Në udhëtimin tuaj drejt suksesit, sigurohuni që keni këto katër lloje të bagazhit

DUHET TË QËNDRONI TË GATSHËM PËR LËVIZJE

Abdullah ibn Mesudi r.a.ka thënë: “Mësohuni të bëni mirë, sepse të bërit mirë është shprehi”.

Personaliteti i njeriut dhe karakteri i tij janë një grumbull shprehish. Mbill ide, do të korrësh vepër, mbill shprehi do të korrësh karakter, mbill karakter do të korrësh fat.
Njohja dhe traditën dhe shprehinë tënde është fillimi i përgatitjes për nisje, sepse ajo është fuqia e vullkanit që gjendet thellë në shpirtin njerëzor.

Ekzistojnë katër shprehi të njerëzve të suksesshëm. Ato shprehi janë fuqi e madhe dhe forca e tërheqjes që gjendet thellë në brendinë e njeriut. Ato janë mbjellë përmes të praktikuarit dhe përsëritjes permanente, derisa bëhemi më të mirë se të tjerët. Njerëzit e moshuar kanë thënë: “Shprehia është një natyrë tjetër”. Shprehia posedon fuqi që është shumë afër natyrshmërisë reale, e ajo është natyra në të cilën është lindur dhe krijuar çdo njeri.

KATËR LLOJE TË BAGAZHIT QË KANË DOMETHËNIEN E SUKSESIT

Bagazhi i parë: Njohja

Njohja e vërtetë e rrugës tënde, njohja e vërtetë e potencialeve dhe e mundësive të tua, njohja e vërtetë e realitetit, njohja që mbështetet në shkencë dhe dituri – të gjitha këto përbëjnë fuqinë e vërtetë, siç ka thënë edhe Fransis Bekoni: “Ky shtë shikim i thellë drejt suksesit. Kjo është fuqia e fshehur që bëhet praktike dhe është prezente kur njeriu e organizon dhe
planifikon punën e tij, atëherë kur njeriu e orienton atë punë drejt realizimit të qëllimit tanimë të përcaktuar.”
Vlera jote e vërtetë ëhtë dituria jote. Me dituri, madje së bashku me njohjen e vërtetë, vjen edhe vepra e mirë,: “Më të mirët prej jush në kohën e injorancës, janë më të mirët edhe në Islam, po qe se e kuptojnë atë në mënyrë të drejtë”. (Buhariu, 3374 dhe Muslimi, 2378)
Në të vërtetë, të qenët kualitativ dhe i mirë është një konstante e pandryshueshme, mirëpo ajo është një konstante e cila duhet të stoliset edhe me njohjen e vërtetë.

Bagazhi i dytë: Shkathtësia

Për një udhëim nuk është e mjafrueshme vetëm njohja. Është e domosdoshme që njohjes t’ia shtojmë edhe një bagazh tjetër në të cilin duhet të gjenden shkathtësitë dhe aftësitë e trajnuara mirë. Në këtë bagazh të dytë duhet të jenë tre shkathtësi mjaft të rëndësishme,
të cilat duhet të mësohen dhe të ushtrohen.

Shkathtësia numër një: shkathtësia e përsiatjes së drejtë

Kjo shkathtësi është lëvizësja e njerëzve të suksesshëm, ashtu siç ka thenë Mark Aureli: “Me të vërtetë jeta jonë është pasojë e përsiatjes sonë.”
Me të vërtetë, përsiatja për jetën në një mënyrë progresive do të të ndihmojë që t’i realizosh qëllimet e tua për një kohë të caktuar. Është rregull dhe princip që të mendohet në mënyrë pozitive dhe optimiste, gjë që do të lërë pas vetes tënde gjurmë dhe sjellje praktike. Andaj: si do të logjikoni, ashtu edhe do të jeni.

