Përfitimet e bankave në kohë pandemie

Bankat komerciale në Kosovë nuk treguan asnjë lloj ndjeshmërie me qytetarët e prekur financiarisht nga pandemia COVID-19. BIRN ka gjetur dhjetëra raste të qytetarëve që aplikuan për shtyrje të kredive, por u detyruan të paguajnë interes shtesë. 

Bekim Ramadani nga Kolovica e Prishtinës dy herë radhazi kishte vizituar sportelet e bankës “Raiffeisen”, gjatë muajit mars. Të parën herë për të bërë kërkesë për shtyrje të afatit të kredisë për 3 muaj, kurse të dytën herë për të kërkuar sqarime për disa ndryshime në kredinë e tij. Shtyerja e pagesës së  kësteve prej muajit mars deri në  qershor, ishte vendim i Bankës Qëndrore të Kosovës, BQK, si formë  lehtësimi për gjithë kredimarrësit që  u goditën financiarisht nga kriza e pandemisë.

“Kur aplikova për shtyrje të kredisë për 3 muaj, në bankë mi qitën përpara do dokumente edhe i nënshkrova”, thotë Bekimi në një bisedë për BIRN. Por sapo u kthye në shtëpi, ai thotë se  pa ndryshime në kredinë e tij. Kësti ishte rritur, po ashtu edhe kohëzgjatja e kredisë për 3 muaj. Të nesërmen ai u kthye sërish në bankë.

“I pyeta pse është rrit kësti, diku 270 euro në total ma shumë interes. Nuk mora përgjigje, veç më thanë që kështu ka vendos BQK-ja”.

Ramadani thotë se në fillim kishte menduar se nuk do të aplikohet interes shtesë për shtyrje të kredisë. “Në lajme qashtu e pashë. Unë e lexova që këta 3 muaj janë falas, nuk ka me pasë shtesa”, thotë ai, derisa shton se për shkak të pandemisë dhe masave të marra nga Qeveria e Kosovës, ka menduar edhe ta mbyll biznesin, e t’i drejtohet shtetit për tu bërë pjesë e Skemës Sociale.

Ramadani nuk do të ishte i vetmi pasi të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, tregojnë se në kohën e pandemisë, prej muajit janar deri në korrik, skemave sociale iu shtuan edhe 559 familje.

BIRN është interesuar për rastin e Bekimit tek banka e tij, “Raiffeisen”. Zyrtarja për Informim, Iliriana Tahiraj, ka konfirmuar se ndaj rastit në fjalë është aplikuar interes i rregullt.

“Kjo konsiderohet si interes i rregullt i kalkuluar, duke mos përfshirë këtu interesin ndëshkues i cili në rrethana normale do të duhej të kalkulohej. Kjo është sqaruar edhe në vendimin e BKQ-së”, ka thënë ajo.

Vendimmarrësit me qëndrime të kundërta

Konfuzioni rreth zbatimit të vendimit për shtyrje të pagesës së kredive duket se konsiston në mungesën e transparencës së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe mungesën e komunikimit të duhur mes kësaj të fundit dhe Qeverisë Kurti, e cila ishte në pushtet atë kohë.

Në njoftimin e saj për masat e marra për të luftuar efektet e pandemisë, BQK deklaroi se bankat nuk duhet të zbatojnë kamata ndëshkuese për kreditë që pezullohen.

Shumë qytetarë menduan se nuk do të aplikohej interes shtesë nga bankat. Sidoqoftë, siç e bën të qartë një sqarim i dhënë nga BQK në qershor, ndërsa tarifat ndëshkuese nuk ishin aplikuar, aty thuhet se pagesa e interesit për kohën e pezullimit të kredisë do të zbatohej.

“Interesi i rregullt i përllogaritur gjatë periudhës së pezullimit, do të shpërndahet gjatë minimum 6 muajve të ardhshëm, apo deri në maturitet, në rast se afati i maturimit të kredisë është më i vogël se 6 muaj”.

Megjithatë, ky sqarim erdhi dy muaj pasi ishte marrë vendimi për shtyrje të kredive, ndonëse ky vendim nuk u publikua asnjëherë për qytetarët. BQK ka publikuar vetëm një udhëzues për qytetarët.

Besnik Bislimi, ish-ministër i Financave, thotë se ajo çka ndodhi në terren, nuk ishte ajo për të cilën ishin marrë vesh me BQK-në dhe Shoqatën e Bankave. Të tri këto institucione realizuan në mars një takim lidhur me këtë çështje.

Sipas Bislimit, atëbotë Ministër i Financave dhe Transfereve, dakordimi ka qenë që për të gjitha bizneset dhe personat fizik që kanë vështirësi, bankat do u mundësojnë shtyerjen për tre muaj të afatit për kthim të kësteve të kredisë pa aplikuar kamata shtesë.

