50 sipërmarrjet më të mëdha të Kosovës

Cilat janë kompanitë më të mëdha në Kosovë, sipas qarkullimit vjetor dhe ato me fitime më të mëdha për vitin 2019. Si krahasohet ekonomia e Kosovës me atë të Shqipërisë dhe si po ecin sipërmarrjet nga Republika e Shqipërisë, që kanë investuar në Kosovë.
Ecuria e bankave dhe e shoqërive të sigurimit. “Monitor”, për herë të parë, publikon një analizë të ekonomisë së Kosovës, e shoqëruar me intervistat e drejtuesve të sipërmarrjeve më të mëdha. 

 

Lista e bizneseve më të mëdha për nga qarkullimi në Kosovë dëshmon një ekonomi që mbështetet kryesisht te tregtia dhe shërbimet. Numri më i madh i bizneseve me qarkullim të lartë i takon tregtisë me shumicë dhe pakicë, tregtisë së karburanteve dhe shërbimeve bankare. Ndërmarrjet më të mëdha prodhuese janë ato të zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike.

 

1.Elkos

Kompania më e madhe në Kosovë për nga qarkullimi, vitin e kaluar, ishte Elkos sh.p.k. Kjo ndërmarrje ka aktivitet kryesor importin dhe shpërndarjen e produkteve të konsumit në tregun e Kosovës, nëpërmjet kontratave ekskluzive me prodhuesit e këtyre mallrave.

Sipas informacionit të kompanisë, Elkos është distributor i autorizuar për rreth 90 marka ndërkombëtare, të grupeve Henkel, Mondelez, MasterFoods, Dannone, Campina, Pfanner, etj. Kompania është themeluar në vitin 1989 dhe ka pronar të vetëm, biznesmenin nga Kosova, Ramiz Kelmendi. Sipas të dhënave të dërguara nga vetë kompania, për vitin 2019, Elkos raportoi një xhiro në vlerën e 244 milionë eurove, në rënie me 3% krahasuar me vitin 2018.

Në një intervistë për revistën “Monitor”, pronari dhe administratori i kompanisë, Ramiz Kelmendi, thotë se në vitin 2019, aktiviteti i kompanisë u ndikua negativisht nga taksa 100% mbi mallrat serbe, megjithatë, sipas tij, shumica e artikujve u arritën të zëvendësoheshin nëpërmjet importit nga tregje të tjera. Të tjerë faktorë me ndikim negativ në aktivitet, sipas z. Kelmendi, kanë qenë mungesa e burimeve të specializuara njerëzore, sidomos në nivel menaxherial, limitet e kreditimit nga bankat tregtare dhe burokracitë e vonesat e shumta në marrjen e lejeve të ndërtimit.

Në projeksionet e veta, Elkos pret që pandemia të japë efekt të konsiderueshëm në bilancin e kompanisë, me një reduktim të xhiros me mbi 9% për vitin 2020. Megjithatë, për vitin 2021, projeksionet janë optimiste dhe kompania pret një kthim të qarkullimit pranë nivelit të vitit 2019.

 

2.KEK

Ndërmarrja e dytë për nga qarkullimi, vitin e kaluar, ishte Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). KEK raportoi një xhiro vjetore në vlerën e 185 milionë eurove, në rritje me 13% krahasuar me vitin pararendës. Burimi kryesor i të ardhurave të KEK është shitja e energjisë që prodhohet nga dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B.

Dy termocentralet operojnë me qymyr (linjit), që prodhohet nga një divizion i veçantë i kompanisë. KEK është gjithashtu një nga eksportuesit më të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Për vitin 2019, KEK eksportoi energji, në vlerën e 32.5 milionë eurove, shumë kjo që përbën mbi 18% të shitjeve të kompanisë.

