Shpresat e një aktiviteti “të mundësuar nga vaksinat” gjatë këtij viti, kanë çuar Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) të përditësojë parashikimin e tij për rritjen ekonomisë në vitin 2021.
Parashikimi i ri i FMN-së është për një rritje të ekonomisë botërore prej 5.5 për qind gjatë këtij viti dhe 4.2 për qind në vitin 2022.
Për Britaninë e Madhe, parashikimi i rritjes për këtë vit është ulur në 4.5 për qind, sidoqoftë, FMN tani mendon që tkurrja e saj vitin e kaluar nuk ishte aq e thellë sa e kishte vlerësuar më parë.
FMN tha se, tkurrja e vlerësuar prej 10 për qind në Britaninë e Madhe ishte ende më e madhja në shtatë ekonomitë kryesore në botë.
Përmirësimi botëror pasqyron, përveç zhvillimeve të vaksinave, edhe masat e shpenzimeve të ndërmarra nga qeveritë në fund të vitit të kaluar, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe Japoni. Të dyja këtyre vendeve u është dhënë një përmirësim i ndjeshëm në parashikimin e ri.
Këto dy ekonomi parashikohet të kthehen në nivelet e aktivitetit të para-pandemisë, që është në fund të vitit 2019, më vonë gjatë këtij viti.
Nga ana tjetër, FMN thotë se veprimtaria në Eurozonë ka të ngjarë të mbetet nën nivelet para-pandemisë deri në vitin 2022.
Sipas FMN-së, më e vështirë do të jetë për ekonomitë në zhvillim që mbështeten në turizëm ose në shitjen e naftës. Kërkesa për të dyja shërbimet është goditur shumë nga pandemia dhe ka të ngjarë të kthehet në normalitet më ngadalë.
Pavarësisht nga lajmet e mira për zhvillimet e vaksinave, raporti vëren shqetësime të vazhdueshme, si rritja e infeksioneve në fund të vitit 2020 në disa vende, bllokimet e rinovuara dhe çështjet logjistike me shpërndarjen e vaksinave. /Telegrafi/