Libri “Historia e shkurtër e Republikës së Weimarit” është një analizë e përgjithshme e një prej shteteve kryesore për ngjarjet tragjike të shekullit 20, Gjermanisë. Libri analizon rrugëtimin politik të Gjermanisë nga dalja si humbëse nga Lufta e Parë Botërore e deri tek ardhja në pushtet e nazistëve në krye me Adolf Hitlerin. Boshti i librit është analiza e rënies së demokracisë së Weimarit në dorën e regjimit totalitar të Hitlerit.
Gjermania si një prej shkaktarëve kryesorë të Luftës së Parë Botërore kishte dalë nga kjo luftë si humbëse. Mbi të ishte rënduar edhe Traktati i Versajës, i cili ia kishte kufizuar ushtrinë në një numër të papërfillshëm, i kishte marrë shumë territore dhe e kishte obliguar me reperacione të shtrenjta lufte. Te gjermanët ishte krijuar ajo që quhet “miti i thikës pas shpine”. Gjermanët besonin se e kishin fituar luftën në terren, por e kishin humbur në tavolinë, duke fajësuar të tjerët për këtë tradhti.
Në vitet e para pasluftës, Gjermania ishte katandisur në një arenë të përgjakshme, fillimisht nga vetë lufta, e pastaj edhe nga revolucione dhe kundër-revolucione të majta e të djathta, secila më tepër e dhunshme se tjetra. Ekonomia ishte stërkequr në luftë dhe po vazhdonte të shkatërrohej në përgjakjet e pasluftës. Në këtë kontekst lind edhe Republika e Weimarit. Për shkak që Berlini ishte i rrethuar nga forcat paramilitare revolucionare, republika u shpall në qytetin e vogël të Weimarit, nga ku e morri edhe emrin. Ngadalë por sigurt, kjo republikë arriti ta shtrinte sovranitetin në tërë territorin gjerman dhe prej vitit 1923 e tutje e vendosi një gjendje stabile në ekonomi e rend, megjithëse rendi i saj politik mbeti shumë fragjil. Periudha deri në Depresionin e Madh ekonomik të vitit 1929 njihet si periudha e artë për shkak të qëndrueshmërisë relative në të gjitha sferat e jetës.
Megjithëkëtë, Republika e Weimarit, e themeluar në rendin e Versajës, perceptohej nga gjermanët dhe politikëbërësit gjermanë si periudhë kalimtare. Me kushtet e rënda të Versajës gjermanët ndiheshin të poshtëruar dhe krenaria e tyre kombëtare ishte prekur. Për këtë arsye, edhe në situatat e qeta në periudhën e viteve ‘20 edhe për politikanët më të moderuar gjermanë si Strasemann, qëllimi parësor ishte revizioni i rendit të Versajës. Kur gjendja ekonomike u radikalizua pas Depresionit të Madh, ku një kerr para nuk mjaftonin për të blerë një bukë për shkak të devalvimit të monedhës dhe kur shumica mbetën pa punë, gjermanët kthyen fytyrat kah alternativat ekstremiste si ajo e nazistëve. Deri në këtë kohë, ndonëse qëllimi i të gjithë politikanëve gjermanë ishte revizioni, pra shmangia e rendit të Versajës, ata nuk hoqën dorë nga mjetet paqësore.
Me ardhjen e Hitlerit këto mjete do të ndryshonin ashtu që të shkaktonin luftën më barbare në histori të njerëzimit. Është dashur që forcat ushtarake të Aleatëve të hynin deri në Berlin për ta kryer procesin e denacifikimit një herë e mirë. Pra, përkundër ndryshimit të mjeteve dhe metodës, periudha në mes të dy luftërave për Gjermaninë është periudha e përpjekjes për revizion, rikthim, dhe rimodelim të politikës dhe kufijve evropianë dhe, për më shumë, te gjermanët dhe politikëbërësit e tyre, që ishin vazhdimësi e kuadrit politik të paraluftës, ekzistonte një gjendje psiko-politike e ndjenjës së tradhtisë nga “tjetri”, një kompleks madhështie i ndrydhur padrejtësisht nga lufta dhe rendi pas saj. Krejt kjo përpjekje do të përfundonte, ndoshta përgjithmonë, me pushtimin e Berlinit nga forcat e Aleatëve.
Është e rëndësishme të dihet që në një gjendje shumë të përafërt psiko-politike është edhe Serbia. Prej humbjes së Kosovës më 1999 ajo ka punuar vazhdimisht për ta dobësuar atë në mënyrë që ta kthejë një ditë dhe kjo vlen edhe pothuajse për të gjitha shtetet e tjera ballkanike. Për më tepër, një prej qëllimeve kryesore të politikës serbe është revizioni dhe kuadri politik në krye të proceseve gjenocidale të viteve ‘90 vazhdon të jetë në pushtet. Serbia nuk është denacifikuar. Ajo nuk mohon që në një situatë më të përshtatshme politike nuk do të hyjë përsëri në Kosovë dhe kjo po shihet edhe këto ditë me provokimet e situatës në veri të Kosovës dhe në atë pjesë të kufirit. Ajo nuk është penduar dhe “miti i humbjes së luftës në tavolinë e jo në terren” mbizotëron te populli serb dhe vendimmarrësit e tij.
Deri tash Serbia revizionin është munduar ta realizojë me mjete diplomatike. Por, ne jemi të sigurt që ajo e ka potencialin ta nxjerrë në pah një Hitler/Milosheviq të ri, siç po dëshmohet edhe këto ditë. Është e rëndësishme për diplomacinë kosovare të vihen në pah vazhdimisht në takime dhe diskutime me shtetet e tjera, sidomos me vendet evropiane dhe ShBA-në, dhe po ashtu, në media, akademi dhe forma të tjera publike, kjo gjendje dhe këto dëshira hegjemonike të imperializmit të shekullit 19 e 20 të Serbisë, të cilat edhe në rast të një marrëveshjeje të përfundimtare mes dy shteteve nuk mund të shuhen aq lehtë. Për më tepër, në rast shpërthimi, ajo gjendje do të përfshinte në konflikt edhe vendet e tjera, e sidomos shtetet evropiane, ShBA-në, Rusinë, e edhe Kinën. /sbunker/