ENERGJIA FIZIKE

Pyetja e rëndësishme  është:

Si mund ta rrisim energjinë tonë? Kemi tri lloje kryesore të energjisë: Energjia fizike, mendore dhe emocionale.

Energjia fizike:

Duke folur për energjinë fizike, do të trajtojmë me radhë frymëmarrjen, sistemin e të ushqyerit dhe ushtrimet sportive.

a) Frymëmarrja:

Frymëmarrja është hapi i parë dhe më i rëndësishmi për prodhimin e energjisë fizike të madhe. Shëndeti i trupit është në të njëjtin nivel më shëndetin e qelizave nga të cilat ai përbëhet… Ti mund të jetosh një javë pa ngrënë asnjë lloj ushqimi, 48 orë pa pirë ujë, por nuk mund të mbijetosh më tepër se pesë minuta, pa marrë frymë. Shumë njerëz nuk e dinë mënyrën e saktë se si merret frymë, dhe pjesa më e madhe e tyre përdorin më pak se një te tretën e aftësisë së mushkërive për frymëmarrje, pavarësisht se ajri është falas!!!… Duhet ta dish mirë se çfarëdo programi shëndetësor që ti ndjek, përqendrohet tek frymëmarrja në mënyrë të drejtë. Programet e ushtrimeve mendore dhe fizike, si përshembull joga, meditimi, noti dhe artet marciale, të gjitha këto përqendrohen në fuqinë e frymëmarrjes. Frymëmarrja në mënyrën e duhur, e pastron gjithë trupin, në një mënyrë efikase, me rreth 15 herë më shumë sesa mënyra e zakonshme e të marrit frymë.          Për këtë, doktor Weber, fitues i çmimit Nobel në shkencën e “Fiziologjisë së qelizës”, thotë: “Oksigjeni është i domosdoshëm për formimin e qelizave të shëndetshme e të rregullta, dhe cilësinë e jetës që ti jeton, e përcakton cilësia e qelizave të trupit tënd.” Sipas kësaj, pasurimi i trupit me sasinë më të madhe të mundshme me oksigjen, duhet të jetë qëllimi yt i parë dhe kujdesi yt më i madh, që të jetosh një jetë të shëndetshme dhe që të kesh një sasi më të madhe të energjisë.

Për sa i përket temës së frymëmarrjes, duhet të përmendim dy lloje të frymëmarrjes:

1. Frymëmarrja shkarkuese:

Kjo mënyrë e frymëmarrjes është ajo që i pastron qelizat e gjakut nga çdo papastërti që mund të shkaktojë bllokim. Që të arrish këtë mënyrë frymëmarrjeje, mund të bësh siç vijon:

Thith ajër me hundë, aq sa të numërosh deri në 4 dhe mbushi mushkëritë me ajër!

Mbaje frymën përbrenda, aq sa të numërosh deri në 10!

Nxirre frymën ngadalë nga goja, aq sa të numërosh deri në 5!

Përsërite ushtrimin, në mënyrë që ta rritësh kohën që e mban frymën brenda dhe pastaj ta nxjerrësh gjithmonë në një kohë sa gjysma e kohës që e mbajte… Për shembull, nëse e mban frymën aq sa të numërosh deri në 12, duhet ta nxjerrësh pastaj për aq kohë sa të numërosh deri në 6; nëse arrin të numërosh deri në 16, nxjerrja duhet të bëhet aq sa të numërosh deri në 8. Dhe në vazhdimësi, duhet ta shtosh kohën, gradualisht dhe me ngadalë, dhe kujtoje gjithmonë se kjo nuk ka kufi, përveç kufirit që ti ia vë vetes sate.

2. Frymëmarrja për prodhimin e energjisë:

Merr ajër nga hunda derisa të numërosh në 4!

Nxirre frymën nga goja derisa të num ërosh në 4, në një mënyrë të tillë sikur je duke fikur qiriun!

Bëje këtë ushtrim 10 herë!

Duhet t’i praktikosh ushtrimet e Frymëma rrjes Shkarkuese dhe të Frymëmarrjes për Prodhimin e Energjisë, tri herë në ditë: në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje, derisa të të bëhet pjesë e rutinës sate të përditshme dhe vëreje rritjen e nivelit të energjisë tek ti.

Meqenëse ti gjithsesi merr frymë, në cilën do gjendje qofsh, atëherë pra, bëje këtë proces në mënyrën e duhur dhe gëzo një sasi masive energjie.

b) Regjimi i ushqyerjes:

A ka ndodhur që të praktikosh një regjim të caktuar ushqyerjeje, për të rënë nga pesha apo për të fituar peshë?… Nëse përgjigjja është “po”, a ka qenë i suksesshëm për ty ky regjim?

Shkencëtarët në Universitetin e Harvardit, kanë zbuluar se 90% e regjimeve të ushqyerjes nuk japin ndonjë rezultat që ia vlen, dhe se ata që i ndjekin këto regjime për zbritjen nga pesha, zakonisht kthehen përsëri në peshën e tyre origjinale dhe nganjëherë në një peshë më të madhe se ajo. Regjimi i ushqyerjes, në gjuhën angleze quhet “Diet”. Nëse e zbërthejmë këtë fjalë, gjejmë se ajo përbëhet nga fjalët “Die or eat”, që do të thotë “Vdis ose ha”. Kur ti ndjek një regjim ushqyerjeje të caktuar, rezultati është se trupi dhe mendja jote fillojnë të kenë frikë nga ideja e urisë, dhe për këtë arsye, ato të dyja bashkohen kundër teje, prandaj ndjen uri shumë më shpejt… Sipas një regjimi ushqyerje, me anë të të cilit ti ke për qëllim të zbresësh në peshë, për shembull, është shumë e vështirë të arrish vërtet sukses, dhe ajo që të nevojitet më së shumti për këtë, është regjimi i duhur për jetën tënde në tërësi.

