Motivimi i brendshëm

Motivimi i brendshëm

Ky lloj motivimi, është më i forti dhe më i qëndrueshmi, sepse ti, kur ke motivim të brendshëm, je i drejtuar nga fuqitë e tua të brendshme personale, të cilat të udhëheqin të arrish rezultate të mëdha.

Kur praktikoja lojën e pingpongut, trajneri ishte një person mjaft i rëndësishëm për mua, aq sa një herë isha gati të hiqja dorë nga pjesë marrja në një kampionat, ngaqë trajneri im nuk kishte ardhur akoma. Anëtarët e skuadrës po prisnin në stacionin e trenit, të bërë gati për udhëtim, për të marrë pjesë në kampionatin e Egjiptit, ndërsa unë isha duke pritur me padurim që të më vinte trajneri. Koha kalonte e ai nuk po vinte, dhe isha gati duke u kthyer në shtëpi, nëse nuk do të më ishte afruar njëri nga shokët e ekipit, e të më thoshte: Çfarë do të bëje, nëse një ditë trajneri yt do të ndërronte jetë? A do të hiqje dorë nga loja?

Në realitet, unë nuk e kisha menduar kurrë këtë gjë më përpara. Pastaj shoku im shtoi: Ti je një lojtar i shkëlqyer dhe je në gjendje të mbështetesh tek vetja jote, jo te ndonjë tjetër. Ti je ushtruar mjaftueshëm dhe gjendja jote fizike është në nivelin më të lartë. Ti mund ta fitosh kampionatin vetë. Inkurajohu nga ata që ke rreth teje, nga familja dhe nga trajneri yt, edhe nëse ata nuk janë të pranishëm.

Fjalët e tij qenë si një stimulues freskues për mua, dhe vendosa të merrja pjesë. Gjatë kampionatit, gjendja ime ishte në nivelin më të lartë, sepse vazhdimisht e inkurajoja veten. Entuziazmi im ishte i lartë, që të fitoja kampionatin për vete dhe për të gjithë ata që e dëshironin fitoren time, përfshirë trajnerin tim gjithashtu, prandaj u mbështeta në forcat e mia dhe e fitova kampionatin e Egjiptit. Unë munda të kem sukses vetë, pavarësisht mospranisë së trajnerit tim krah meje, sepse i kisha të gjitha aftësitë dhe përgatitjet brenda meje, të cilat ishin në pritje që unë t’i nxirrja në pah. Kjo ngjarje që tregova, është një shembull për motivimin e brendshëm.

Si shembull tjetër, mund të përmend një zonjë, e cila ishte e martuar dhe kishte pesë fëmijë; marrëdhënia e saj me bashkëshortin ishte e rregullt, dhe ajo kujdesej për të më së miri. Ajo gjithashtu kujdesej më së miri edhe për fëmijët, e për shtëpinë. Por, papritur, burri i saj e braktisi dhe u lidh me një grua tjetër. Në vend që të qante e të mërzitej nga braktisja që i bëri bashkëshorti, ajo u përball me sfidën e madhe dhe kërkoi punë. Kjo grua gjeti një punë si pastruese në një hotel të vogël, dhe në më pak se pesë vjet, me përpjekjet dhe nga motivimi i saj i brendshëm, ajo u bë pronarja e këtij hoteli.

Historia tregon ngjarjen e Helen Keller, ajo zonjë që nuk shikonte as dëgjonte, dhe e cila u bë një nga mësueset dhe shkrimtaret më të forta. Por, pak njerëz kanë folur për Anne Sullivan, që qëndronte pas suksesit të Helenës, e cila ishte shoqëruese e saj, mësuesja, shoqja e saj, dhe burimi i frymëzimit për të. Ajo i qëndroi pranë dhe ishte e bindur për aftësitë e Helenës. Pavarësisht se Anna nuk kishte asnjë detyrim që ta merrte përsipër atë përgjegjësi të vështirë, por besimi i saj personal që i buronte nga brendësia e saj, ishte ai që e udhëhiqte, pra ishte motivimi i brendshëm, që e drejtonte.

Më lejo të të pyes: Nëse ti dëshiron të stërvitesh në një klub sportiv dhe bie dakord me njërin nga shokët e tu që të të shoqërojë në këtë stërvitje, por në momentin e fundit, pavarësisht marrëveshjes suaj, shoku yt e anulon premtimin, a do të shkosh ti i vetëm në stërvitje, apo do ta anulosh edhe ti këtë vendim?… Nëse motivimi yt ka qenë i jashtëm (shoku), nuk do të shkosh as ti. Por, nëse motivimi yti brendshëm të thotë që, nëse ti stërvitesh, trupi yt do të jetë më i fortë, do të kesh shëndet më të mirë dhe niveli i energjisë sate do të rritet, Motivimi yt i brendshëm do të të nxis të shkosh në stërvitje, çfarëdo që të ndodhë, qofsh i vetëm apo në shoqërinë e të tjerëve.

Motivimi i brendshëm është shkak që një njeri i zakonshëm të bëjë gjëra më të mëdha se niveli i zakonshëm, dhe të arrijë rezultate të mëdha.

Motivimi i brendshëm është forca e fshehtë, që qëndron pas suksesit të njeriut…

Motivimi i brendshëm bënë diferencën në jetën e personave…

Motivimi i brendshëm është forca që të bënë t’i mbjellësh lulet vetë, në vend që të presësh ndokënd të t’i sjellë ty…

Motivimi i brendshëm është drita që na vjen nga brenda…

Motivimi i brendshëm është gjenia i fjetur brenda nesh, në pritje që ne ta zgjojmë.

Siç ka thënë Ralph Waldo Emerson: “Ajo që gjendet para nesh dhe ajo që gjendet pas nesh, konsiderohet e pakët në krahasim më atë që gjendet brenda nesh.”

Në fakt, kjo gjë nuk është diçka e re për njohuritë njerëzore. Sokrati është i pari filozof që ka folur për ligjin e “shkakut”, qysh përpara më shumë se dy mijë vjetësh. Në ditët tona, psikologët e quajnë “Ligji, shkaku dhe rezultati”, që do të thotë se për çdo shkak, ka një rezultat, ku nëse mund ta përsëritësh shkakun, do të arrish në të njëjtin rezultat, çdo herë.

/10 Çelësat e suksesit/

Artikulli paraprakEA blen kompaninë që prodhon lojën F1 për $1.2 miliardë
Artikulli tjetërStudimi / Rekord videothirrjesh nga smartphone në 2020