Një ish-këshilltar i lartë i sigurisë për kryeministrin Boris Johnson ka zbuluar se Britania e Madhe ka zhvilluar rishtazi një seri sulmesh të fshehta kibernetike ndaj udhëheqësve rusë dhe interesave të tyre për “të shkaktuar pasoja më të mëdha se ç’mund ta kishin pritur” pas ofensivës së tyre kibernetike ndaj Perëndimit.
Fuqi të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po veprojnë në të njëjtën mënyrë, thonë zyrtarë të shërbimeve perëndimore të zbulimit për atë që po shndërrohet në një konflikt kibernetik me Kremlinin në të ashtuquajturën “Lufta Gri”, në vakumin mes marrëdhënieve normale shtetërore dhe konfliktit të armatosur.
“Fakti që nuk na shikoni t’i përdorim, nuk do të thotë se nuk i përdorim, sepse nuk do të flisnim domosdoshmërish për të tilla gjëra”, tha Mark Sedwill që deri rishtazi ka qenë zyrtari më i lartë civil i Britanisë së Madhe dhe këshilltar i sigurisë kombëtare për kryeministrin Johnson.
Por, në një intervistë me gazetën The Times, Sedwill nënvizoi se Britania po përdor aftësitë e saj kibernetike për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të tilla, luftës së informacionit dhe fushatave destabilizuese ruse.
“Përpiqemi të imponojmë pasoja, zakonisht me një çmim më të madh se sa mund ta kishin pritur, atëherë kur besojmë se është e drejtë dhe e nevojshme. Nuk mund ta lëmë iniciativën në dorën e kundërshtarëve tanë”, tha ai.
Britania ka pasur aftësi kibernetike prej mbi një dekade dhe i ka përdorur kundër Shtetit Islamik, siç ishte edhe sulmi me dronë të thjeshtë ndaj grupit terrorist në qytetin irakian Mosul në vitin 2018. Por, zyrtarët rrallë diskutojnë se si mbrohen apo zhvillojnë sulme hakerësh dhe as nuk kanë shprehur publikisht se çfarë konsiderojnë objektiva të ligjshme, përtej një lufte të plotë dhe të deklaruar.
Muajin e kaluar, gjenerali Patrick Sanders, i cili drejton komandën strategjike të Britanisë së Madhe, e ngriti paksa siparin, duke u thënë gazetarëve se teorikisht Britania ka aftësinë të “degradojë, të destabilizojë dhe madje të shkatërrojë kapacitetet dhe infrastrukturën jetësore të atyre që kërkojnë të na dëmtojnë, që nga objektivat strategjikë dhe deri tek ata taktikë”. Ushtria britanike vepron në bashkëpunim me Agjencinë britanike të Zbulimit Elektronik (GCHQ).
Sanders tha se, “dallimi i qartë mes luftës dhe paqes që kemi pasur dikur, nuk vlen më”.
Për herë të parë, Sedwill tha se Britania ka përdorur aftësitë e saj kibernetike për t’u kundërpërgjigjur ndaj sulmit me Novichok ndaj Sergei Skripalit, ish-agjent i dyfishtë rus në qytetin britanik Salisbury.
“Pas sulmit në Salisbury, përdorimit të parë që prej një shekulli të armëve kimike kundër një vendi në Evropë, ne u kundërpërgjigjëm në mënyra të dukshme. Dëbuam të gjithë rrjetin e zbulimit rus në Mbretërinë e Bashkuar. Por, ne ndërmorëm gjithashtu një seri masash të tjera të padukshme, duke ndërprerë disa kanale parash të pista nga Rusia, si dhe masa të tjera të fshehta për të cilat sigurisht që nuk mundem të flas”, tha ai.
Komentet e Sedwillit sugjerojnë se fuqitë perëndimore gjithnjë e më tepër po i heqin dorashkat në një “Luftë Gri” në rritje me Rusinë, si dhe me Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut.
“Është e rëndësishme që të kemi aftësinë të manovrojmë në hapësirën gri, në atë zonë dhe po e bëjmë me efikasitet. Nuk mund t’ua lëmë iniciativën kundërshtarëve tanë”, tha Sedwill.
Javën e kaluar, prokurorë federalë amerikanë bënë të ditura publikisht akuza ndaj gjashtë operativëve rusë të zbulimit ushtarak për një seri sulmesh kibernetike në një fushatë ofensive që synon dëmtimin e demokracive perëndimore, nëpërmjet mbjelljes së konfuzionit për çdo gjë, që nga zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe deri tek Lojërat Olimpike të vitit 2018 në Korenë e Jugut.
Akuzat vijnë si rezultat i hetimeve të zgjatura të analistëve të FBI-së, në bashkëpunim me kompanitë Google, Cisco, Facebook dhe Twitter, si dhe me agjencitë aleate perëndimore të zbulimit, përfshirë ato të Britanisë së Madhe.
Operacionet kibernetike ruse përfshijnë sulmet ndaj rrjetit ukrainas të furnizimit me energji, duke ndikuar tek jetët e qindra mijëra ukrainasve në mesin e dimrit, kandidimin për president në Francë në vitin 2017 të Emmanuel Macronit, si dhe hetimin britanik ndaj sulmit rus me agjent nervor në vitin 2018 në Salisbury, thonë prokurorët amerikanë dhe zyrtarët britanikë të zbulimit. Ata thonë se operativë rusë që punojnë për Shërbimin Ushtarak (GRU), u përpoqën të mbjellin dyshime mbi vende të tjera si autore të sulmeve.
Prokurorët amerikanë thonë se për sa i përket Lojërave Olimpike të Koresë së Jugut, hakerët rusë studiuan taktikat dhe teknikat e homologëve të tyre në Korenë e Veriut, në mënyrë që t’i kopjonin dhe ta kalonin hijen e dyshimit drejt Pheninanit.
Maria Zakharova, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, hodhi poshtë javën e kaluar akuzat për operacione të hakerëve rusë, duke thënë gjatë një seance informimi se akuzat ishin produkt i dikujt me “imagjinatë të pasur”.
“Është një lloj kokteili aromash diabolike”, u tha gazetarëve Zakharova.
Thomas Rid, akademik amerikan dhe autor i librit të botuar rishtazi “Active Measures” thotë se, niveli i detajeve të pasqyruara në akuza ndoshta reflekton nivelin në të cilin janë infiltruar operacionet e GRU-së.
“Bashkësia e zbulimit ‘Five Eyes’ duhet të ketë shikueshmëri tronditëse mbi operacionet e zbulimit ushtarak rus, nëse informacionet e bëra të ditura sot konsiderohen jo-thelbësore”, ka shkruar ai në Twitter pasi ishin publikuar akuzat. /Zëri i Amerikës/