shpesh ato nuk janë shumë të kënaqshme (dështimi për të dhënë mesazhe të forta dhe rezonuese nga institucionet muslimane do të trajtohet në një postim të ardhshëm).

Çështje sfiduese për muslimanët dhe mediat është se feja Islame në shpërndarjen e saj aktuale nëpër botë, nuk është e strukturuar në kuptimin denominativ (një term i përgjithshëm që përdoret për një trup të veçantë fetar të unifikuar, për një grup të identifikuar nga tipare të tilla si një emër i përbashkët, një strukturë e përbashkët, një udhëheqje unike dhe doktrinë). Është shumë e vështirë për mediat perëndimore të punojnë rreth kësaj. Ne nuk kërkojmë nga një i krishterë që të përfaqësojë të gjithë të krishterët, sepse ju mund të kërkoni mendim të veçantë nga një Baptist ose Protestant ose Katolik ose Adventist të Ditës së 7-të ose Pentekostal ose Ungjillor ose Kuaker ose Mormon. Përcaktimi i këtij diversiteti emërtues i jep redaksisë disa pika fillestare lehtësisht të identifikueshme, dhe reporterët mund të shkojnë direkt në grupin e duhur, tek njerëzit e duhur për të marrë përgjigje dhe këndvështrime specifike nga çdo grup i caktuar me interes.

Edhe një mostër e përciptë e komenteve mbi postimet në të gjithë Islamosferën zbulon se sa e larmishme (ose e ndarë) është gama e mendimit brenda ummetit musliman. Që niveli i diskursit brenda ummetit nuk është gjithmonë i respektueshëm, është një pikë domethënëse për t’u menduar: ne nuk mund të predikojmë shumë mirë se “Islami është një fe tolerante” kur ne shpesh nuk tolerojmë me respekt pikëpamje të ndryshme mes nesh. Kjo dërgon një mesazh tjetër shumë të përzier.

Nga pikëpamja e redaksisë, mungesa relative e strukturës fetare të përfaqësuesve të Islamit e bën gamën e Islamit të duket më e unifikuar sesa është në të vërtetë. Është shumë e vështirë me një shikim të shpejtë të jesh i vetëdijshëm për atë diversitet, e lëre më ta identifikosh, izolosh dhe ta kuptosh atë, ose të kontaktosh një spektër përfaqësuesish të ndryshëm. Tendenca jonë drejt izolimit e përforcon këtë problem, efekt të ngjashëm japin edhe mesazhet që nxjerrim nga fundi i barkut kur ndihemi në situatë të mbrojtjes nga sulmet: “Islami është një fe e paqes!”, nënteksti i këtij mesazhi paraqet një ndjenjë të dukshme uniteti që nuk ekziston në realitet dhe na detyron që më vonë të kërkojmë falje dhe/ose të pranojmë me keqardhje se po, ka elementë të skajshëm që nuk u përmbahen vlerave qendrore islame.

Pak edukim proaktiv nga blogerët dhe institucionet muslimane mund të ndihmojë këtu: ne duhet të jemi të pastër që në fillim në bloget tona dhe deklaratat për mediat perëndimore rreth nivelit të diversitetit dhe debatit brenda umetit musliman, dhe në një mënyrë objektive e të përmbledhur të shpjegojmë diversitetin e mendimit dhe i ligjërimit. Kjo është një sfidë për t’u bërë ndërkohë që përpiqeni të qëndroni objektivë për pozicionin tuaj të veçantë në atë spektër. Xhamitë dhe institucionet duhet të përgatisin materiale të tilla dhe të mbajnë periodikisht një ditë komunikimi me mediat (në javë, në muaj apo në një periudhë tjetër të caktuar). Ngjarje të tilla do të mirëpriteshin nga organet e medias, pasi kjo shkon shumë në përmbushjen e nevojës së tyre për informacion dhe kontekst të qartë, e lehtë të qasshëm.

Më shumë për adresimin e nevojave të medias në postimin e ardhshëm.

Mustafa Stefan Dill

Solli në shqip: kohaislame.com

Artikulli paraprakPfizer, Moderna dhe BioNTech ‘fitojnë 48 mijë paund ҫdo minutë nga shitja e vaksinave’
Artikulli tjetër“The Economist”: Pse pasaportat e vaksinave po shkaktojnë kaos, problemi qëndron te…