5 shenja që tregojnë se punonjësi mund të jetë gati të japë dorëheqjen

Shenjat paralajmëruese që tregojnë se një punonjës po mendon që të largohet nga puna, bëhen edhe më të vështira për t’u zbuluar kur ata punojnë nga shtëpia.

Kur punonjësit janë duke punuar në një zyrë, mund të jetë më e lehtë të dallosh dikë që mund të mendojë të japë dorëheqjen. Telefonata të bëra në ambientet e jashtme, kërkesa për pushime shtesë dhe një qëndrim ndryshe nga ai i mëparshmi mund të jenë tregues se diçka nuk po shkon ashtu siç duhet me të dhe, mbi të gjitha, që ai mund të jetë duke zhvilluar intervista për të filluar punë diku tjetër. Por kur punonjësit punojnë nga shtëpia, dallimi i shenjave të tilla bëhet edhe më i vështirë.

“Shenjat kryesore të paralajmërimeve… shpesh lidhen me faktin nëse ai punonjës po përfshihet në atë që ne e quajmë sjellje të tërhequr”, thotë Angela Hall, profesoreshë e asociuar në Shkollën e Burimeve Njerëzore dhe Marrëdhënieve të Punës në Universitetin Shtetëror të Miçiganit. Kjo sjellje mund të marrë dy forma: fizike ose psikologjike.

Sipas një studimi të kryer nga meQuilibrium, shumica e punonjësve, edhe ata që mund të duket se po shfaqin shenja të tilla nuk kanë ndër mend që të japin dorëheqjen (rreth 60 për qind). Por për të dalluar punonjësit që do të largoheshin pa e menduar dy herë nëse do t’u krijohej mundësia për një ofertë më të mirë, ne ju vijmë në ndihmë me 5 sjellje tipike të tyre:

1. Mungesa të theksuara në punë

Punonjësit që mund të mendojnë të japin dorëheqjen, fillojnë të mungojnë shumë në punë. Ata nuk angazhohen po në të njëjtën mënyrë dhe nuk janë më produktivë. Shenja të tjera, karakteristikë e sjelljes së tyre, janë edhe ato që tregojnë një gjendje emocionale të rënduar, ankth, zhgënjim dhe trishtim.

Ata janë më pak pozitivë në pikëpamjen e tyre dhe tregojnë të gjitha shenjat e depresionit klinik dhe nivelet klinike të stresit. Ankthi dhe stresi i tyre shpesh shfaqet në formën e pagjumësisë dhe si një nevojë e vazhdueshme për të pasur siguri.
Mungesa ne punë është një faktor tregues i një sjelljeje të tërhequr nga ana fizike. Kjo mund të fillojë të shfaqet në forma të ndryshme, si të ardhurit vonë në punë, largimi nga puna përpara orarit zyrtar dhe kërkesave të vazhdueshme për të marrë pushime.

2. Ndryshimi i papritur në sjellje

Shenjat që tregojnë një sjellje të tërhequr nga ana psikologjike përqendrohen në mungesën e angazhimit në punë, shprehet znj. Hall. Për punonjësit në distancë, shenja të tilla mund të jenë moshapja e kamerës, shfaqin gjithnjë e më pak entuziazëm dhe rendiment më të ulët.
Kjo nuk do të thotë se do të kemi të bëjmë patjetër me sjellje negative. P.sh.,nëse një punonjës e ka pasur në karakter që për çdo gjë të ankohej, tani ai nuk ankohet më për asgjë, sepse ka gjetur një zgjidhje më të mirë për të.

3. Vonesa në përgjigjet me e-mail

Kërkimi i kryer dhe botuar nga studiuesit e Akademisë së Menaxhimit, Heejung Byun nga Universiteti Purdue dhe David A. Kirsch nga Universiteti Maryland zbuluan se koha që i duhet një punonjësi për të kthyer një përgjigje me e-mail, lidhet me faktin nëse ai po mendon ose jo të largohet nga puna ku është aktualisht. Vonesat ose moskthimi fare i përgjigjes mund të jenë tregues që një punonjës po e mendon seriozisht që të largohet nga puna.

Megjithatë nuk duhet të nxitohemi, shprehet z. Kirsch, sepse mund edhe të qëllojë që një punonjës të ketë edhe shumë arsye të tjera që kanë ndikuar në kthimin e përgjigjes me e-mail me vonesë. Por nëse kjo gjë bëhet në mënyrë të vazhdueshme, atëherë duhet marrë padyshim në konsideratë.

4. Punojnë jashtë orarit zyrtar

“Treguesi numër një që dikush është gati të largohet nga puna është kur ata marrin materiale të ndryshme të punës dhe ia dërgojnë vetes me e-mail ose i hedhin në dropbox-in e tyre”, shprehet Joe Payne, president dhe CEO i Code42, kompani në fushën e sigurisë kibernetike.
Dhe normalisht që një gjë të tillë ata nuk do ta bëjnë gjatë orarit zyrtar të punës, por jashtë orarit, atëherë kur mund të veprojnë lirisht, sepse kolegët e tjerë nuk ndodhen aty, shton më tej z. Payne.

5. Aktivitet i ri në LinkedIn

Një mënyrë e mirë për të konfirmuar dyshimet që ju mund të keni, është që të kontrolloni profilin e LinkedIn të punonjësit.
Nëse ju shikoni që ata e kanë përditësuar LinkedIn-in e tyre me një sërë aktivitetesh, ky është një tregues i mirë i faktit që ata po mundohen të krijojnë një prezantim sa më të mirë të vetes në këtë platformë. Kjo është një strategji e mirë, për t’iu prezantuar në mënyrën më të mirë të mundshme, punëdhënësit të ri. / Fast Company

Artikulli paraprakTë zgjedhësh mospërballjen – Justinian Topulli
Artikulli tjetërAplikacioni Signal, një hap më tutje