Nga të gjitha tiparet që e bëjnë një udhëheqës të vlerësohet dhe të njihet ka një tipar, që qëndron mbi të tjerat: Besueshmëria.
Që dikush të ndjekë një lider nëpër rrugëtimin e vështirë drejt suksesit, natyrisht që duhet të ketë ambicie. Sigurisht që udhëheqësi duhet të nxisë, të përqendrohet, përkushtohet dhe të jetë këmbëngulës.
Por pa besueshmëri dhe pa një ndjenjë të thellë besimi, që ky person ia vlen të ndiqet, asgjë tjetër nuk do t’i bëjë njerëzit të qëndrojnë me ju. Në fakt, mungesa e besueshmërisë mund të bëjë krejt të kundërtën. Ajo mund t’i kthejë njerëzit kundër jush.
Udhëheqësit e besueshëm nuk fyejnë, manipulojnë ose poshtërojnë askënd – publikisht ose privatisht. Këta udhëheqës janë të vetëdijshëm se respekti është thelbësor, për të fituar besnikërinë dhe respektin e njerëzve. Përmes veprimeve të tyre delikate dhe të vazhdueshme, ata fillojnë të fitojnë besueshmëri si udhëheqës me kalimin e kohës. Ata nuk u tregojnë punonjësve apo partnerëve të tyre se sa të besueshëm janë. Ata thjesht veprojnë në mënyra që e dëshmojnë këtë.
Cilat janë disa mënyra si mund të filloni të fitoni besueshmëri si udhëheqës?
- Bëhuni ekspert në fushën tuaj
Askush nuk dëshiron të ndjekë një drejtues që kontrollon punën e tyre, por nuk ka as informacionin më të vogël, se çfarë po ndodh.
Kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz e respektuan (dhe vazhdojnë ta respektojnë) Steve Jobs. Ai nuk ishte një shef ekzekutiv i veshur me kostum, që jepte urdhra për produktet, për të cilat nuk dinte asgjë. Në vend të kësaj, ai kalonte një kohë të konsiderueshme me projektuesit dhe inxhinierët. Ai mbeti një praktikues i vërtetë i zanatit të tij.
Disa drejtues e fillojnë udhëtimin e tyre si një individ i talentuar, që kërkon të “përshkallëzojë” ekspertizën e tij. Të tjerët janë futur në një pozicion udhëheqjeje dhe duhet të kapërcejnë eksperiencat e hidhura, në mënyrë që të marrin një sens të saktë të produktit ose shërbimit.
Pavarësisht se në cilin drejtim orientoheni si lider, është absolutisht e rëndësishme që kurrë të mos distancoheni shumë nga thelbi i punës. Përndryshe, ju jeni thjesht një “kokë”, që flet.
- Lërini veprimet tuaja të flasin më shumë se fjalët
Askush nuk dëshiron të ndjekë një udhëheqës që bën premtime që nuk mund t’i mbajë.
Disa nga drejtuesit më të këqij, u thonë punonjësve që do t’i promovojnë në pagesë, përpara se ta dinë me siguri nëse kompania mund ta përballojë atë – ose më keq akoma, pavarësisht nëse performanca e punonjësit e garanton atë apo jo. Këto janë momente kur një drejtues kompromenton mundësinë afatgjatë për të fituar besimin afatshkurtër të ekipit.
Por në 9 nga 10 raste, këto vendime bëjnë të kundërtën e krijimit të besimit. Ata përfundojnë duke u dhënë njerëzve arsye që të mërziten – dhe kjo është gjëja e fundit që dëshiron një udhëheqës.
- Tregohuni të përgjegjshëm
Askush nuk dëshiron të ndjekë një udhëheqës, që mund të shohë atë që të tjerët bëjnë gabim, por nuk mund të gjejë asgjë të gabuar në veprimet e tij të përditshme.
Kështu që shumë udhëheqës e ngatërrojnë “marrjen e përgjegjësisë” me paraqitjen e dobët ose të paaftë. Ata mendojnë se nëse thonë, “Unë mund ta kisha bërë atë gjë më mirë”, ata në fakt po tregjnë një dobësi dhe po e nxisin ekipin të mendojë se lideri i tyre nuk është i duhuri.
Në të vërtetë, duke qenë në gjendje të merrni përgjegjësi dhe të pranoni gabimet tuaja, ju po krijoni një mjedis, ku të tjerët mund të bëjnë të njëjtën gjë. Ju po i lini njerëzit të dinë që, si udhëheqës, jeni i gatshëm të ekzaminoni veten dhe të kërkoni mënyra përmirësimi – kjo u tregon njerëzve se si të bëjnë të njëjtën gjë.
Mos harroni: një drejtues që jeton me frazën, “Bëni siç them unë, mos bëni siç bëj unë” nuk është aspak një lider i vërtetë. \BM\