Fillo me përsiatje, e më pas shkruaje atë në ditarin tënd personal. Pastaj lexoji vazhdimisht dhe zhvilloji aktivitetet sipas asaj që ke shkruar, madje edhe përmes bisedave me miqtë e tu. Kështu ti do të bëhesh Buhariu ” i kohës tënde.
Imam Buhariu në një rast kishte thënë: “Në një rast isha te Is’hak bin Rahiveu ku disa miqë më thanë: ‘Sikur t’a kishit përpiluar një përmbledhje vetëm me hadithe autentike të Muhamedit s.a.v.s.” – pasi që deri më atëherë ekzistonin vetëm përmbledhje të haditheve të cilat përmbanin në një vend edhe hadithe autentike, por edhe hadithe të dobëta.
Dëshira e këtyre njerëzve më nxiti dhe më preku në zemër, andaj vendosa që vetëm hadithet autentike ti vendos në një përmbledhje të veçantë. (Kështu lindi përmbledhja e haditheve autentike të Buhariut).

Shkathtësia numër dy: shkathtësia e dëgjimit të zërit të këshillës

Në thellësitë e shpirtit tanë ekzistojnë zëra të cilat gërshetohen: herë janë si në mundime dhe dhembje, e herë janë si shpresë dhe dëshira. Këto zëra mundimesh dhe dhembjesh janë pasojë e lëndimeve të mëdha, janë pasojë e lodhjes, brengës, zhurmës së jetës dhe luftës së principeve, ndërsa zërat e shpresës dhe dëshirës janë pasojë e përsiatjeve të shkëlqyera, pasojë e ambicieve dhe imagjinatës. Ndërmjet këtyre dy zërave zhvillohet një konflikt dhe pasoja e këtij konflikti duhet të jetë përgjigjja ndaj zërit të ndërgjegjes.
I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pyete zemrën tënde për fetva”. (Ahmedi, 17450 dhe ed-Daerimi, 2533)
Ai është zëri që me siguri nuk do të të tradhtojë, sepse ai është një zë që ngërthen një nuancë kreative, një zë që orvatet të ta thotë atë që e dinë vetëm ata të cilët e dëgjojnë ndërgjegjen e tyre. Prandaj, edhe ti pyete shpeshherë zemrën tënde për fetva dhe mos u bëj nga ata – siç tregon Allahu në Kur’anin Fisnik:
“Dhe, edhe pse bindshëm të besueshëm në to (se ishin nga Zoti), i mohuan në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, pra shikoje se çfarë ishte fundi i shkatërrimtarëve”. (en-Neml,14).
Mos u bëj nga ata që injorojnë dhe që nuk i dëgjojnë zërat e brendshëm e pastaj largohen nga rruga e drejtë, e kështu “ndërgjegjja e tyre vuan nga verbëria”, siç thotë edhe A. C. Lewis-i.

Shkathtësia numër tre: shkathtësia e imagjinatës kreative

Në vend që të jetosh me përkujtimet e së shkuarës, qysh tani jeto me imagjinatën tënde. Ajo është shkathtësi e shikimit tënd drejt ardhmërisë, artit të përsiatjes për mënyrën e zgjidhjes së problemeve përmes rrugës efikase dhe ndihmës reciproke me të tjerët. Kjo është një dhunti që ta shohësh vetveten dhe të tjerët përreth teje në një mënyrë shumë më ndryshe dhe shumë më të mirë se sa që e sheh tani.
I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ky mision (kjo fe) do të arrijë atje ku arrijnë nata dhe dita dhe nuk do të mbetet asnjë shtëpi e që Allahu nuk do të bëjë që kjo fe të hyjë në të. Me këtë Allahu do ta përforcojë Islamin, ndërsa do ta poshtërojë dhe do ta asgjësojë mosbesimin”. (Ahmedi, 1650)