“Ajo që ka ndodhë në terren dhe që ka devijuar nga marrëveshja fillestare ka konsistuar në aplikim të kostove shtesë për shtyerje, mos-aprovim të shtyerjeve në disa raste, por edhe në raste ku zyrtarët e bankave janë përpjekur të bindin klientët që të nënshkruajnë riaranzhimet e kredive me kushte të pa-volitshme (dhe me kosto shtesë) duke i dezinformuar për gjoja sigurinë që qeveria do e marrë përsipër këtë kosto shtesë”, ka thënë Bislimi.

BIRN ka pyetur për detajet e takimit edhe në BQK dhe Shoqatën e Bankave. BQK ka dhënë përgjigje përgjithësuese, derisa Shoqata e Bankave nuk është përgjigjur fare.

Florin Aliu, profesor në Departamentin për Financa në UBT, ka thënë se aplikimi i interesit shtesë nga bankat, është i papranueshëm, pasi sipas tij, ka ekzistuar një premtim nga bankat që të mos ndodhë një gjë e tillë. Mirëpo shton se marrëveshja e arritur me bankat nuk ka qenë e shkruar dhe ky ka qenë gabimi më i madh.

“Në ekonomi nuk ekziston koncepti nëse një fenomen është i moralshëm, por vetëm nëse është ekonomik. Prandaj bankat tentojnë fitimin dhe në kuadër të kësaj është edhe ky fenomen që është zhvilluar”, vlerëson Aliu.

Përderisa ekonomia kosovare pësoi goditje të rëndë gjatë pandemisë, fitimet e bankave në Kosovë mbetën të paprekura nga kriza globale. Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, sektori bankar, në periudhën janar-qershor 2020, realizoi një fitim të pastër rreth 40 milionë euro.

Një mal ankesash në BQK nga qytetarët

Numri i qytetarëve që u ankuan në BQK për këtë kohë ka shënuar shifra rekorde. Në një hark kohor prej tetë muajsh (Janar-Korrik 2020), 755 qytetarë kanë deponuar ankesa në BQK ndaj bankave komerciale. Prej tyre, 516 ankesa kanë qenë të ndërlidhura me shtyrjen e kredive.

BIRN ka analizuar dokumentacion për dhjetëra raste të klientëve që aplikuan për shtyrje të kredive. Në të gjitha rastet del se bankat aplikuan interes shtesë ndaj klientëve për 3 muaj sa e shtyn pagesën e kredive.

F.S, nga Prishtina nuk ka dorëzuar ankesë në BQK, por thotë të jetë shokuar kur ka parë rritjen e interesit nga banka e tij. Sipas planit të rregullt për amortizim të kredisë, interesi në total që duhet të paguajë klienti është 5,131.97 euro. Ndërsa kur klienti ka aplikuar për shtyrje të afatit të kredisë për 3 muaj, në planin e ri të amortizimit totali i interesit tash është 5475.53 euro. Pra diferenca është për 343.56 euro më shumë interes.

“Kjo më ka habit, diçka tjetër kom pa në media”, ka thënë ai. Në bankën NLB nuk kanë pranuar ta komentojnë këtë rast, përkundër insistimit të gazetës.

BIRN ka hulumtuar edhe rastin e biznesit “Rent a Car Auto Sh.p.k”. Edhe këtu sipas planit të rregullt për amortizim të kredisë, interesi në total që duhet të paguajë klienti është 6,934.13 euro. Ndërsa kur klienti ka aplikuar tek banka për shtyrje të afatit të kredisë për 3 muaj, sipas planit të ri të amortizimit, totali i interesit tash është 7,435.7 euro. Pra diferenca është për 501.57 euro më shumë interes.

Lidhur me këtë rast nga Banka për Biznes (BPB) përmes një përgjigje me email kanë thënë shkurtë se “kanë vepruar konform vendimit të BQK-së lidhur me procesin e shtyerjes së kësteve të kredisë për klientët të cilët janë afektuar nga pandemia”.

Përgjigje të ngjashme ka dhënë edhe banka ProCredit, në rastin e klientit Edmond Qerimi, i cili thotë se është befasuar kur ka parë në dokumente se interesi është rritur.

BIRN ka gjetur edhe raste kur qytetarët nuk e kanë pranuar ofertën e bankës për shtyrje të kredisë. Por këtë mundësi nuk e kishte edhe Bekimi. Përkundër mospajtimit me ndryshimet në kredinë e tij, ai e pranoi ofertën sepse siç shprehet “300 euro janë shumë të vlefshme për familjen time në këtë kohë”.

F.S.  është emër i njohur për BIRN por ka kërkuar të jetë anonim në këtë shkrim./kallxo/

Artikulli paraprakMbi 138 milionë euro për Kosovën nga Komisioni Evropian
Artikulli tjetërEKONOMISTËT PËR MINI-SHENGENIN BALLKANIK