Propozim për t’u njohur punonjësve të drejtën e shkëputjes

Komisioni i Punësimit në Parlamentin Europian voton një mocion për të njohur këtë të drejtë të smart working si themelore në legjislacionin e vendeve të BE-së

 

E drejta për t’u shkëputur nga pajisjet që përdoren për punë duhet të garantohet në të gjitha vendet e Bashkimit Europian si “e drejtë themelore”. Kjo është rezoluta e miratuar me shumicë nga Komisioni për Punësimin dhe Çështjet Sociale të Parlamentit Europian, ku deputetët në Bruksel kërkojnë tani që, ndër ligjet në fuqi në BE, të jetë edhe e drejta e punonjësve, jashtë orarit të zyrës, që të mbyllin pajisjet e përdorura, pa pasoja në karrierë apo në pagë.

Me këtë rezolutë, që për momentin nuk ka vlerë ligjore, anëtarët e Parlamentit kërkojnë në thelb që Komisioni Europian të ndryshojë një direktivë të komunitetit mbi të drejtën për t’u shkëputur. Hapi i ardhshëm do të jetë votimi i propozimit në seancën plenare nga Parlamenti në janar të 2021,  për të vijuar me miratimin nga Komisioni dhe me zbatimin e kuadrit rregullator në vende të ndryshme të BE-së.

Në shtator, Parlamenti Europian nisi debatin për të arritur në një direktivë të përbashkët, e cila do të shtrihej në të gjitha vendet anëtare për të mbrojtur nevojën, gjithnjë në rritje, për punë në distancë dhe të smartworking. Kjo nevojë, që është bërë gjithnjë e më e ngutshme gjatë këtij viti, kur emergjenca e Covid-19 detyroi një të tretën e punonjësve të BE-së të punojnë nga shtëpia, synon të gjejë  ekuilibrin e duhur midis punës dhe jetës private, duke mbrojtur në këtë mënyrë mirëqenien psikofizike të punëtorëve.

Në këtë drejtim eurodeputetët shpresojnë në mundësinë e marrëveshjeve të reja midis sindikatave dhe kompanive, në mënyrë që të zhvillojnë sisteme të përbashkëta në shkallë kombëtare dhe të komunitetit.

Artikulli paraprakUnilever eksperimenton javën e punës me 4 ditë (pa shkurtim page)
Artikulli tjetër4 këshilla për të pasur sukses nga njeriu më i pasur në botë, Jeff Bezos