Prej vitit 2014, KEK është partner në projektin e Kogjenerimit, përmes të cilit, avulli i prodhuar në termocentralin Kosova B shërben si lëndë e parë për kompaninë Termokos, që mbulon shërbimin e ngrohjes qendrore me kaldaja për qytetin e Prishtinës. KEK është kompani në pronësi shtetërore dhe 100% e aksioneve zotërohen nga Republika e Kosovës.

 

3.Viva Fresh

Mbështetur në renditjen e administratës tatimore të Kosovës, Viva Fresh ishte ndërmarrja e tretë më e madhe në vend për nga vlera e qarkullimit vjetor. Megjithatë, pasqyrat financiare të vitit 2019 nuk janë ende publike dhe kompania nuk iu përgjigj kërkesës së revistës “Monitor” për të na i vënë në dispozicion.

Për vitin 2018, Viva Fresh kishte raportuar xhiro në vlerën e rreth 177 milionë eurove. Aktiviteti kryesor i Viva Fresh janë shitjet me pakicë, nëpërmjet rrjetit të marketeve me të njëjtin emër. Viva Fresh është kompani me kapital vendas dhe 100% e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Xhevdet Rexhepi.

 

4.HIB Petrol

Kompania HIB Petrol u rendit e treta për vitin e kaluar, me një qarkullim vjetor prej pothuajse 158 milionë eurosh. Xhiroja e HIB Petrol pësoi rënie të ndjeshme me 21% krahasuar me vitin 2018. Aktiviteti bazë i kompanisë është tregtimi me shumicë dhe pakicë i lëndëve djegëse, por në të përfshihen edhe aktiviteti i hotelerisë dhe restoranteve, si dhe marketeve të bashkangjitura me stacionet e karburanteve.

Mes të tjerash, kompania ka në pronësi hotelin “Emerald” në Prishtinë. Aktiviteti dytësor siguron rreth 15% të shitjeve të kompanisë. Në fund të vitit 2019, kompania raportonte 1157 persona të punësuar. HIB Petrol është kompani me kapital privat dhe 100% e aksioneve zotërohen nga biznesmeni nga Kosova, Ibrahim Bucaliu.

 

5.KESCO

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), gjatë vitit 2019, raportoi qarkullim në vlerën e rreth 141 milionë euro. Krahasuar me vitin 2018, xhiroja e kompanisë pësoi rënie me pothuajse 24%. Arsyeja kryesore për rënien e të hyrave krahasuar me vitin 2018 është ndryshimi në tarifat e furnizimit, të prezantuara nga Enti Rregullator, në vitin 2019. KESCO furnizon me energji mbi 400 mijë konsumatorë familjarë, tregtarë dhe industrialë.

KESCO është njëkohësisht kompania e parë me kapital në huaj në renditjen e bizneseve më të mëdha sipas xhiros. Aksionet e kompanisë kontrollohen në masën 100% nga konsorciumi Çalik Limak Energy sh.a, i përbërë nga dy investitorë të mëdhenj turq, Çalik Holding dhe Limak Holding. Në vitin 2012, konsorciumi fitoi tenderin për privatizimin e Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Sipas kërkesave ligjore për ndarjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Licencës për Furnizim me Energji Elektrike, në vitin 2015 u themelua kompania KESCO. Pas ndarjes, asetet dhe kontratat e lidhura drejtpërdrejt me biznesin e furnizimit me energji elektrike u transferuan nga KEDS në KESCO. Një proces i ngjashëm në vitet e fundit po ndiqet edhe në Shqipëri me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Në fund të vitit 2019, KESCO raportonte 211 të punësuar.

 

6.Proex

Proex u rendit kompania e gjashtë për nga vlera e xhiros gjatë vitit 2019 në Kosovë, me të ardhura totale të deklaruara në vlerën e 118.2 milionë eurove. Krahasuar me vitin 2018, të ardhurat e Proex janë rritur me 26%.

