Hulumtimet tregojnë se përfundimi i një detyre të vështirë ka të bëjë me kontrollin kognitiv, një aftësi që çdokush mund ta përmirësojë. Të gjithë kemi detyra sfiduese që duam t’i kryejmë. Gjetja dhe ruajtja e energjisë mendore të kërkuar është e vështirë. Shpërqëndrimet mund të duken konstante dhe shumë pranë. Fillimi është i vështirë. Rinisja, pas një ndërprerje, është edhe më e vështirë.
Në terma të përgjithshëm, njerëzit që kanë tendencë për t’i bërë gjërat kanë më shumë nga ajo që neuroshkencëtarët e quajnë kontroll kognitiv: funksioni mendor që ju lejon të lidhni planet dhe qëllimet me veprimet tuaja.
Me pak fjalë, arsyeja përse ndonjëherë nuk bëni gjëra të rëndësishme dhe, më e rëndësishmja, se si mund ta ndryshoni këtë.
Ky është dhe fokusi i librit të Dr. David Badre “On Task”: pse ne kemi kaq shumë vështirësi të qëndrojmë të përqendruar në detyrat tona, madje edhe ato që ne i shijojmë dhe që me të vërtetë duam t’i kryejmë. Përse e shtyjmë punën për detyrat e vështira dhe u drejtohemi “fitoreve” të lehta si kontrolli i listës së gjërave për të bërë.
Si mund të ushtroni kontroll më të madh kognitiv dhe të përmbushni më shumë nga gjërat që kanë vërtet rëndësi për ju?
Lironi kohën tuaj
Le të themi që keni nevojë për të zgjidhur një problem të vështirë, një që kërkon sforcim mendor përmes një larmie të dhënash, njohurish dhe opsionesh. (Në terma neuroshkencorë, kjo quhet “grup detyrash”.)
Sa më e ashpër detyra, aq më pak gjasa ka të mund ta mbani atë detyrë të vendosur në kujtesën tuaj të punës. Sidomos nëse vazhdimisht keni shpërqëndrime. Ama ka dhe kjo një kosto: sa herë që përqendroheni në diçka tjetër, procesi i “ripërqëndrimit” në atë detyrë kërkon energji dhe burime të konsiderueshme mendore.
Sa më shumë kohë të mund të lironi dhe sa më shumë të minimizoni shpërqëndrimet dhe ndërprerjet, aq më i mirë është rezultati.
Dhe nëse nuk mund ta mbaroni, përpiquni të ruani të njëjtin mjedis herën tjetër kur të përqendroheni në atë detyrë. Sipas Badre, meqenëse rekuperimi i kujtesës ndikohet nga konteksti, puna për një detyrë në të njëjtin mjedis mund të ndihmojë në rikuperim dhe t’ju ndihmojë të ripërqëndroheni më shpejt në grupin tuaj të detyrave.
Në këtë rast, familjariteti krijon produktivitet.
Mblidhni mjetet e nevojshme para kohe
Disa njerëz e shohin përgatitjen për të punuar në një detyrë të rëndësishme si një lloj rituali “përgatitje”: Akti i mbledhjes së mjeteve, mbledhjes së informacionit, ngritjes së hapësirës së tyre aktuale të punës ose virtuale, këto veprime i ndihmojnë në përqëndrim.
Ndonëse “koha juaj e përgatitjes” mund të duket si një arritje në vetvete, të gjitha rregullimet dhe përgatitjet shërbejnë vetëm për t’ju penguar të përqendroheni në ato që duhet të realizoni në të vërtetë.
Dhe zvogëlon sasinë totale të energjisë mendore që keni në dispozicion.
Në vend të kësaj, përgatituni para kohe. Ndoshta një natë më parë. Bëni një listë. Bëni disa shënime. Rishikoni informacionin. Mblidhni materialet që ju nevojiten.
Përgatiteni veten për të punuar, sepse një mendje efikase priret të qëndrojë efikase.
Mos kryeni shumë detyra në të njëjtën kohë
Të gjithë mendojmë se jemi të mirë në kryerjen e shumë detyrave edhe pse kërkime të konsiderueshme tregojnë se në të vërtetë nuk jemi. (Disa studime madje tregojnë që shumë detyra na bëjnë “budallenj”.)
Kur jeni duke punuar për një detyrë të vështirë, përpjekja për të bërë shumë detyra zvogëlon sasinë e kujtesës së punës të disponueshme për detyrën që ka rëndësi. Në vend që të jepni më të mirën tuaj, ju mund t’i siguroni vetëm një pjesë të fuqisë suaj të trurit, pavarësisht nga fakti që mund të ndihet sikur jeni duke punuar jashtëzakonisht shumë (mendërisht).
Prandaj përqendrohuni vetëm në një gjë.
Dhe për t’u siguruar që mundeni, mbyllni njoftimet. Mbyllni emailin tuaj. Vendosni telefonin tuaj larg. Bëni më të mirën që të siguroheni se nuk do t’iu shqetësojnë.
Sepse kostoja e të bërit të shumë detyrave është një kosto që nuk mund ta përballoni.
Krijoni një proces që funksionon për ju
Gjëja e parë që bëni në mëngjes është shpesh gjëja më e rëndësishme që do të bëni pasi ajo vendos tonin për pjesën tjetër të ditës.
Ndoshta ju jeni më produktiv në zgjidhjen e problemeve kur bëni një shëtitje. Ndoshta stilolapsi dhe letra funksionojnë më mirë se një pajisje elektronike kur krijoni ide. Ndoshta ju punoni më me efektivitet kur zgjoheni herët, ose qëndroni zgjuar pasi të gjithë të tjerët kanë fjetur.
Çelësi i suksesit është të gjeni një rutinë, një proces ose një strukturë që ju lejon të jeni maksimalisht produktiv. Pra, mos analizoni vetëm rezultatet, bëni një hap prapa dhe analizoni procesin që përdorni për të arritur ato rezultate. Në këtë mënyrë, ju do të zhvilloni dhe përsosni një sistem që funksionon për ju.
I cili do të jetë një investim për produktivitetin që do t’iu shpërblejë në vitet që vijnë.
Sepse, siç tregon hulumtimi neuroshkencor, çelësi për arritjen e qëllimeve të mëdha është të keni aftësitë për të ekzekutuar një veprim si dhe optimizimin e fokusit, kontrollit të detyrave dhe kapacitetit të kujtesës së punës.
Dhe përmbushjen e gjërave që vërtet dëshironi të përmbushni.