Kjo është urtësia e Muhamedit salallahu alejhi ue selem e cila ka mundur gjithashtu ta përfitojë edhe Adijj bin Hatimin, i cili kaloi në Islam. Këto janë çaste kur paraqitet imagjinata kreative dhe kur ti e sheh veten në formën më të bukur. Me të ti duhet ta ndriçosh shpresën tënde dhe duhet të veprosh për realizimin e projekteve të tua nga dita në ditë. Një gjë e këtillë do të mund të realizohet vetëm nëse ia përcakton vetes kohën, e kështu ti do të ulesh me vetveten larg zhurmës dhe me ndihmën e imagjinatës të qëndrosh vetëm me shpirtin tënd dhe me realitetin tënd. Kjo bëhet me qëllim që të planifikosh ardhmërinë tënde, ndërsa mënyra me mirë e planifikimit të ardhmërisë personale është që të fillosh aty për aty.

Bagazhi i tretë: Dëshira

Shkencëtari i njohur Thomas Edison bëri orvatje të shumta mundimplote me qëllim që ta zbulonte llambën elektrike, gjë të cilën nuk arriti ta bënte për një periudhë të gjatë kohore. Shtypi i atëhershem e shpalli atë si të marrë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Henri Fordin, atëherë kur ai bankrotoi pesë herë para se të arrinte sukses në projektimin dhe hartimin e veturës së tij. Gjithashtu edhe Kolonel Sandros kaloi më shumë se një mijë restorante derisa filloi ti ecte puna mbarë, e më pas u bë i famshëm me restorantin e tij Kentaki. Çka kanë të përbashkët këta personalitete? Është dëshira për një përparim të suksesshëm.

Imagjinata është një forcë e fshehur që ndihmon për të ecur drejt suksesit në shekullin e njëzetenjëtë. Gjithashtu, imagjinata na ofron edhe dy karakteristika që na ofrojnë ndihmë në dëshirën tonë të madhe për sukses. Ato karakteristika janë:
-Karakteristika e dëshirës: Kjo karakteristikë është aftësia që imagjinata dhe ëndërrimet të shndërrohen në realitet në praktikë.
Individët të cilët e posedojnë kërë karakteristikë, thjesht, e urrejnë përtacinë. Individët të cilët e posedojnë këtë karakteristikë, thjesht, e kanë tejkaluar të kaluarën dhe synojnë ardhmërinë. Të këtillët janë të pavarur dhe dëshirojnë ta gëzojnë zgjidhjen e tyre. Individët e këtillë posedojnë aftësi për të bërë çfarë të dëshirojnë me ndihmën që buron nga ndërgjegja e tyre, nga shpirtrat e tyre dhe nga thellësitë e shpirtrave të tyre. Pronarë të kësaj karakteristike do të bëhemi vetëm nëse përforcohemi siç duhet dhe i besojmë vetes se do të lirohemi nga të gjitha kërcënimet dhe pengesat e mundshme. Ndërsa dëshira do ta kthejë besimin tek vetë ne, do ta përforcojë psikikën tonë dhe atëherë do të mund t’i shkelim traditat tona të shëmtuara, madje ato do të mund t’i shndërrojmë në tradita dhe zakone të mira për ne.

Prandaj, ne dëshirojmë atë që ka dëshiruar Enes ibn en-Nadiri, i cili meqë nuk kishte marrë pjesë në betejën e Bedrit ishte betuar se do të merrte pjesë në betejën e parë që do të pasonte kundër idhujtarëve, të cilën do ta udhëhiqnin muslimanët. Shpirti i tij digjej nga entuziazmi, gjë që edhe ndodhi me rastin e betejës së Uhudit. Pas kësaj beteje, Enes ibn Maliku (radijAllahu anhu) për të tha: “E kemi gjetur me tetëdhjetë e disa plagë. Disa prej atyre plagëve ishin nga shpata, disa nga shigjeta dhe askush nuk ka mundur ta njohë, përveç motrës së tij që e njohu nga mollëzat në fytyrë”. (Buhariu, 2806 dhe Muslimi, 1903).

