“Ekzistojnë dy mënyra për të pushtuar dhe për të skllavëruar një vend: nëpërmjet shpatës ose nëpërmjet borxhit”, kështu ishte shprehur presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Adams. Kina ka zgjedhur rrugën e dytë, duke përqafuar praktikat e epokës koloniale dhe është shndërruar me shpejtësi në kreditorin më të madh zyrtar në botë.
Me huatë e saj ndërkombëtare që tejkalojnë më shumë se 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto botërore, Kina ka eklipsuar huadhënësit tradicionalë, përfshirë Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe të gjitha kombet kreditore të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Duke dhënë hua të mëdha me kushte të bashkangjitura për shtete në rrezik financiar, Kina jo vetëm ka rritur pushtetin mbi këto shtete, por edhe ka zënë disa prej tyre në grackën e borxheve që rrënon sovranitetin e një shteti.
Shteti më i fundit që ka rënë pre e kurthit kinez është Laosi, i cili kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje koncesioni 25-vjeçare që lejon një kompani me shumicë kineze të kontrollojë rrjetin kombëtar të energjisë. Në vend që të vlerësojë më parë aftësinë e kreditimit të një vendi huamarrës, Kina pranon me kënaqësi të japë hua, sepse sa më e rëndë të jetë barra e borxhit për huamarrësin, aq më shumë avantazh ka Kina.
Një studim i ri ndërkombëtar ka hedhur dritë mbi praktikat manipuluese dhe shfrytëzuese të huazimit të Kinës, duke analizuar 100 kontrata kineze të huazimit me 24 vende. Kontratat e njëanshme, përveçse kufizojnë opsionet e kombeve huamarrëse, u japin bankave shtetërore të Kinës një diskrecion të pastër, duke përfshirë fuqinë për të eliminuar huatë ose për të kërkuar shlyerje të plotë të borxhit përpara afatit. Kina përdor hua të sponsorizuara nga shteti për të avancuar në mënyrë agresive interesat tregtare dhe gjeopolitike. Studimi raporton lidhje të forta midis kontratave financiare, tregtare dhe ndërtimore të Kinës me vendet e tjera.
Shumë hua kineze nuk janë bërë publike, duke lindur problemin e “borxhit të fshehur”. Që nga viti 2014, çdo kontratë ka përfshirë një klauzolë konfidencialiteti që e detyron vendin huamarrës të mbajë të fshehtë kushtet apo edhe vetë ekzistencën e kredisë. Një fshehtësi e tillë e zbatuar nga Kina, siç thekson studimi, shkel parimin që borxhi publik duhet të jetë publik dhe jo i fshehur nga taksapaguesit, në mënyrë që qeveritë të mbahen përgjegjëse.
Detyrimi i palës tjetër për të mbajtur të fshehta provizionet kontraktuale është gjithashtu i domosdoshëm, sepse marrëveshjet e huasë e pajisin Kinën me një “aftësi të plotë për të anuluar një hua ose për të përshpejtuar shlyerjen, nëse nuk pajtohet me politikën e huamarrësit”, qoftë të brendshme apo të jashtme. Studimi zbuloi se kontratat gjithashtu e detyrojnë huamarrësin të përjashtojë borxhin kinez nga çdo proces ristrukturimi shumëpalësh, siç është Klubi i Parisit. Kjo bëhet me qëllimin që vendi huamarrës të mbetet i varur nga Pekini.
Studimi konfirmon se vetëm pak nga ato që ofron Kina janë ndihma ose hua me interes të ulët. Financimi i infrastrukturës vjen kryesisht në formën e kredive, si ato nga tregjet private të kapitalit. Sa më e rëndë të jetë situata financiare e huamarrësit, aq më i lartë është niveli i interesit që Kina ka të ngjarë të kërkojë për huazimin e parave. Në kontrast të plotë, normat e interesit për huatë e infrastrukturës të Japonisë për vendet në zhvillim, kryesisht janë nën gjysmë për qind. Shumë nga kontratat e huasë të Kinës gjithashtu përfshijnë marrëveshje kolaterale.
Studimi nuk shqyrtoi se si shtetet huamarrëse detyrohen t’u ofrojnë Kinës asetet e tyre strategjike, kur nuk janë në gjendje të ripaguajnë kreditë kineze. Në Laosin e pasur me burime ujore, transferimi i kontrollit të rrjetit kombëtar elektrik në duart e kinezëve, ka ndërhyrje edhe për burimet ujore, sepse energjia hidrike përbën më shumë se katër të pestat e gjenerimit kombëtar të energjisë elektrike.
Një nga sukseset më të hershme të Kinës ishte sigurimi i një territori strategjik me shtrirje 1,158 kilometra katrorë nga Taxhikistani në vitin 2011, në këmbim të faljes së borxhit. Që atëherë, siç nënvizon baza ushtarake kineze në Badakhshan, Kina ka konsoliduar edhe më tej vendin e saj në Taxhikistan, falë një elite të korruptuar në pushtet.
Një shembull më i famshëm është transferimi i Portit Hambantota të Sri Lankës, së bashku me më shumë se 6 mijë hektarë tokë përreth tij, me qira 99-vjeçare. Koncepti i një qiraje të tillë, si për ironi të fatit, lindi nga vrulli i zgjerimit kolonial evropian në Kinë në shekullin XIX-të. Transferimi i portit më strategjik të rajonit të Oqeanit Indian në fund të vitit 2017, në Sri Lanka, u konsiderua si ekuivalente e një fermeri borxhli që i ofron vajzën huadhënësit të tij mizor.
Diplomacia kineze e kurthit të borxhit nuk ka kursyer as aleatin e ngushtë, Pakistanin. I ngarkuar me borxhe të mëdha kineze, Pakistani i ka dhënë Kinës të drejta ekskluzive për të drejtuar Portin Gwadar për katër dekadat e ardhshme dhe Pekini ka fituar të drejtën të fusë në xhep 91 për qind të të ardhurave të portit. Kina gjithashtu planifikon të ndërtojë pranë Gwadar, një kamp ushtarak për flotën e saj.
Në vendet e vogla ishullore, Kina ka shfrytëzuar huatë e mëdha për të blerë ishuj të tërë përmes të drejtave ekskluzive të zhvillimit. Kina mori disa ishuj në arkipelagun e Oqeanit Indian të Maldiveve dhe një ishull në Paqësorin Jugor. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka refuzuar që të shpëtojë republikën e vogël ballkanike të Malit të Zi nga borxhet kineze.
Nisma kineze “Një rrugë, një brez”, e njohur si “Rruga e re e mëndafshit” është akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim dhe shumë nga projektet e saj të përfunduara nuk kanë dalë me vlerë financiare. Por, sipas një raporti të paklasifikuar të inteligjencës amerikane, të publikuar më 13 prill, Pekini do të vazhdojë të promovojë këtë nismë. Mbi të gjitha, kjo nismë është thelbësore për diplomacinë kineze të kurthit të borxhit. Kina shpesh fillon si partneri ekonomik i një vendi të vogël dhe të dobët financiarisht, duke u bërë gradualisht padroni i tij ekonomik.