Molieri thoshte: “Duhet që ne të hamë për të jetuar, jo të jetojmë për të ngrënë.”…

Shumë nga ata që marrin pjesë në ligjëratat e mia rreth shëndetit, thonë se atyre u pëlqen të hanë, dhe se kjo është diçka argëtuese për ta… Përgjigjja ime ndaj tyre është me fjalët e Bernard Shaw, i cili thoshte: “Nuk ka dashuri më të vërtetë se dashuria për ushqimin… dhe ne i hapim varret tona me dhëmbët tonë, çdo ditë.”

Kur mendojmë se 70% e globit tokësor është ujë, dhe se rreth 70% e trupit të njeriut është ujë, cili mendon ti të jetë elementi më i rëndë sishëm i regjimit tënd të të ushqyerit?… Natyrisht që uji! A nuk është kështu?… Në fakt, ushqimi i shëndetshëm, si perimet dhe frutat, përmbajnë përqindje të lartë uji. Unë, për shembull, në mëngjes përpiqem që më së shumti të marr fruta, ose lëng të shtrydhur nga 8 karota dhe dy molla. Vakti i drekës gjithashtu, duhet të përmbajë sallatë, të përbërë nga shumë lloje perimesh, e po ashtu edhe vakti i darkës… Ky është regjimi im në të ushqyer.

Ti duhet të zgjedhësh një mënyrë të shëndetshme të të ngrënit… Për shembull, pasi ke ngrënë ushqim dhe stomaku të duket ende bosh, atëherë ha fruta të ndryshme. Sofra e ushqimit duhet patjetër të ketë sallatë në të, dhe gjithashtu, kur dëshiron të hash diçka mes vakteve, është më e pëlqyeshme që kjo të jetë perime ose fruta… Një fjalë e urtë thotë: “Një mollë në ditë e mban mjekun larg”, dhe nuk kam gjetur ndonjë fjalë të urtë që thotë: Një copë çokollatë në ditë e bën këtë!!

Tani duhet patur parasysh këto që vijojnë:

– Niveli i energjisë së njeriut përkeqësohet nëse nuk merr sasitë e nevojshme të lëngjeve, dhe më i miri i këtyre lëngjeve është uji.

Dëshira për të fjetur pas mesditës dhe përqendrimi i ulët, zakonisht janë për shkak të mungesës së lëngjeve në trup.

Pi lëng frutash të freskët, pi sasi të madhe uji gjatë ditës, dhe mos prit derisa të mbërrish në etje, sepse etja është tregues i mungesës së lëngjeve në trup… Është e pëlqyeshme që gota me ujë të qëndrojë pranë teje gjithmonë dhe të pish ngadalë.

c) Ushtrimet sportive:

Shumica e njerëzve i lidhin ushtrimet sportive me dhimbjet, tërheqjet muskulare dhe këputjen e tyre, pavarësisht se ne supozohet që ato ushtrime t’i lidhim me kalimin e një kohe të bukur dhe argëtuese.

Më bën të qesh akoma dhe sot një thënie e një pjesëmarrësi në ligjëratat e mia rreth organizimit të jetës, i cili tha: Mund të bëj çfarëdo gjëje, përveç sportit, ku hera e fundit kur kam vrapuar ka qenë nga makina për tek shtëpia ime, dhe kjo ndodhi vetëm për shkak se qeni i komshinjve po më ndiqte nga pas!!!

Për t’i shijuar ushtrimet sportive, duhet të ndjekësh këto që vijojnë:

Anëtarësohu në ndonjë klub sporti, nga ata të cilët i japin rëndësi shëndetit, dhe atje do të njihesh me persona që ta tërheqin vëmendjen, sepse ata gjithmonë flasin për ushtrimet sportive dhe bëjnë një jetë të shëndetshme. Kjo lloj shoqërie do të të japë energji edhe ty.

Filloje ditën tënde me ushtrimet e frymëmarrjes që i përmendëm më herët, dhe pas kësaj, praktiko ushtrimet për forcimin e muskujve, pastaj bëj një ecje në vend, pastaj bëj një vrapim në vend, në mënyrë të ngadaltë!
Bëj ushtrime për forcimin e muskujve të barkut, të gjoksit dhe të krahëve!

Ecjen bëje pjesë të sistemit tënd të jetës së përditshme, gjë e cila nuk do të kërkojë më shumë se 15 minuta nga koha jote. Këtë mund ta praktikosh në rrugë publike, ose në një vend të mbyllur, nëse moti nuk të ndihmon.

Investo në blerjen e aparateve për ushtrime sportive.

Mund të bësh ushtrime sportive edhe para televizorit.

Natyrisht, nëse ke ndonjë problem shëndetësor, duhet të konsultohesh me mjekun tënd për ushtrimet që janë të përshtatshme në rastin tënd, dhe të cilat do të të ndihmojnë të të shtohet gjallëria dhe fuqia jote.

Fillo që sot dhe jepi rëndësi shëndetit tënd! Do të vëresh një ngritje të nivelit të energjisë sate çdo ditë, si dhe një ndryshim për mirë të këndvështrimit tënd për jetën.

Artikulli paraprakTurqia nga shtetet e vetme në botë me rritje ekonomike në kohë pandemie
Artikulli tjetërÇfarë ndalohet gjatë tregtisë së mallrave kamatare