Prandaj, edhe t’i betohu se do ta realizosh qellimin që buron nga dëshira jote e madhe ose parashtroji vetes tënde një plan të cilin do të mund ta realizosh.
– Karakteristika e vetënjohjes: Kjo karakteristikë i përngjan përdorimit të mikroskopit me ndihmën e të cilit do të kishim mundur të vështrojmë në shpirtrat tanë për të parë gjendjen faktike. Kështu që do të bindeshim për mangësitë tona dhe atëherë do të mundnim ta ndienim fuqinë përmes së cilës do të korrnim sukses. Natyrisht, ajo fuqi do të na stimulonte për t’i ndryshuar aftësitë tona, për t’i zhvilluar ato dhe më pas do të na ndihmonte për t’i zgjidhur problemet e grumbulluara që janë shtresuar në shpirtrat tanë.
Nje gjë të atillë do të mund ta arrijmë po qe se e korrigjojmë me korrektësi veten tonë dhe po qe se e pranojmë parimin: “Unë jam i paditur”. Pra, ja, në këtë rast do të posedojmë vullnet të madh për ta ndryshuar vetveten drejt më të mirës.

Bagazhi i katërt: Feja dhe mendimi

Që të arrijmë vlerën e duhur të karakterit dhe personalitetit tonë, që të ndryshojmë nga e mira në mënyrë esenciale, ne duhet ta shohim kuptimin e jetës me korrektësi dhe kështu t’i vendosim principet dhe parimet reale të jetës. Po që se ndryshon kualiteti i fesë tek njeriu, në atë rast do të ndryshohen edhe shprehitë dhe traditat tek ai.
Kjo është fuqia e vërterë e cila i eliminon dhe i mënjanon të gjitha shprehitë negative që janë shtresuar në karakterin tonë që nga mosha fëmijërore. Këto negativitete do të zëvendësohen me shprehi të mira dhe pozitive. Vetëm shih shembullin e Omer ibn Hattabit(radijAllahu anhu) i cili para se ta pranonte Islamin qëndronte në anën e atyre që kryenin krim, konsumonin alkool, etj. Ky njeri vetëm përmes vullnetit të madh dhe shkëlqimit hyjnor që i erdhi nga kaptina kuranore Ta-Ha kaloi në Islam. Me këtë, Omeri u shndërrua në një person shembullor. Allahu qoftë i kënaqur me të.

Karakteri jonë buron nga ndjenjat tona, ndërsa ndjenjat tona vijnë nga përsiatja, e përsiatjet burojnë nga principet tona. Kur njeriu e mbjell fenë thellë në vete dhe kur formon qëndrim të drejtë, atëherë ai do të mund të kuptojë se ku është e nevojshme ndihma.
Vetëm të mendojmë për rrugën e Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Ai nuk punoi për ndryshimin dhe modifikimin e informatave, e as që pati gjatë periudhës mekase të Shpalljes ndonjë dispozitë dhe urdhër, por – në shpirtrat e sahabëve (shokëve) të tij – ai mbolli principet dhe vlerat e vërteta, moralin dhe fenë. Atëherë kur u shpallën normat dhe urdhëresat nga Zoti, shpirtrat e ithtarëve të tij i pranuan ato me plot vullnet. Ndodhi një revolucion i vërtetë dhe gjithëpërfshirës, pasojë e të cilit është pranimi i Islamit në zemrat e njerëzve.

Ky revolucion u bë pjesë e gjallë dhe e vlefshme në ndërgjegjen e njerëzve. Sikur të mos ishte ai (revolucion), fjalët e tij (Muhamedit s.a.v.s.) do të ishin shprehje të zbrazëta, që nuk do kishin as jetë e as natyrë shpirtërore.

Si të arrihet suksesi | Fejsal Omer Mahfuz Bashrahil

Artikulli paraprak4 fazat e përgatitjes së plotë të një njeriu të suksesshëm
Artikulli tjetërTri biletat e domosdoshme për udhëtimin e suksesit