Arsyet përse biznesi duhet të promovojë praktikat e punës, sidomos ato të paguarat

Në ditët e sotme, gjithnjë e më shumë biznese janë duke zbuluar përfitimet dhe rëndësinë që kanë programet e praktikave të punës për ta. Praktikat e punës mund të konsiderohen si thelbësore për përgatitjen e hapave të parë të karrierës, ndërlidhjen e talenteve me mundësitë e ofruara dhe ndërtimin e një force punëtore të qëndrueshme. Pavarësisht këtyre makropërfitimeve, internshipet ofrojnë përfitime specifike për një biznes që zgjedh të punësojë të rinj si praktikantë, sikurse paraqiten në vijim.

Praktikantët ofrojnë këndvështrime të ndryshme dhe risi

Jo gjithmonë një biznesi i jepet mundësia të shohë se si duket puna e tij nga jashtë, në syrin e atyre që nuk janë të përfshirë në operacionet e biznesit. Po ashtu edhe ata që janë përfshirë në industrinë ku biznesi operon. Praktika e punës mund të jetë një rast i volitshëm për të marrë këndvështrime të reja, për të rimenduar strategjitë dhe planet.

Praktikantët japin “një dorë të mirë”

Nëse krijojmë kushtet dhe hapësirat e përshtatshme, duke i përfshirë ata në detyra dhe projekte me rëndësi, ndërkohë që i trajnojmë në mënyrë të kujdesshme dhe të vazhdueshme, praktikantët janë me të vërtetë ndihmues në realizimin e punëve dhe arritjen e qëllimeve.

Praktikantët kanë potencial për të qenë punonjësit tuaj në nivele fillestare

Përse të punësoni njerëz që nuk kanë punuar kurrë në kompaninë tuaj më parë, kur mund të merrni dikë që ka kaluar në “filtrat” tuaj të vlerësimit? Përse të mos punësosh të rinj si praktikantë, punonjës që tashmë e njohin biznesin dhe mënyrën se si funksionon kompania? Një praktikë mund të konsiderohet si një periudhë e mirë prove që çon në punësim.

Të gjithë llojet internshipeve janë të dobishëm, por një internship i paguar bën që asnjë përpjekje, kohë, energji dhe burim të mos humbasë. 

Praktikat e paguara tërheqin kandidatët më të mirë 

Punonjësit janë një “aset” për çdo institucion, ndaj prej rëndësisë së lartë që ata kanë në performancën e kompanisë çdo biznes duhet të kërkojë të punësojë më të mirët. Ndonëse pagesa mund të mos jetë faktori kryesor motivues ajo sillet si “magnet” për më të përgatiturit.

Pagesa rrit seriozitetin e internshipit

Praktikantët duke punuar kundrejt një pagese, qoftë kjo dhe minimaliste, do t’i bëjë ata ta konsiderojnë punën e tyre të vërtetë, ashtu sikurse është. Zbatimi i kësaj praktike i nxit ata të përfshihen më shumë, të kenë ndjenjën e përkatësisë ndaj punës dhe kompanisë dhe i shtyn të marrin risk për angazhime të reja.

Internshipet kundrejt pagesës janë të qëndrueshëm

Zakonisht, internët janë studentë me kohë të plotë që u duhet të ndjekin leksionet, të bëjnë detyrat apo dhe ndonjë punë me kohë të pjesshme. Nëse realisht biznesi kërkon përfshirje frytdhënëse, përgjegjësi për dorëzimin e një pune cilësore, respektimin e afateve, do të thotë që kërkohet vëmendje e plotë nga ana e internit dhe për këtë pagesa mendohet si trajtim dinjitoz dhe çon në qëndrueshmëri.

Pagesa e ndihmon praktikantin të integrohet në skuadër

Puna është një mjedis dinamik dhe në mënyrë që të arrihet sukses të gjithë anëtarët e stafit duhet të jenë të përfshirë në këtë dinamikë. Si rrjedhojë koha e kaluar së bashku midis punonjësve pas pune ndihmon në krijimin e marrëdhënieve më të afërta midis tyre. Duke qenë se praktikantët, thuajse gjithmonë, kanë kohë të ngjeshur dhe buxhet të kufizuar nuk arrijnë të bëhen pjesë e skuadrës në mungesë të një pagese.

Praktika e paguar është ura më e mirë lidhëse për të kaluar në punësim

Kur internshipi paguhet tregon angazhim të lartë nga ana e biznesit, për rrjedhojë kandidatët që aplikojnë si praktikantë do të jenë ata me synime afatgjata dhe të qëndrueshme. Punonjësit me synime afatgjata janë më të gatshëm të investohen në punë me të gjitha aftësitë dhe burimet që ata zotërojnë.

Pavarësisht të gjithave, thjesht gatishmëria për të marrë praktikantë në biznes nuk përkthehet domosdoshmërisht në sukses. Për këtë kërkohet përkushtim dhe investim në kohë, në proçese të vazhdueshme trajnimi dhe mentorimi.  /BM/

Artikulli paraprak3 sjellje që njerëzit e suksesshëm i shmangin
Artikulli tjetërLG po mbyll biznesin e saj të smartphone-ve në të gjithë botën