Siç thotë ajo shprehja, e vetmja mënyrë “për të pushuar” shefin tuaj, është duke dhënë dorëheqjen nga puna. Kështu që kur një anëtar i ekipit largohet, është e vështirë të mos e merrni personalisht.
Mund të pyesni veten: A do t’ju shohin të tjerët si një udhëheqës i keq? Apo do të pyesin se çfarë nuk shkon me ekipin tuaj?
Megjithëse këto mendime janë të natyrshme, ato gjithashtu mund t’ju pengojnë të kuptoni se është normale dhe madje e shëndetshme që të ketë qarkullim në ekip. Njëlloj si fëmijët që rriten dhe largohen nga shtëpia.
Ka avantazhe në largimin e anëtarëve të ekipit, dhe ja tre arsye pse kjo mund të jetë një gjë e mirë:
– Krijon mundësi për të tjerët
– Sjell ide të reja
– Vendos ambasadorë diku tjetër
Largimi i një anëtari të ekipit krijon mundësi për të tjerët
Kjo krijon mundësi që ju të ri-imagjinoni ekipin dhe të tërhiqni njerëz të rinj në sistem, çka na sjell në përfitimin tjetër: Me njerëz të rinj vijnë ide të reja
Megjithëse stabiliteti i ekipit ka përfitimet e tij, kur çohet në ekstrem, ai kthehet në detyrim. Kur keni të njëjtët njerëz në të njëjtin ekip, për një kohë të gjatë, gjërat zakonisht ngecin. Është si puna e atyre çifteve të martuara prej shumë kohësh, që janë në gjendje të përfundojnë fjalitë e njëri-tjetrit.
Kur vijnë njerëz të rinj në kompaninë tuaj, ata mund të sjellin me vete atë “frymën e re” për të cilin ju dhe ekipi juaj kishit nevojë.Por edhe pa sjellë një risi të madhe, kur një person i ri vjen në ekipin tuaj, ai automatikisht shton vlerë, sepse sjell një perspektivë të re.
Personat e rinj gjithashtu kanë mësuar diku tjetër gjëra që mund të jenë me vlerë për ekipin tuaj. Kjo aftësi për të lidhur pikat dhe për të ofruar sugjerime, është ajo që nxit inovacionin. Por duhet të siguroheni që ju dhe anëtarët e ekipit tuaj të jeni të hapur për ide të ndryshme dhe të mos i refuzoni menjëherë ato me pretendimin se “ne nuk i bëjmë gjërat në këtë mënyrë”.
Kur një anëtar i ekipit largohet, shiheni këtë si një mundësi të artë për të sjellë dikë të ri dhe të ndryshëm. Madje ky person i ri mund të jetë edhe më i aftë se personi që u largua.
Anëtarët e ekipit që largohen bëhen ambasadorët tuaj diku tjetër
Kur largimi është në terma miqësorë, ju mund të krijoni ambasadorë për grupin, departamentin dhe biznesin tuaj… po ashtu edhe veten. Mund ta konsideroni këtë sikur keni dikë “brenda” një departamenti ose organizate tjetër që mund t’ju ndihmojë të ndërtoni ura. Me fjalë të tjera, anëtarët e ekipit që largohen, mund të bëhen partnerët tuaj të ardhshëm.
Po nëse ata shkojnë tek një konkurrent?
Ka një përfitim kur ke një kanal tëndin ose një lidhje në grupe ose organizata të tjera, qoftë edhe konkurrente. Mund të qëllojë rasti që duhet të bashkëpunoni me ta. Pra, kur anëtarët e ekipit largohen, mos e merrni personalisht.
Mendoni si një udhëheqës. Vlerësoni situatën në mënyrë racionale, dhe shfrytëzoni përfitimet që vijnë kur një anëtar i ekipit largohet. / May Busch, The Ladders