Proex ka aktivitet kryesor shitjet me pakicë dhe shumicë në tregun e brendshëm dhe njihet kryesisht nëpërmjet markës së supermarketeve Interex. Rritja e qarkullimit ka ardhur kryesisht nga rritja e shitjeve në segmentin dominues të shitjeve me pakicë. Në fund të vitit 2019, Proex kishte 1329 të punësuar.  Proex është kompani me kapital vendas dhe ka aksioner të vetëm shoqërinë CDI – Kosovo; ortakë të CDI Kosovo janë Shaip Mikullovci me 93% të aksioneve dhe Ylber Kuraja, me 9% të aksioneve.

 

7.KEDS

Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) për vitin 2019 raportoi shitje totale në vlerën e pothuajse 113 milionë eurove, në rritje me 21% krahasuar me vitin 2018. Pas ndarjes së shërbimeve të furnizimit me energji dhe transferimit të tyre te KESCO, në vitin 2015, KEDS vepron si operator i shpërndarjes së energjisë elektrike.

Në fund të vitit 2019, KEDS kishte 1928 të punësuar. Kapitali aksioner i KEDS kontrollohet në masën 100% nga konsorciumi turk, Çalik Limak Energy sh.a.

 

8.BUÇAJ

Mbështetur në renditjen e ofruar nga Administrata Tatimore e Kosovës, shoqëria Buçaj renditej në vendin e tetë për nga xhiroja në vitin 2019. Megjithatë, pasqyrat financiare të kompanisë nuk janë bërë ende publike. Kompania e refuzoi kërkesën e përcjellë nga revista “Monitor” për të na dhënë akses në pasqyrat financiare të vitit 2019 ose të paktën, në treguesit kryesorë të aktivitetit.

Për vitin 2018, Buçaj pati raportuar shitje totale në vlerën e rreth 91 milionë eurove. Aktiviteti kryesor i kompanisë është importi dhe distribucioni i produkteve të konsumit dhe atyre farmaceutike. Portofoli i Buçaj përfshin mallra të kompanive si Atlantic, Reckitt Benckiser, Chipita, Abbot, etj. Buçaj sh.p.k. është ndërmarrje me kapital vendas dhe 100% e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Fatmir Krasniqi.

 

9.EX-Fis

Ex-Fis është kompania e fundit mes më të mëdhave në Kosovë që, për vitin 2019 raportoi një qarkullim vjetor sipër kufirit të 100 milionë eurove. Duke iu referuar pasqyrave të audituara financiare të kompanisë, xhiroja për vitin 2019 kishte vlerën e 100.2 milionë eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me vitin 2018.

Aktiviteti kryesor i shoqërisë është shitja me shumicë dhe pakicë e nënprodukteve të naftës. Sipas bilancit të kompanisë, pjesa dërrmuese e të ardhurave të vitit 2019 erdhën nga shitja e karburanteve. Gjithashtu, kompania ofron edhe produkte për asfaltimin e rrugëve.

EX-Fis është kompani me kapital vendas dhe 100% e aksioneve zotërohen nga biznesmeni Isa Muharremi. Në fund të vitit 2019, kompania deklaroi 296 punonjës.

 

10.Al-Petrol

Kompania tjetër e sektorit të karburanteve, Al-Petrol, u rendit e dhjeta në Kosovë për nga vlera e qarkullimit vjetor në vitin 2019. Al-Petrol raportoi shitje në vlerën e 91.6 milionë eurove, në rënie me 11.4% krahasuar me një vit më parë. Burimi kryesor i të ardhurave është shitja me shumicë dhe pakicë e karburanteve, ndërsa një pjesë më e vogël vijnë nga aktiviteti i marketeve, restoranteve dhe hoteleve. Në fund të vitit 2019, kompania deklaroi 950 punëtorë. Edhe AL-Petrol është kompani me kapital vendas. Aksionet zotërohen në masën 100% nga biznesmeni Latif Kryeziu.

/monitor/

Artikulli paraprakBloomberg / Elon Musk, njeriu më i pasur në botë
Artikulli tjetërTë arsimohesh online, moda e re që u shfaq pas Covid-19